Stefan Fyle: Në qershor skadon afati për në BE

535
Sigal

Bruksel, përfundon takimi i 6-të i Këshillit të Stabilizim -Asociimit Shqipërisë-BE

 “Qeveria dhe opozita duhet të bashkëpunojnë për çështjet e përbashkëta”. Deklarata u bë nga komisionari, Stefan Fyle në takimin e gjashtë BE-Shqipëri në Bruksel. Ndër të tjera, Fyle u shpreh se, raporti është drejt finalizimit dhe do t’u jepet vendeve anëtare. Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, drejtoi takimin e gjashtë të Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit BE – Shqipëri. Takimi i BE-së u përfaqësua nga Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Evangelos Venizelos, si përfaqësues i Presidencës greke të BE-së, dhe Komisioneri për Zgjerimin, Štefan Füle. Në përbërje të delegacionit shqiptar morën pjesë edhe Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha dhe Kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian të Kuvendit, Majlinda Bregu. Këshilli i Stabilizimit dhe Asociimit, i cili mblidhet një herë në vit, bëri një vlerësim të përgjithshëm të zbatimit të MSA-së dhe diskutojë mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin evropian të Shqipërisë.

Statusi- Fyle: Qeveria dhe opozita të bashkëpunojnë

Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule tha dje se, takimi i Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri në Bruksel ishte një takim shumë i mirë dhe vizionar. Në përfundim të takimit, Fule në një deklaratë për media, tha se, sheh një rrugë të qartë për vendimin për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë , në qershor. “Jam i inkurajuar nga vendosmëria e treguar nga qeveria dhe nga rezultatet e arritura deri më tani, dhe unë jam i bindur se, vendi ka kapacitet për të trajtuar sfidat e integrimit europian. Unë gjithmonë kam theksuar që të ketë sukses, integrimi evropian, duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës dhe të bëhet një agjendë kombëtare. Qeveria dhe opozita duhet të punojnë së bashku, në frymën e moderimit dhe dialogut konstruktiv, për të arritur këtë qëllim të përbashkët. Ne do të vazhdojë të monitorojmë nga afër progresin e Shqipërisë dhe të ndihmojmë më tej vendin në arritjen e objektivit të saj për të ecur përpara në integrimin Europian. Çelësi i suksesit është në duart e vetë Shqipërisë”,- tha Fule.

Në qershor do të ketë një raport për progresin e bërë nga Shqipëria me fokus të veçantë në implementimin e reformave gjyqësore dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.  “Kemi mbajtur shënim hapat e ndërmarra nga qeveria në një sërë fushash, veçanërisht sa i përket shtetit të së drejtës, reformën në gjyqësor dhe luftën kundër krimit të organizuar. Është në dorën e Shqipërisë që të vazhdojë të ndërtojë mbi progresin e bërë dhe të konsolidojë momentin e reformave.”,-tha Fyle. Megjithatë, ai është shprehur se, nuk do i zbulojë ende detajet e raportit. “Duhet të japë rezultate konkrete, bindëse sa i përket fushës së prioriteteve, të cilat janë jetike për progresin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit. Gjithmonë kam besuar se, që procesi i integrimit të jetë i suksesshëm, duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës”,- tha komisionari Fyle.

Venizelos: Politikanët e dy palëve, të punojnë së bashku

I pranishëm në takimin e 6-të të Bashkimit Europian-Shqipëri në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Evangjelos Venizelos tha gjatë fjalës së tij se: “Sot kemi nënvizuar se, BE është e angazhuar në rrugën e saj drejt integrimit. Kujtojmë politikanët e dy palëve që të punojnë së bashku. BE konsideron se, dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv është jetik që Shqipëria të adresojë axhendën e BE se, lidhur me reformat dhe bën thirrje për përpjekje të vazhdueshme në këtë aspekt.”,-tha Venizelos. Sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Venizelos, axhenda e reformave duhet të ndiqet në frymën e kompromisit dhe gjithëpërfshirës, të cilat do të çojnë në rezultate konkrete. “Gjate takimit të sotëm kemi theksuar nevojën për reforma, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”,- tha Venizelos.

Bushati: Qeveria e angazhuar për dialog konstruktiv

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i cili drejtoi takimin e gjashtë të Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit BE-Shqipëri, gjatë fjalës së tij bëri me dije se: “Qeveria është e angazhuar për të pasur dialog politik konstruktiv, puna e përbashkët e qeverisë dhe opozitës, veçanërisht në parlament është jetike për qëndrueshmërinë e procesit të reformave”.

