Stefan Fyle: “Referendumi është nismë për populizëm”

511
Sigal

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, reagoi sërish për çështjen e referendumit për tre ligjet. Fyle, që më përpara kishte deklaruar se nuk mund të ketë referendum për ligjet, për të cilat Brukseli ka kërkuar konsensus ndërpartiak, tha se ai nuk mund të ndërhyjë në çështjet e brendshme, pasi Shqipëria është vend sovran, por e quajti këtë një nismë për populizëm. Fyle tha se nuk mund të ketë referendum për rregulloren e parlamentit, ndërsa shtoi se Brukseli vijon të kërkojë konsensus mes palëve dhe gjithëpërfshirje. “Shqipëria është një vend sovran dhe politikanët e zgjedhur kanë të drejtën të miratojnë vendimet që mendojnë se janë të mira për vendin dhe ta testojnë këtë në zgjedhjet e ardhshme. Kjo është ajo që po ndodh në një vend sovran.  Por më lini të bëj vërejtjen që vijon: Kam komentuar në Bruksel dhe në Shqipëri se nuk më pëlqen që tre çështjet të lidhen me gjë tjetër. Nuk më pëlqejnë këto lloj lidhjesh artificiale dhe mendoj se bëra një deklaratë shumë të qartë, se Shqipëria është një vend me një rekord shumë të mirë në miratimin e legjislacionit me 3/5. Pra, kjo është e mundur. Dhe po pyes veten se ku përfshihet politika këtu dhe se a kemi atë që disa mund ta quajnë populizëm. Nuk përdoret një referendum për të imponuar rregullat e procedurave në Parlament, sepse pasi nis të bëhet kjo, atëherë ku është fundi i këtij kreativiteti që imponon me referendum rregullat e Parlamentit dhe ligjet e ndryshme në një vend?”, deklaroi Fyle. Komisioneri përsëriti se tre çështjet e mbetura janë kusht për të dëshmuar konsensusin mes maxhorancës dhe opozitës. “Kur së bashku me shumicën qeverisëse dhe opozitën po shihnim listën e çështjeve që duhen plotësuar dhe miratuar në mënyrë që Komisioni të rekomandojë statusin kandidat. Ne përcaktuam aty edhe një numër ligjesh dhe hapash që kërkojnë shumicë të cilësuar.  Me fjalë të tjera, që kërkojnë jo vetëm komunikim, por gjithëpërfshirjen në këtë proces reformash. Për gjithëpërfshirjen në reforma kam folur që prej fillimit. Për mua, që prej fillimit, miratimi i atyre tre çështjeve nuk ishte vetëm për thelbin, por edhe për formën se si do të arriheshin, ku të dyja palët, opozita dhe maxhoranca, kanë një rol për të luajtur dhe ku të dyja palët, opozita dhe maxhoranca, kanë një përgjegjësi të veçantë.  Dhe përgjegjësia e tyre nuk është kundrejt Bashkimit Europian dhe Brukselit, por përgjegjësia e tyre është kundrejt qytetarëve të tyre”, theksoi Fyle.