Standarte të dyfishta në gjykatë dhe KQZ/ Partia e Patozit regjistrohet brenda 5 orëve, Prof. Kume: Ligji e ndalon gjykatën të japë vendimin brenda ditës

167

Eksperti çështjet zgjedhore, Prof. Kristaq Kume: Gjykata nuk e regjistron dot partinë brenda një dite

ÇUDIA: Partia e Patozit regjistrohet nga Gjykata  dhe në KQZ brenda pesë orësh

Partia më e re në Shqipëri, Bindja Demokratike pas regjistrimit zyrtarisht në gjykatë, ka çuar kërkesën dhe për regjistrimin në KQZ për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Partia e sapokrijuar e Astrit Patozit u miratua dhe regjistrua në regjistrin e partive nga Gjykata e Tiranës brenda më pak se pesë orëve, nga paraqitja e kërkesës në gjykatë. Pa asnjë dyshim, është rekord botëror në legalizimin dhe regjistrimin e një partie të sapokrijuar.

Gjykata në shërbim të partisë

Kjo procedurë jashtëzakonisht e shpejtë dëshmon se gjykata ka qenë në shërbim të Zotit Patozi për të ligjëruar partinë e tij, pa zbatuar procedurat dhe standardet ligjor. Krijimi dhe veprimtaria e partive politike rregullohen nga Ligji për Partitë Politike, i cili përcakton disa kushte që duhen plotësuar dhe verifikuar nga gjykata për të regjistruar një parti. Për regjistrim duhen paraqitur në Gjykatën e Tiranës kërkesa për regjistrim, e cila duhet firmosur nga të paktën tre mijë individë, anëtarë themelues të partisë; statuti i miratuar i partisë; dhe kryetari i partisë, i cili është përfaqësuesi ligjor i saj. Ndërkohë, dokumentacioni duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor, i cili përveçse verifikimit të përmbushjes së kushteve të mësipërme, duhet gjithashtu të verifikojë nëse statuti dhe dokumentet e tjera të partisë janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Kushtetuta e Shqipërisë, Neni 9/2, ndalon e krijimin e partive të cilat “mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë”. Në zbërthim të Kushtetutës, Ligji për Partitë Politike, Neni 7, zbërthen në detaje rastet kur nuk mund të krijohen partitë politike, përfshi ato kur funksionimi i saj bie ndesh me parimet demokratike dhe shtetin e së drejtës.

Hetimet e Gjykatës për vërtetësinë e dokumentacionit të partisë

Në zbatim të Kushtetutës dhe të ligjit, pas dorëzimit të kërkesës nga personat e interesuar për të krijuar një parti, Gjykata duhet të shqyrtojë, formalisht dhe në thelb, përmbajtjen e statutit dhe të dokumenteve të tjerë të propozimit, brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës. Pjesë e shqyrtimit gjuhësor duhet të jetë edhe verifikimi i ekzistencës dhe origjinalitetit të firmave të 3 mijë anëtarëve themelues. Ligji përcakton se për çdo anëtar themelues duhet të tregohen emri, mbiemri, numri personal i identifikimit, vendbanimi. Nëse Gjykata ka dyshime në lidhje me ekzistencën ose saktësinë e të dhënave të anëtarëve themelues, ajo i lë partisë afat 20 ditor për të plotësuar apo saktësuar të dhënat. Është e qartë se shqyrtimi gjyqësor kërkon kohë të konsiderueshme, ndaj edhe ligji i jep gjykatës 30 ditë të verifikojë të dhënat dhe të japë vendim për regjistrim të partisë politike.

Shkeljet e Ligjit për partinë e Patozit

Por në rastin e Zotit Patozi është zhvilluar një procedurë rrufe. Kërkesa për regjistrim është paraqitur dje paradite në Gjykatën e Tiranës dhe në mesditë çdo gjë ka qenë e përfunduar. Le të supozojmë se kërkesa është paraqitur që në orën 08:00 të mëngjesit, ora kur hapet administrata e gjykatës, dhe le të supozojmë se regjistrimi ka përfunduar në orën 13:00, kur Zoti Patozi ka bëri publik faktin e një posti në Facebook se partia e tij ishte regjistruar (ekziston mundësia që, në të vërtetë, kërkesa mund të jetë çuar më vonë se ora 08:00 dhe regjistrimi të jetë kryer më parë se ora 13:00. Kjo do të thotë se regjistrimi i partisë është bërë brenda pesë orëve.

