Statusi, Arvizu: “Shqipëria e fundit në rajon, për shkak të politikës”

431
Sigal

Ambasadori amerikan u bën thirrje që qytetarët të largojnë zyrtarët e korruptuar nga pushteti

Politika është përgjegjëse që Shqipëria ka mbetur e fundit në rajon’. Kështu ka deklaruar nga Elbasani, kreu i prezencës së SHBA-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, i cili ka bërë me përgjegjës klasën politike për progresin e ngadaltë të Shqipërisë në procesin e integrimit. Në kuadër të lëvizjes ‘Act now’ (Vepro tani!), ambasadori amerikan nga qyteti i Elbasanit, ka bërë thirrje që qytetarët ‘të veprojnë tani’, në mënyrë që të largojnë zyrtarët e korruptuar nga pushteti. “Shqipëria nuk po performon aq sa duhet, ka shumë debate për marrjen e statusit. Nuk ka arsye përse Shqipëria të mos renditet përkrah vendeve të tjera të rajonit. Politika është përgjegjëse që Shqipëria ka mbetur e fundit në rajon. Politikanët merren më shumë me fushatë sesa me problemet e qytetarëve”,- deklaroi Arvizu. Ambasadori i SHBA në Tiranë,  ishte të martën në qytetin e Elbasanit në aktivitetin “Vepro Tani”, organizuar nga kjo ambasadë, e cila fokusohet në forcimin e parimeve demokratike, duke angazhuar qytetarët elbasanas në projekte me 4 çështje kryesore: Shëndet, Arsim, Mjedis, Qeverisje. Duke u ndalur tek katër çështjet e këtij aktiviteti, Arvizu foli për problemet në arsim, shëndetësi, mjedis si edhe për një qeverisje të mirë. “Qëllimi im këtu nuk është që të kritikoj qeverinë, qoftë në nivel qendror dhe vendor. Për të qenë të sinqertë performanca e tyre duhet të jetë më e mirë. Kjo është puna juaj, që kur të vijë koha e zgjedhjeve të vendosni se kush do t’i shërbejë më mirë interesit tuaj. Por koncepti “Vepro tani” tematikë qendrore, thelbi, esenca e saj, është që ju përket ju që të insistoni dhe të kërkoni që drejtuesit tuaj t’u përgjigjen nevojave tuaja”, tha ambasadori i SHBA.