“Statusi nuk është dëshmi e standardeve demokratike që dëshirojnë shqiptarët”

138

Intervista/ Flasin deputetët e Partisë Socialiste, Pirro Lutaj dhe Arion Muçaj

Deputetët e PS-së, Pirro Lutaj dhe Arion Muçaj në intervistën për “Telegraf”, theksojnë se, statusi i kandidatit nuk është dëshmi e standardeve demokratike dhe paketa e PS-së për ndryshime kushtetuese do të jetë në axhendën politike edhe në të ardhmen.

– Jeni të bindur se reforma e imunitetit, e cila u votua me konsensus, do të luftojë korrupsionin, apo votuat që të mos bllokoni statusin?

PIRRO LUTAJ:- Jo, nuk ka vlerë fare, e kemi thënë disa herë, korrupsionin nuk e bëjnë as deputetët dhe as zyrtarët e ndershëm, njerëzit e zakonshëm, që janë pa imunitet. Korrupsioni vjen prej qeveritarëve të Sali Berishës, edhe me heqjen e imunitetit, do të jenë të mbrojtur nga gjykatat e politizuara dhe nga sistemi i drejtësisë i shkatërruar, i cili drejtohet nga Kryeministri.

ARION MUÇAJ:- Ne, socialistët në asnjë rast nuk kemi qenë kundër heqjes së imunitetit. Çështja e debatit që ka mbrojtur PS-ja, është se kjo reformë e imunitetit, që të ketë vërtetë vlerë në luftën kundër korrupsionit, duhet shoqëruar edhe me ndryshimet kushtetuese, që sigurojnë pavarësi të institucioneve përgjegjës të luftës kundër korrupsionit, nga interesat politike. Është absurde të pranosh që shkaku i korrupsionit janë deputetët e opozitës, apo ndonjë nëpunës i thjeshtë i administratës publike. Sistemi i drejtësisë i politizuar, nuk ndëshkon fajtorët e korrupsionit që janë qeveritarët dhe zyrtarët e lartë të shtetit,  të cilësuar militantë partiakë.

– PS-ja e voton reformën e imunitetit, edhe pse e ka kritikuar e nuk e ka votuar herën e parë, pa kushtet e saj që kishte vënë, e ndodhur përballë presionit nga ndërkombëtarët e të mos i faturohet dështimi i statusit. Ju keni mendim të kundërt?

PIRRO LUTAJ:- Jo, kjo është një këngë e dëgjuar, nuk ka të bëjë fare me ato që ju parashtroni. PS-ja është një formacion politik i ndërgjegjshëm dhe patriot, që përpara çdo interesi personal, qoftë edhe të grupit politik që përfaqëson, vendos ato që i interesojnë popullit shqiptar dhe  është pjesë kontribuuese e integrimit të Shqipërisë në BE. Por, siç është thënë edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, heqja apo e mos-heqja e imunitetit, nuk është nga shkak që mund ta pengojë integrimin. Janë arsye e prioritete të tjera që maxhoranca e sotme, vetë, nuk do t’i realizojë.

ARJON MUÇAJ:- Heqja e imunitetit do të shërbejë si alibi juridike për të mbrojtur shkaktarët politikë të korrupsionit. PS-ja e voton këtë reformë, që të mos i japë armë politike Berishës, për përgjegjësitë e mosmarrjes së statusit.

– Realizimi, kështu siç po ndodh, pjesë -pjesë i 12 prioriteteve të BE-së, mendoni që arrijnë ato standarde demokratike të kërkuara?

PIRRO LUTAJ:- Ka plot probleme, të cilat ndikojnë në mosarritjen e standardeve. Fakti më dëshmues është  që shumë nga prioritetet e BE-së nuk realizohen. Veçse, ngelet për të shpresuar në një vendimmarrje pozitive në të mirë të popullit shqiptar e Shqipërisë, e jo në të mirë të kësaj maxhorance, e cila është krijuar me vjedhje vote.

ARJON MUÇAJ:- Realisht, statusi nuk është dëshmi e standardeve demokratike që dëshirojnë shqiptarët, i cili, të jep përshtypjen se i ndihmon shqiptarët të integrohen, por e vërteta është se shqiptarët nuk gëzojnë të standarde demokratike në Shqipëri.

– Gjinushi, në intervistën e fundit për “Telegraf” argumentoi se një status pa  arritjen e standardeve demokratike, është status për qeverinë. Ju pajtoheni me këtë argument?

PIRRO LUTAJ:- Qytetarët shqiptarë kërkojnë standardet demokratike, një cilësi demokratike europiane në jetën e tyre, e jo një dëshmi politike për Berishën. Qytetarët shqiptarë kërkojnë një status të qenësishëm, një status të moralshëm dhe jo një status pa standarde.

ARJON MUÇAJ:- Një status që nuk realizon standardet, nuk u shërben shqiptarëve.

– Ka një tjetër këndvështrim, që të tjera standarde ka vënë objektiv BE-ja në 12 prioritetet e saj dhe të tjera standarde kërkojnë misionerët e saj në Shqipëri. Ju keni këtë përshtypje?

PIRRO LUTAJ:- Ne, si socialistë jemi të angazhuar të arrijmë standardet europiane. Këto që thoni ju, janë opinione dhe konsiderata të njerëzve të veçantë, por ne sytë i kemi nga e vërteta europiane, ose nga Europa e vërtetë.

– Ju shpresoni se amendamentet për ndryshimet kushtetuese të PS-së, mund të shqyrtohen sërish më vonë, apo përfundimisht, u mbyll ky kapitull?

PIRRO LUTAJ:- Këtu përgjegjësinë e madhe e ka maxhoranca që nuk realizon përgjegjësitë që i përkasin.

ARJON MUÇAJ:- Patjetër, që këto ndryshime kushtetuese që kërkuam, pavarësisht se nga maxhoranca nuk u pranuan tani, do t’i ketë pjesë të axhendës së vet politike edhe në të ardhmen.