Veprimet që kanë ndodhur brenda këtyre pesë orëve ose, së paku, duhet të kishin ndodhur sipas ligjit

– Kërkesa është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës dhe më pas është protokolluar në zyrën e protokollit;

– Zyra e protokollit ia ka dërguar kërkesën Kryetarit të Gjykatës së Tiranës;

– Kryetari i Gjykatës ka hedhur shortin për të përzgjedhur gjyqtarin që do të shqyrtojë dhe vendosë për regjistrimin e partisë;

– Në varësi të kalendarit të çështjeve të gjyqtarit është përcaktuar data e shqyrtimit, që do të thotë se ka pasur një gjyqtar që jo vetëm ka qenë i lirë sot, por e ka konsideruar prioritet të menjëhershëm këtë çështje;

– Dosja e kërkesës i është kaluar gjyqtarit të përzgjedhur dhe të gatshëm;

– Gjyqtari ka bërë të gjitha verifikimet formale dhe në thelb, të sqaruara më sipër;

– Gjyqtari ka hartuar dhe firmosur vendimin;

– Vendimi ka shkuar për t’u vulosur dhe protokolluar në zyrën e protokollit;

– Vendimi është botuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Tiranës. Sekretaria gjyqësore ka njoftuar palët për vendimin nëpërmjet ftuesit gjyqësor ose nëpërmjet rrugës elektronike.

– Pala është paraqitur në gjykatë ka kërkuar në sekretari dhe ka marrë një kopje të vendimit. Është përtej çdo dyshimi se asnjë nga këto veprime, e aq më pak të gjitha, nuk do të ndodhnin dot brenda ditës e jo më brenda pak orëve, nëse Gjykata e Tiranës, administrata e saj, kryetari i gjykatës dhe gjykatësi i çështjes nuk do të ishin në dispozicion të Zotit Patozi. Përtej kësaj, nuk ka asnjë mundësi praktike që gjykatësi të ketë kryer edhe shqyrtimin më minimal ligjor të dokumenteve, prandaj mund të besohet se ai e ka nxjerrë menjëherë vendimin e regjistrimit. Çdo qytetar që ka pasur sado pak punë me gjykatat mund të kuptojë fare mirë pamundësinë e kësaj procedure skajshmërisht të shpejtë dhe përtej edhe çdo lloj pritshmërie teorike ligjore.

Cili zyrtar i lartë ka ndikuar në gjykatë për partinë e Patozit?

Kjo lloj gatishmërie e të gjitha hallkave të Gjykatës Tiranë nuk mund të ishte e mundur pa një ndërhyrje nga nivelet më të larta të politikës. Se kush politikan i lartë i vendit ka qenë i interesuar që Zoti Patozi të pajisej me një parti – për të mundësuar regjistrimin në KQZ brenda të njëjtës ditë, që është afati i fundit për regjistrimin për zgjedhje – kjo mund të hamendësohet nga kushdo. Në fund, vlen të theksohet edhe një fakt tjetër, jo pak i rëndësishëm. Partia Bindja Demokratike ka kryetar, i cili është regjistruar si i tillë në Gjykatë-madje edhe në KQZ, nëse partia është regjistruar dje për zgjedhjet lokale. Asnjë parti nuk mund të regjistrohet pa deklaruar kryetarin në gjykatë dhe Bindja Demokratike nuk mund të jetë përjashtim-nëse është, regjistrimi i saj është i paligjshëm. Prandaj, pretendimi publik i Zotit Patozi se partia e tij nuk ka kryetar, me shumë gjasa, është i pavërtetë, dhe, për rrjedhojë, duket se pohimi i parë publik i kësaj partie të re është i gënjeshtërt. Bindja Demokratike, e kryesuar nga Astrit Patozi, u regjistrua dje në Gjykatën Administrative si parti politike. Po ashtu ajo u regjistrua në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

Prof. Dr, Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së: Gjykata nuk mundet të regjistrojë partinë brenda një dite

Gjykata sot ka pranuar kërkesën. Ligji “Për partitë politike” parashikon, që gjykata brenda 30 ditëve të shqyrtojë të gjithë dokumentacionin e paraqitur për të regjistruar partinë politike. Mirëpo, brenda ditës nuk mundet dot gjykata të japë vendim të zbardhur, për regjistrimin e partisë politike. Nga ana tjetër, ligji parashikon edhe një periudhë 15 ditore për të drejtën e animimit, për regjistrimin e partisë politike dhe në këtë ndërkohë, nuk mund të jepet vendimi i regjistrimit të partisë nga gjykata. Tani, nëse partia politike çon në KQZ dokumentacionin për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore, por me dokumentacion jo të plotë, për shembull, jo me vendim të zbardhur të gjykatës të regjistrimit të saj, kjo, paskëtaj, është kompetencë e KQZ-së, që të vendosë, nëse duhet ta regjistrojë partinë politike si subjekt zgjedhor në zgjedhjet vendore. Kodi Zgjedhor nuk e ka të përcaktuar që, nëse një subjekt zgjedhor apo parti zgjedhore çon dokumente jo të plota për t’u regjistruar në zgjedhje dhe ato t’i plotësojë më vonë, përtej datës së fundit të regjistrimit në zgjedhje. Por, meqë kemi një precedentë, vendimin e KQZ për regjistrimin e partive politike në zgjedhje njëkohësisht me regjistrimin e kandidatëve në zgjedhje, siç ndodhi në 2017-n, atëherë, mbi bazën e atij vendimi, edhe sot KQZ-ja mund të kërkojë dokumentet plotësuese partisë së re ta regjistrojë në zgjedhje deri në datën kur është edhe regjistrimi i kandidatëve për kryebashkiakë dhe këshilltarë bashkiakë.