Statusi, Nishani: Optimist se do të ketë vendim pozitiv, Prokuroria jo në lartësinë e duhur

506
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u shpreh optimist se do të ketë një vendim shumë pozitiv për Shqipërinë në lidhje me statusin e vendit kandidat. I ftuar të enjten në mbrëmje në emisionin televiziv “Opinion” në TV Klan, Nishani komentoi vizitën e tij të fundit në Bruksel, ku theksoi se gjeti një ambient vlerësues dhe shumë mirënjohës për Shqipërinë. “Konstatova që vlerësimet e tyre ishin shumë reale. Problematikat që ka shfaqur Shqipëria dhe që kanë qenë pjesë e rekomandimeve të KE-së njiheshin mirë prej tyre, ashtu sikurse masa e plotësimeve dhe ecurisë së këtyre detyrimeve. Ajo që kërkohet nga Shqipëria është që çdo orë dhe çdo ditë që ka ngelur deri në shpalljen e raportit të vlerësohet si tërësisht e mundshme për të përmbushur detyrat që janë vendosur”. Ai theksoi se, Brukseli vlerëson arritjen e konsensusit dhe miratimin e Kodit të ri Elektoral, ngritjen e grupeve të përbashkëta për ligjet e rëndësishme dhe votimin në Kuvend të kufizimit të imunitetit për zyrtarët e lartë, që veçanërisht ka lënë mbresa shumë pozitive në KE dhe PE. Shqipëria, sipas tij, “duhet të japë prova të konsolidimit të shtetit ligjor dhe heqja e imunitetit e garanton këtë”. Duke komentuar zgjedhjen e kreut të ri të organit të akuzës kreu i shtetit deklaroi se do të konsultohet me konstitucionalistë, por sipas tij Prokuroria ‘ nuk është në lartësinë e organit të akuzës’.