Statusi, fitore për europianistët shqiptarë

485
Sigal

Ngjarje e shënuar për Shqipërinë. Kryeministri Rama: Vlerësim, por kemi shumë detyra. Ilir Meta: Ditë reflektimi. Lulzim Basha:  Sfidë hapja e negociatave

Ngjarje e shënuar dita e djeshme për Shqipërinë. Së fundi, ajo bind skeptikët dhe merr statusin e vendit kandidat për në BE, duke kaluar kështu në hapin tjetër që është hapja e negociatave për anëtarësim.

Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle ishte i pari që konfirmoi marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë. Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, kanë vendosur unanimisht që të miratojnë raportin e Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat. “Urime për statusin kandidat miratuar nga ministrat. Urime Shqipërisë për statusin kandidat. Njohje e përpjekjeve për reforma, nxitje për më shumë. Ministrat e Jashtëm sapo ranë dakord për statusin”, shprehet Fyle.

KRYEMINISTRI EDI RAMA

Vetëm pak minuta pasi Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së i tha “Po” statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, Kryeministri Edi Rama nga salla e hartave deklaroi se tashmë nis puna e qeverisë, ndonëse nuk do të jetë e thjeshtë, duke iu referuar kështu çeljes së negociatave për anëtarësim. “Në dhjetor nuk ja dolëm, jo sepse mesazhi nuk u dëgjua fort, por sepse në disa vende triumfoi frika e disa vendeve para zgjedhjeve evropiane, ashtu si edhe zhgënjimi i viteve të fundit nga performanca e dobët e Shqipërisë. Statusi është si fejesa, fejesa ka kushte, se pa plotësuar kushtet nuk martohesh dot. Sfida vjen duke u bërë më e madhe, jo më e vogël. Jemi të bindur që do t’ia dalim, pavarësisht çfarë kushtesh vendosin….”-pohoi mes të tjerave Kryeministri Rama në një konferencën për shtyp. “E përsëris edhe sot se Gatet e drejtësisë duhet të dorëzojnë çekiçët sepse çekiçi i Gateve të drejtësisë vret edhe më shumë.  Do të jetë një reformë e thellë dhe e dhimbshme për të gjitha gatet e sistemit të drejtësisë. Ne nuk do të tërhiqemi dhe nuk do të falim askënd…. Ne jemi në dispozicion të opozitës për çfarëdoqoftë që opozita do të kontribuojë. Opozita ka vendosur të rri në vend numëro, 1-2, 1-2, ne nuk bëjmë zgjedhjen e opozitës, bëjmë zgjedhjen tonë. Opozita i ka të gjitha hapësirat, opozitës sot të mos i mungojë asgjë nga ato që i mungonin opozitës dje. Jam i gatshëm të dëgjoj kreun e PD për çdo temë që ka lidhje për të mirën e vendit, dhe për reformën territoriale jam i hapur të diskutojmë për 5 variantet tona, dhe nëse këto kanë një variant të gjashtë, edhe pse mjafton një ditë e vetme për të diskutuar një reformë që ka 20 vjet që nuk bëhet. PD ka gjithë kapacitete e nevojshme për të pasur një detajim të reformës territoriale, sa e ka vullnetin është gjë tjetër. Por unë edhe kryetari i Kuvendit e kemi vullnetin për ti dëgjuar. Edhe ata nëse nuk do të vijnë ne do ta bëjmë”, u shpreh kreu i qeverisë… Mirënjohje kryetarit të Kuvendit dhe bashkëkryetarit të Aleancës për Shqipërinë Europiane, Ilir Metës për gjithçka ka mundur të garantojë, duke mbështetur përmes gjithë fuqisë parlamentare të Aleancës sonë qeverinë dhe këtë proces, dhe nga ana tjetër duke vënë në dispozicion energji dhe punë për të bërë edhe ai pjesën e rrugëtimit dhe trokitjeve në funksion të domosdoshmërisë që Shqipëria ta merrte këtë status. Shpreh me zë të plotë gjithë mbështetjen e opozitës politike por më duhet të them se falënderimi i shkon përfaqësisë së opozitës në nivelin e dialogut të lartë, komisionit të integrimit dhe kryetares së komisionit të Integrimit Majlinda Bregu… Shpresoj që në periudhën në vijim e gjithë opozita të angazhohet me të gjitha forcat në funksion të procesit që vazhdon me marrjen përfundimtare të vulës nga Këshilli Europian. Nuk do të mungojë edhe vlerësimi për atë që opozita ka bërë para se të bëhej opozitë. Sot flasim për gjithë këta muaj të vështirë në këtë betejë aspak të lehtë që besoj e fituam me plotë meritë…Statusin nuk kam nevojë ta bëj më të rëndësishëm sot  dhe as t’i biem gjoksit se ne morën statusin, bëmë vetëm detyrën… Kam pasur neveri kur dëgjoja qeverinë për të organizuar koncerte, për të shfrytëzuar politikisht arritje të kësaj natyre. Kjo nuk do të ndodhë. Çiljeta nuk do të këndojë. Po përgatitemi do të ftojmë të gjithë ata që duhen ftuar, edhe Sali Berishën, për të qenë së bashku në një festë modeste për të adresuar gëzimin tonë si shqiptar për këtë që u arrit”,- tha Rama.