Gjosha: Shqipëria progres në zbatimin e MSA

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, në takimin e gjashtë BE-Shqipëri tha se, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit dhe se, gjatë vitit 2013-2014 është bërë punë domethënëse për përafrimin e legjislacionit. Gjatë takimit në Bruksel, ministrja Gjosha raportoi për kriterin ekonomik, përafrimin e legjislacionit dhe bashkëpunimin financiar. Gjosha u shpreh se: “Nismat e qeverisë kanë synim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrimin e mëtejshëm me BE”.

Ministrja e Integrimit Europian vuri theksin tek zbatimi sa më i mirë i legjislacionit, dhe jo vetëm tek përafrimi i tij. “Shqipëria duhet të ecë sa më shpejt për të mbajtur ritmin e BE-së”,- u shpreh ministrja Gjosha.

Ja shqetësimet që dolën nga takimi i 6-të Shqipëri-BE

 1- Element kyç për BE ngelet konsensusi kombëtar, i cili duhet të qëndrojë lart mbi agjendën politike.

2- Çështja e 21 janarit. Proces i gjyqësor duhet të jetë i besueshëm.

3- Sistemi i drejtësisë. Vendi inkurajohet të bëjë sa më shpejtë strategjinë e re për gjyqësorin 2014-2020 me përfshirjen e KLD-së, Gjykatës së Lartë e Kushtetuese, Prokurorisë e Avokatit të Popullit, duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias.

4- Hetime për angazhimin e qeverisë në korrupsion dhe pastrimin e parave.

5- Korrupsioni në drejtësi dhe pronat. Rritja e hetimeve proaktive, përfshirë hetimet financiare, hetimet e korrupsionit në nivel të lartë, të rasteve të konfliktit të interesit e deklaratave të pasurisë, si dhe në sistemin gjyqësor.

6- Rastet e gjyqtarëve nuk janë trajtuar mjaftueshëm.

7- Droga, kultivimi dhe trafiku i kanabisit mbetet një shqetësim serioz.

8- Administrata publike. BE bën thirrje për përpjekje të mëtejshme për forcimin e profesionalizmit, depolitizimit, meritokracisë, transparencës dhe luftës ndaj korrupsionit në administratën publike. Transparenca dhe konstruktiviteti i angazhimit ndërmjet qeverisë dhe opozitës në procesin e reformës është kyçe për ngritjen e një shërbimi civil të qëndrueshëm.

9- Kërkohet forcim i përfshirjes së minoriteteve, sidomos për komunitetet Rome dhe Egjiptiane, draftimi i një ligji me parashikime financiare për personat me aftësi të kufizuara, qartësimi i rrethanave fiskale për organizatat e shoqërisë civile, si dhe çështja e ish të përndjekurve politik.

10-                  Media. BE inkurajon Shqipërinë të sigurojë që rregullat mbi reklamat nga institucionet publike garantojnë transparencën e plotë dhe mosdiskriminimin për dhënien e fondeve

BE, Rumbold: Statusi do varet nga lufta kundër korrupsionit dhe trafikut  

 Përfaqësuesi i BE-së në Shqipëri, Clive Rumbold, ka komentuar situatën më të fundit në vendit tonë përsa i përket trafikut të lëndëve narkotike. Përpara mediave, Rumbold ka përsëritur apelin ndaj vendit tonë për forcimin e shtetit ligjor. Ai deklaroi se:  “Forcimi i shtetit ligjor vazhdon të mbetet një prioritet për Shqipërinë dhe BE do të vazhdojë ndihmën dhe asistencën e vet për policinë, sistemin gjyqësor, që Shqipëria të përparojë në këtë drejtim në kuadër të integrimit në BE. Ne mbështesim punën e policisë në luftën ndaj çdo lloj trafiku”. I pyetur se, a do ndikojë kjo situatë në marrjen e statusit në muajin qershor, Rumbold tha: “Në qershor, shtetet anëtare të BE-së dhe Komisioni Europian do të marrin një vendim bazuar në një raport që përfshin progresin në disa reforma, si atë gjyqësore, si në atë të zbatimit të ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe trafikut. Pra, janë disa informacione të mbledhura mbi disa reforma që do të përmblidhen për të patur një panoramë të qartë mbi zhvillimet e vendit. Pra, qartazi, vendimi i qershorit do të jetë i bazuar në këto fusha”. I ngarkuari me punë pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri Clive Rumbold ka qenë i pranishëm në qytetin e Shkodrës për të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të konkursit të pikturës “Evropa ime” për nxënësit e shkollave të mesme të qytetit.