Statusi, Moore: Mesazhet tona në Tiranë kanë rënë në vesh që nuk duan të dëgjojnë!

416
Sigal

 “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Shqipërinë në çdo veprim që është duke ndërmarrë”, deklaroi sot Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore në takimin me Ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, të zhvilluar në Budva të Malit të Zi, në kuadër të forumit “To be Secure” . Sa i takon statusit të vendit kandidat, ai tha se kjo është një çështje që ka të bëjë me interesat e të dy vendeve, si anëtare të NATO-s. “Këtë mesazh e kemi dhënë dhe në Tiranë, por mesazhet tona nuk mund të them se kanë rënë në vesh të shurdhër, por në veshë që nuk duan të dëgjojnë”, – deklaroi zyrtari i lartë amerikan.  Më tej Moore u shpreh se SHBA vlerëson kontributin që Shqipëria po jep në NATO. Ai shprehu edhe një herë mbështetjen në të gjitha nismat antikorrupsion të ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes, duke theksuar se është për t’u vlerësuar bashkëpunimi me Prokurorinë, duke e quajtur atë si një veprim të duhur në të tilla raste.“Asnjë person apo institucion nuk duhet të bëhet pengesë për progresin dhe ecurinë e reformave”, – u shpreh Moore. Ai ka theksuar se SHBA i kushton rëndësi të madhe sundimit të ligjit dhe inkurajon përpjekjet për të arritur qëllimet e përbashkëta. “Ne ju mbështesim plotësisht në përpjekjet tuaja për të mbrojtur dinjitetin dhe nderin e FA”.