Spiunët e korrupsionit, ILDKPI gati për nisjen e punës, ja si do të funksionojë

754
Atë që qeveria nuk ka mundur dot ta realizojë përmes institucioneve shtetërore, po kërkon ta bëjë përmes rikthimit të spiunëve. A do të zhduket korrupsioni?
Qeveria Rama që prej ardhjes së saj në pushtet në vitin 2013 një nga prioritetet kryesore kishte zhdukjen e korrupsionit në radhët e institucioneve shtetërore dhe ato private. Marrja e ryshfetit nga punëdhënësit për një vend punë, favorizime të kategorive të ndryshme, si dhe fshehja e të dhënave sekrete në institucione të rëndësisë së veçantë, kanë qenë disa nga synimet kryesore të qeverisë për të mos u lejuar. Por mënyra se si kjo gjë mund të realizohet ka hasur në shumë diskutime. Në fund të vitit 2016, qeveria miratoi ligjin për sinjalizimin, ndryshe e quajtur struktura e “spiunazhit”. Për të kontrolluar këtë strukturë e cila do të shtrijë tentakulat e saj si në institucionet shtetërore dhe në ato private, është ngarkuar ILDKPI. Në bazë të ligjit për sinjalizimin preken nga spiunët të gjitha institucionet publike, që kanë mbi 80 të punësuar dhe bizneset, që kanë mbi 100 punonjës. Këto institucione në bazë të ligjit janë të detyruara të ngrenë strukturat e brendshme të cilat do të kontrollohen më pas nga ILDKPI. Kjo e fundit mësohet se ka arritur të hartojë të gjithë aktet nënligjore që do të mundësojnë marrjen, verifikimin dhe ruajtjen e sinjalizuesve nga çdo lloj shantazhi apo hakmarrje. Personat që do të përzgjidhen për të spiunuar kolegët apo edhe drejtuesit e tyre, duhet të dorëzojnë në ILDKPI të gjitha gjeneralitetet, ndërkohë që mësohet se ky institucion do të mbajë gjithçka të fshehtë. Ligji për sinjalizuesit është huazuar nga një udhërrëfyes i hartuar nga Koalicioni i Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve,. Ky ligj i miratuar në tetor të vitit ta kaluar zbulon edhe mënyrën se si do të funksionojë marrëdhënia nga sinjalizuesit dhe deri te verifikimi i informacionit. Rastet që do të sinjalizohen do të lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës. Ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose marrjen e vendimeve apo shpërdorimin e të ardhurave të buxhetit. Sinjalizuesit do të jenë punonjës të institucionit publik, por edhe atij privat dhe do të paguhen nga këta të fundit dhe gëzojnë status dhe mbrojtje të veçantë me ligj. Ligji për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesit është i zbatueshëm, qoftë në sektorin publik, ose privat. Akte korruptive, të cilat dëmtojnë interesin publik, mund të kryhen si në sektorin publik ashtu edhe atë privat. Në ligj është e përcaktuar gjithashtu edhe vendi se ku mund të bëhet sinjalizimi. Sipas tij, sinjalizimi ose spiunazhi mund të bëhet brenda njësisë përgjegjëse të sektorit përkatës, por edhe pranë ILDKPI direkt. Po kështu thuhet se 

nuk përjashtohet që të sinjalizohet për një akt korrupsioni të një institucioni publik apo ndërmarrjeje private të ndryshme nga ajo në të cilën spiuni është i punësuar. Sinjalizimi mund të bëhet me shkrim ose më gojë. Por ka edhe forma të tjera të cilat do të përdoren dhe ato janë me telefon ose edhe me email. Ndërkohë që për çdo rast është e parashikuar që të bëhen verifikimet përkatëse nga sektori përgjegjës. Në thelb, sinjalizimi është e njëjta gjë si dhënia e informatave mbi një akt korruptim një punonjësi policie apo dhe gazetari. Megjithatë, ka një dallim ndërmjet të dyjave. Nëse do të bëni një sinjalizim sipas ligjit, njësia përgjegjëse ku keni kryer sinjalizimin, ka për detyrë që të përfundojë një hetim administrativ të sinjalizimit sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 60 ditë nga data e fillimit të hetimit. Ndryshe nëse e raportoni në polici, nuk është e detyrueshme që policia të veprojë mbi informacionin e dhënë. Në raportimin e një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni, sinjalizuesi duhet të ketë motive të pastra dhe të ndershme dhe arsye për të besuar se informacioni i raportuar është i vërtetë.

Në rast se nga shqyrtimi paraprak i sinjalizimit, njësia përgjegjëse ose ILDKPI konkludojnë se sinjalizuesi nuk ka vepruar në kushtet e mirëbesimit, apo se sinjalizimi nuk është depozituar sipas procedurës së kërkuar, atëherë vendosin për mosfillimin e hetimit administrativ. Ky vendim nuk sjell pasojë për sinjalizuesin. Një sinjalizues mund të paditet nëse sinjalizimi përmban informacionin të klasifikuar dhe sinjalizuesi është përgjegjës për zbulimin e sekretit. Po kështu, sinjalizuesi mund të rrezikojë të paditet nga i sinjalizuari, nëse sinjalizimi është kryer në mënyrë abuzive ose shpifëse. Sipas ligjit, nënshkrimi i çdo akt-marrëveshjeje, që përjashtohen ose kufizohen të drejtat dhe mbrojtjen e sinjalizuesit, është i pavlefshëm. Të drejtat e sinjalizuesit kanë epërsi ndaj marrëveshjeve të konfidencialitetit ndërmjet punëdhënësit dhe punë- marrësve.

Por punëdhënësi ka edhe përgjegjësi. Ligji kërkon nga punëdhënësi që të krijojë një mjedis të hapur, transparent dhe të sigurt, ku punonjësit të ndihen të motivuar dhe të sigurt për të sinjalizuar, nëse konstatojnë akte korruptive. Për të lehtësuar sinjalizimin, ligji parashikon që institucionet publike dhe ndërmarrjet private të miratojnë rregullore të brendshme të posaçme për procedurën e shqyrtimit të hetimit administrativ të sinjalizimit dhe mekanizmat e mbrojtjes së konfidencialitetit. Institucionet e Sigurisë së lartë, të cilat qarkullojnë informacione të klasifikuara apo sekrete, nuk do të jenë të përjashtuara nga detyrimi ligjor për të pasur sinjalizues brenda tyre. Sipas ligjit për sinjalizuesit, këto institucione nuk janë të përjashtuara nga risku i akteve korruptive të mundshme, ndaj parashikon edhe detyrimin për të pasur sinjalizues edhe brenda institucioneve të Sigurisë së Lartë. Ligji parashikon edhe mënyrën sipas të cilës do të mbrohet informacioni sekret.
Sigal