“Spiunët” në administratë, Komisioni i Ligjeve miraton draftin

401
Komisioni i Ligjeve dërgon për votim në seancë plenare ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve, që parashikon mbrojtje për punonjësit që spiunojnë shefat e korruptuar, qoftë në shtet apo privat. Komisioni ka votuar edhe projektligjin e sjellë nga Qeveria për të mos lejuar edhe për 5 vjet të tjera gjuetinë në vend. Komisioni i Ligjeve ka miratuar me vetëm një votë abstenim të deputetit Arben Ristani projektligjin për sinjalizuesit, që parashikon mbrojtje për punonjësit që spiunojnë shefat e korruptuar qoftë në shtet apo privat. Ligji, u rishikua edhe nga ekspertë të BE dhe do të zbatohet në zyrat shtetërore nga 1 tetori i këtij vitit dhe në bizneset private nga korriku i vitit të ardhshëm.

 Është ILDKPKI-ja heton drejtpërdrejt sinjalizimin për veprimet apo praktikat e dyshuara të korrupsionit në organizata, të cilat nuk kanë një njësi përgjegjëse për këtë qëllim. Ndaj, Kuvendit iu kërkua që t’i adresohet Qeverisë për buxhet shtesë për ILDKPI. Deputetja socialiste Vasilika Hysi tha se do të duhet që në kuadër të rishikimit të buxhetit, ose ti adresoni ju një letër Këshillit të Ministrave që të parashikojnë urgjentisht fondin e mjaftueshëm financiar dhe burimet njerëzore për Inspektoriatin, për ILDKPI. Ndërsa Erisa Proko theksoi se paraprakisht kemi një miratim nga Ministria e Financave për efektet që shoqërojnë këtë projektligj, gjithsesi do të duhet edhe nga ana e parlamentit një lloj angazhimi për miratimin e buxhetit të rishikuar të ILDKPI-së. Sipas draftit ligjor, në çdo institucion do të ngrihet një departament i veçantë për “spiunimin”. Po ashtu, sipas parashikimeve ligjore, edhe kompanitë private kanë detyrimin ligjor të ngrenë një strukturë të posaçme për të pritur denoncimet e punonjësve të tyre, të cilëve në çdo rast duhet t’u ruhet anonimati, madje dhe të shpërblehen me një pjesë të vlerës së gjobës apo fondeve që do të përfitohen nga ky denoncim. Ligji në fjalë është diskutuar pak kohë më parë edhe në Komisionin e Sigurisë Kombëtare ku është miratuar, megjithëse të paktën dy deputetë të mazhorancës, Pjerin Ndreu dhe Paulin Sterkaj, kanë shprehur kontestime. Sipas tyre, drafti i lë shteg spiunëve dezinformues që të inkriminojnë dhe njerëz të ndershëm. Madje sipas Pjerin Ndreut shumë prej këtyre spiunëve, po drejtojnë dhe shtetin. 

Paulin Sterkaj u shpreh se ky ligj mund të bëhet shkak për dëmtimin e grupimeve të ndryshme të biznesit. “A thua është më mirë me thirr ndërgjegjen publike që njerëzit që shohin fenomene negative e korruptive duke filluar nga drejtues dhe vartës se sa t’i stimulojmë me ligj dhe të krijojmë ca nukle, që realisht unë me bindjen time personale si deputet mendoj se s’ka për të funksionuar në nivelin e duhur në kohën e duhur,” tha Sterkaj. Ndërsa për deputetin Pjerin Ndreu një ligj i tillë do të shkaktonte kolaps në sistemin e drejtësisë. “Prandaj si realizuesit e gabuar dhe të rremë duhen të parashikohen aty në një nen të merret masa për ta. Duhet të mbyllen hapësirat e njerëzve që disinformojnë, që mbajnë vendin e punës me spiunllëqe të rreme, disinformacione, me intriga sepse intrigantët, disinformuesit, spiunët, servilët janë të parët e vendit në Shqipëri pastaj vijnë të tjerët. Kjo është e konfirmuar. Shteti shqiptar është shteti i servilëve, i disinformuesve, i hajdutëve që kanë marr frenat dhe kanë nxjerr tym dhe s’len kënd pa bërë me baltë dhe vetë dalin si të larët,” shprehet Ndreu.
Sigal