 Kryeparlamentari Meta: Sot, një ditë reflektimi për të gjithë

 Kreu i Kuvendit, Ilir Meta në një deklaratë për mediat ka vlerësuar marrjen e statusit kandidat duke theksuar se kjo ditë duhet të shërbejë si një reflektim për të gjithë. Sipas tij procesi i integrimi duhet të na bashkojë si asnjë herë tjetër. “Kjo ditë duhet të shërbejë si një reflektim për të gjithë, për atë se çfarë duhet të jetë ndryshe. Procesi i integrimit Evropian duhet të na bashkojë si asnjë herë tjetër. Këtë gjë nuk e kemi bërë siç duhet deri më sot, besoj dhe shpresoj se do bëhet më mirë duke nisur nga nesër”,- tha Meta. Më tej Meta është shprehur se Marrja e statusit është e kaluara dhe se tani duhet të shohim drejt së ardhmes, duke theksuar se ajo që duket e pamundur, është një mundësi për ecjen përpara. Vendimi për anëtarësim sipas Metës  merret në Tiranë me garantimin e drejtësisë dhe standardeve Evropiane, vendosjen e plotë të ligjit në të gjithë vendin. Kreu i Kuvendit Meta ka falënderuar të gjithë aktorët e rëndësishëm që kanë kontribuar në marrjen e statusit kandidat duke falënderuar në mënyrë të veçantë Presidencën Greke të BE-së që sipas tij, ka bërë një punë të madhe për ta çuar përpara këtë proces. Meta Gjithashtu, ka falënderuar Komisionin Europian për rekomandimin për dhënien e statusit, Parlamentin Evropian dhe 2 grupet kryesore të tij Partitë Popullore Europiane dhe grupi Social-Demokrat. “Urimet reciproke janë normale, suksesi nuk përjashton askënd”,-tha Meta duke shtuar se do të vlerësohet puna e Kuvendit aktual dhe atij të kaluar.

