Stefan Çipa: Gara brenda socialistëve u falsifikua, emri im u shkul me dhunë

439
Kryetari aktual i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa ka reaguar në lidhje me moskandidimin e tij në zgjedhjet e 21 qershorit. Me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook”, Çipa deklaroi se ndihet i zhgënjyer, pas shpalljes së emrave të kandidatëve të rinj. Më tej, ai shtoi se rezultati i kësaj gare për Sarandën u përmbys. Në vend të Çipës, PS-ja ka përzgjedhur si kandidat për bashkinë, 38-vjeçaren Floriana Koka. Ja mesazhi i kryebashkiakut Stefan Çipa, drejtuar elektoratit socialist të Bashkisë së Sarandës. 
Të dashur miq! 
Ju kam ndjerë kaq pranë këto ditë të zhgënjimit më të madh, që mora nga rezultati i përmbysur i garës së zhvilluar brenda PS për kandidat të saj për kreun e Bashkisë së Sarandës. Qindra mesazhet dhe qindra telefonatat, që kam marrë prej jush në këto ditë, më kanë ndihmuar për të mos u ligshtuar përpara një falsifikimi të madh të rezultatit, që ia doli të shkulë gati me dhunë emrin tim nga vendi fitues i garës që bëra për t’u konfirmuar unë sërish si kandidat për kreun e Bashkisë së Sarandës, nën siglën e PS. Ju jam shumë mirënjohës, që ndatë me mua peshën e këtij zhgënjimi dhe falsifikimi të pashembullt të rezultatit për fushata zgjedhore, brenda dhe jashtë llojit të socialistëve. Edhe pse ishin të shumta në numër, me respektin më të madh për secilin prej jush, i kam lexuar gërmë për gërmë të gjitha mesazhet tuaja. Po kështu, çdo bisedë gojore apo telefonike me ju, më ka lartësuar moralisht e psikologjikisht, përballë triumfit të së keqes, të atyre që i lexuan duke i kthyer përmbys punët dhe realizimet e këtyre 4 viteve të fundit në krye të Bashkisë së Sarandës. U panë të përmbysura ato, megjithëse cfarë është bërë në 4 vjet për Sarandën tonë të dashur, i gjen në çdo hap e ngado që të hedhësh sytë. E bënë këtë, vetëm e vetëm për t’i shkuar deri në fund “humbjes” sime të paramenduar e të paracaktuar në mendjen e tyre. Për mua, për ju dhe për çdo qytetar që ka sy e sheh, arritjet që nuk mund të mohohen e as të anashkalohen, janë testi dhe sondazhi më i mirë, më i vërtetë e i pakundërshtueshëm. Një detyrim të madh kam të falenderoj të gjitha stafet e bashkëpunëtorët e mi, që janë edhe bashkëautorë të këtyre punëve e realizimeve, të cilat i mbeten Sarandës. Me ta ndava çdo ide e projekt dhe çdo përpjekje e vështirësi për t’i realizuar ato. Sadisfaksioni i përbashkët që morëm, është se ia dolëm ta bëjmë Sarandën një qytet më të mirë për të jetuar dhe më të këndshëm për t’u vizituar e për të pushuar. Kjo ka shumë rëndësi dhe kjo mbetet si gjurmë e mirë e punës së mirë, edhe për shumë e shumë vite pas ikjes sime nga drejtimi i Bashkisë së Sarandës. Unë nuk jam këtu për të hedhur rrënjë, por për të hedhur farën e punës së mirë, të punës me dashuri e përkushtim për qytetin e përbashkët dhe për të merituar të jem kryeshërbëtor i gjithë banorëve. Dhe jam krenar që këtë e bëmë. Katër vite më kaluan duke punuar në staf sipas kësaj filozofie. Mbështetjen e këtyre ditëve nga të gjithë ju, as që mund ta mendoja se do të ishte e tillë, jashtë kësaj situate. E kuptoj se shumë prej jush kjo zgjedhje fiktive dhe e paracaktuar, i ka lënë pa fjalë dhe ka zënë në befasi opinionin e shëndetshëm qytetar, i cili priste rikandidimin tim dhe jo spostimin e largimin tim. Komunikimi inkurajues i këtyre ditëve me ju, më ka ardhur si vlerësim i gjerë popullor për sa mundëm të bëjmë me bashkëqytetarët dhe për bashkëqytetarët e mi të respektuar, me biznesin lokal dhe partnerë të tjerë të vegjël e të mëdhenj, që na mbështetën për të bërë investime serioze, të rëndësishme e me impakt. Të tilla që i mbeten Sarandës, si gurë kilometrikë, të cilët nuk mund të shkulen si nga qyteti ynë i dashur, ashtu edhe nga memorja kolektive e sarandiotëve. Ju më ndihmuat dhe më ndihmoni ta kaloj këtë situatë dhe këtë deformim vlerash, që së bashku krijuam dhe bëmë më të dallueshme. Do të punoj njësoj si në ditën e parë të mandatit tim, deri ditën e konstituimit të Bashkisë së re, që do të dalë nga këto zgjedhje, duke qenë njësoj kërkues për evidentimin dhe shtimin e vlerave që bartin qytetari. Po aq i rreptë e i prerë do të jem deri në fund, së bashku me stafet e Bashkisë, në zbatim të ligjit e në kontrollin e territorit, duke mos i dhënë asnjë shans asnjë gaforreje të detit apo breshke të tokës, të shkatërrojnë në dy-tre muaj atë që bëmë, me shumë mundim e përkushtim, në 4 vjet qeverisje vendore në shërbim të qytetit dhe të qytetarëve. E kam shprehur edhe gjatë garimit tim dhe po e përsëris se do të dëshiroja shumë që Bashkia e mandatit 2015-2019 të vazhdonte të qeverisej nga të majtët, duke i dhënë vijimësi zbatimi strategjisë programore të Qeverisë Rama, vizioneve tona, që shohin më larg e janë më njerëzore dhe projekteve në proces, atyre që presin financim e të tjerave, që do të bëhen, për urbanizimin dhe modernizimin e mëtejshëm të qytetit dhe të gjitha pjesëve përbërëse të Bashkisë së re. Me mirënjohje të thellë e të përjetshme, miku dhe vëllai juaj Stefan Çipa.
Arritjet 4 vjeçare
– Rekordi turistik për Sarandën dhe plazhi që iu kthye qytetarit.
– Infrastruktura më e mirë dhe gjelbërimi më i mirë.
– Ndriçimi më i mirë dhe qyteti më i pastër.
– Limani i rivlerësuar. Bibliotek, muzetë dhe Galeria e Artit. 
– Kujdesi për shkolla, këndet e lojrave për fëmijë, dhe mosha e tretë.
Sigal