Lulzim Basha: Fitore për europianistët shqiptarë, sfidë hapja e negociatave 

Marrjen e statusit si kandidat për në BE e ka përshëndetur dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha. “Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE ka rekomanduar sot statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, një lajm shumë i mirë, çka praktikisht ka hequr çdo pengesë për vulosjen përfundimtare nga shefat e tyre, krerët e qeverive dhe vendeve në mbledhjen e së enjtes.”- ka deklaruar ai. Sipas Bashës, një meritë e veçantë i shkon ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. “Dua t’ju falënderoj ju, ambasadorë të vendeve anëtare të BE, të gjithë vendet anëtare për këtë vendim të shumëpritur e ta përshëndes atë ngrohtësisht e nxehtësisht, në emër të Bashkisë së Tiranës, qytetarëve të Tiranës, të gjithkujt në këtë sallë e jashtë kësaj salle dhe gjithë qytetarëve shqiptarë. Është fundi i një rrugëtimi që nisi 5 vite më parë, me aplikimin nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, për anëtarësimin e plotë të vendit në BE. Është fillimi i një rrugëtimi tjetër. Një stacion i rëndësishëm po përmbyllet më së fundmi por një stacion tjetër na pret, hapja e bisedimeve, përfundimi me sukses i të cilave çon drejt anëtarësimit të plotë të vendit në BE. Dita e sotme është një ditë fitoreje për europianistët, që përbëjnë shumicën dërrmuese të qytetarëve të Tiranës dhe qytetarëve të gjithë Shqipërisë”,- deklaroj Basha. “Uroj që lajmi i mirë që morëm sot, lajmi i shumëpritur që morëm sot, të na shërbejë për të kuptuar se tashmë “steka” është ngritur më lart, se nga gjithsecili prej nesh pritet më shumë e veçanërisht nga politikëbërësit e vendimmarrësit që kanë në dorë fatet e qytetarëve, përmes asaj çka bëjnë, asaj çfarë nuk bëjnë, asaj çfarë bëjnë mirë apo asaj çfarë bëjnë keq. Ta gëzojmë statusin, jo për shumë gjatë shpresoj se tani sfida është të hapen negociatat për anëtarësim në BE!”,-ka përfunduar kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha

 Berisha: Arritje madhore, u vlerësuan reformat tona

 Ish-Kryeministri Sali Berisha e cilëson një arritje madhore marrjen e statusit, ndërsa shprehet se më këtë vendim u vlerësuan reformat e ndërmarra gjatë qeverisjes së tij. “Të dashur miq, sot Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare të BE vendosi që Shqipërisë, ndonëse me vonesë për shkaqe kryekëput shqiptare, t’i jepet statusi i vendit kandidat për vend anëtar të Bashkimit Europian. Kjo është një arritje madhore në rrugën e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Para së gjithash është vlerësim i suksesit të reformave tona që kanë sjellë Shqipërinë në stadin e meritimit të plotë të statusit të vendit kandidat. Me këtë rast unë dua t’u shpreh një mirënjohje të thellë atyre mijëra punonjësve të administratës shtetërore që, me punën, përkushtimin e tyre në hartimin, miratimin dhe zbatimin e mijëra ligjeve, vendimeve, rregullave, kritereve, standardeve, reformave, me përgjigjet e sakta të 2284 pyetjeve dhe 2000 nënpyetjeve të pyetësorit të Komisionit Europian dhe përgjigjen e merituar, bënë të mundur që Shqipëria të zbatojë me seriozitet Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kërkesat për heqjen e vizave dhe të meritojë plotësisht që në tetor të vitit 2012 rekomandimin e përsëritur dhe në tetor të vitit 2013 të KE për statusin si dhe vendimin e sotëm të Ministrave të Jashtëm të BE… Por sot, duhet të rikujtojmë se ne morëm me vonesë statusin e vendit kandidat pasi Edi Rama, si asnjë politikan tjetër në Europë, në një akt të mirëfilltë antikombëtar, e bllokoi atë në dhjetor të vitit 2012 dhe në mars të vitit 2013, duke refuzuar votimin e tre ligjeve për të cilat ishte rënë dakord. Ftoj të gjithë shqiptarët të festojnë këtë vendim shumë të rëndësishëm në rrugën tonë drejt Europës! URIME!!”, përfundon ai mesazhin në Facebook

 

Prononcime të personaliteteve të vendit për gazetën “Telegraf”

 Alfred Moisiu

Statusi, është një fitore e madhe

 Politika shqiptare ka nxjerrë burra shteti dhe jo politika që të mendojnë për zgjedhjet e radhës. Marrja e statusit të vendit kandidat për në BE është një fitore e madhe. Në fakt ne si popull duhej ta kishim marrë me kohë këtë status. Megjithatë detyrat për të ardhmen janë akoma më të mëdha. Ky është hapi i parë, por ne duhet të fillojmë negociatat për të qenë pjesë e BE-së. Politikës shqiptare në të ardhmen i dalin detyra dhe më të mëdha, pasi kërkesat dhe detyrat që po vë BE janë të mëdha dhe duan seriozitet, punë, kërkesa, reforma të thella. Politika shqiptare duhet të mendojë të nxjerrë burra shteti që të mendojnë për të ardhmen e kombit, të shtetit dhe jo politikanë që të mendojnë për zgjedhjet e radhës.

  Sabit Brokaj

 Lehtësim pas një rruge të lodhshme

Ishte një lehtësim shpirtëror, që pas kaq shumë vitesh ne morëm statusin e vendit kandidat. Ishte një rrugë e lodhshme. Dikur mendonim se do ta merrnim për 5 vjet, d.m.th nga vitet 1996, por e morëm sot.  Por parë në syrin e kohës, le ta lëmë të kaluarën pas dhe ti gëzohemi të sotmes. Ndoshta ky status erdhi dhe për vetë zhvillimet gjeopolitike të fundit. Përfundimisht pas NATO-s erdhi dhe kjo ditë, kur ne përmbushnim vazhdimisht kriteret që caktonte BE.  Tashmë i duhet klasës politike që të jetë më e përgjegjshme, më solide, që të gjithë kohën e harxhuar duke na lënë peng të vitit 2014 ta  korrigjojë sa më shpejt. Ishte kjo politikë që na vonoi në këtë status, ndaj tashmë të korrigjojë punën në marrjen e statusit si anëtare e BE. Shpresoj shumë që e ardhmja të jetë e bukur dhe koha sa më e shkurtër në interes të të gjithë shqiptarëve dhe jo të interesave të partive politike.

  Fatos Klosi

 Hapi i parë, po jemi ende larg Europës

 Statusi është një hap për t’u futur për në BE, por jo gjithçka. Pra nuk kemi arritur atë çka duhet dhe atë çka i takon popullit dhe kombit tonë. Të gjithë shqiptarët kanë punuar për këtë ditë, pra më shumë është kontribut i popullit se sa i politikës. Por kjo nuk duhet të na gëzojë dhe të na kalojë në eufori. Jemi ende larg Europës. Tani duhet të fillojnë bisedimet, negociatat për të fituar statusin e vendit anëtar. Pra nuk duhet  të kemi shuam entuziazëm, pasi detyrat anë më të mëdha. U kalua një stad, por ka ende shumë për të bërë. Duhen reforma, përmirësime, të fillojnë bisedimet, pasi rruga është e gjatë.  P.sh Maqedonia e ka marrë këtë status në vitin 2005 dhe ende nuk ka filluar bisedimet, ndërsa Kroacia e mori statusin e vendit anëtar brenda dy vjetësh. Kjo varet nga reformat e vendit, nga zhvillimet brenda gjirit të BE-së. Kjo do të varet nga  përpjekjet tona për t’u afruar me standardet europiane.

 Prof. Servet Pllumbi

Hap i rëndësishëm që kërkon shumë punë

Vendimi i BE për t’i dhënë statusin e kandidatit Shqipërisë është një ngjarje e shënuar, e cila e ofron vendin tonë me perëndimin. Ky vendim përvese na  bënë më krenarë  shtonë edhe detyrimin  e të gjitha forcave politike pa dallim bindjesh dhe përkatësie fetare për të realizuar të gjitha detyrimet në mënyrë që të bëhemi të denjë për familjen europiane.  Koalicioni i Rilindjes meriton përgëzimet dhe vlerësimet për qytetarinë, tolerancën dhe qetësinë në zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara me të cilat është përballur gjatë  njëvjeçarit të parë”,- pohoi Prof Servet Pëllumbi për “Telegraf”.

 Ambasada e SHBA-ve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka uruar Shqipërinë për marrjen e statusit kandidat, me një dedikim të veçantë dhe të këndshëm në faqen zyrtare në Facebook. “Sot, Këshilli i Ministrave të Jashtëm vendosi t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian. Urime nga miqtë tuaj amerikanë për këtë hap të rëndësishëm përpara!”, theksohet në postimin e Ambasadës Amerikane.