Spiunët dhe sigurimsat që digjen në 2013-n

579
Sigal

 “Kartelat e kuqe” për deputetët në zgjedhjet e 2013-s

 Seanca plenare e ditës së enjte në parlamentin shqiptar tregoi se politika shqiptare megjithëse ka kaluar mbi 20 vjet është ende emocionale dhe vazhdon të jetë e mbërthyer nga prangat e së kaluarës. Mjafton të kujtojmë polemikën midis Kryetares Topalli dhe deputetit socialist Ditmir Bushati, për të ardhur në vete dhe për të parandier rrebeshin që po afron. Dhe “rrebeshi” në këtë rast ka ta bëjë me hapjen e dosjeve për një pjesë të deputetëve që pretendohet se kanë qenë të lidhur me sigurimin e shtetit komunist. Zonja Topalli i tha anës së majtë të parlamentit se në 2013-n nuk do të jenë më deputetë… As më shumë e as më pak, ky kërcënim nënkupton hapjen e dosjeve sekrete dhe nxjerrjen jashtë politikës të një numri politikanësh të dyshuar si spiunë. Ky avaz, në të vërtetë ka më shumë se 20 vjet që dëgjohet. Dhe dëgjohet sa herë vijnë fushatat elektorale. A do të funksionojë më në fund, pas 22 vjetësh ligji dhe drejtësia në këtë aspekt? Vështirë të besohet, pasi ne jemi i vetmi vend në krejt ish-Europën Lindore ku nuk janë hapur dosjet dhe nuk është bërë ndarja përfundimtare me të kaluarën. Dosjet gjithnjë janë përdorur si shantazh dhe çomange për kundërshtarin politik dhe për individë të veçantë që duket se janë të papëlqyer për pjesën tjetër. Sidoqoftë, ne tani po përjetojmë këtë situatë dhe presim që gjakrat e politikanëve të rindizen dhe nga foltorja e parlamentit presim të dëgjojmë pseudonime të kohës së diktaturës, sulme me sharje dhe fyerje të ndërsjellta etj., etj. Sepse, tradita kanunore vazhdon të mbizotërojë skenën e politikës dhe se me qëndrimet e tyre politikanët janë kthyer në “artistë” në disa raste dhe në “kllounë”  në disa të tjera. Sa herë që afrohen zgjedhjet politikanët, dalin nga guaska ku fshihen  për 4 vjet dhe me të gjitha mënyrat dhe metodat kërkojnë të rimarin rolin e protagonistit, të interesohen për “hallet” e elektoratit dhe sapo të mbarojnë zgjedhjet i kthehen punëve të tyre private dhe qefeve duke fluturuar në çdo cep të botës. Sharjet, fyerjet personale dhe familjare të deputetëve  tregojnë se mes shumicës së të zgjedhurve ekzistojnë historira të së kaluarës, nga e cila politika shqiptare nuk po shkëputet dot. Kjo e kaluar, direkt apo indirekt  mban peng politikanët, pushtetin legjislativ dhe atë administrativ. Po mban peng në fund të fundit integrimin evropian të Shqipërisë. Pa mëdyshje, shqiptarët janë dakord që të hapen dosjet dhe politika jonë të pastrohet njëherë e mirë nga njollat e së kaluarës dhe të shikojë nga e ardhmja. Në këtë kuadër ligji për pastëritinë  e  figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve duhet të shtrihet jo vetëm në të emëruarit dhe të zgjedhurit e administratës publike, por edhe në të gjitha kandidaturat që do të kandidojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 23 Qershorit 2013. Pas ligjit për heqjen e imunitetit për politikanët dhe njerzit e drejtësisë ky është pa dyshim ligji që duhet të shërbejë si një ndalesë e fuqishme për këdo që preket nga kriteret ligjore.

 Qëllimi i ligjit

 Ky ligj ka për qëllim të kontrollojë pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar për periudhën 24.10.1944 deri në 31.03.1991 lidhur me pjesëmarrjen e tij në strukturat  politikëbërëse dhe zbatuese të diktaturës së proletariatit, si dhe  drejtues apo punonjës operativ (legal apo ilegal), apo  bashkëpunëtor sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, deri më 02.07.1991 kur u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar.

 Ligji ka për qëllim të rregullojë ruajtjen, përpunimin, administrimin dhe përdorimin e të dhënave të arkivave të ish-Sigurimit të Shtetit në mënyrë që :

    1. a.      të garantojë aksesin individual në të dhënat personale të cilat Shërbimi i Sigurimi i Shtetit mblidhte e arkivonte  për personin, për të njohur qëndrimin e gjykimin për  personin dhe pasojat.
    2. b.      të sigurojë mbrojtjen e individit nga dëmtimi i të drejtës për privatësi të shkaktuar nga përdorimi i të dhënave personale të ruajtura;
    3. c.       të sigurohet  njohja e plotë e veprimtarisë së organeve të diktaturës së proletariatit dhe Partisë së Punës në këto drejtime;
    4. d.      ti jepet mundësi institucioneve publike si dhe dhe privatëve për të marr informacionin e kërkuar për të arritur qëllimet e përcaktuara në këtë ligj.

3. Ky akt do të jetë i zbatueshëm për të dhënat e arkivave, të cilat mund të gjenden në posedim të institucioneve publike të shtetit shqiptar, të individëve privatë, apo të organeve të tjera private.

 Neni 2

Objekti i ligjit

 Objekti i këtij ligji është përcaktimi i funksioneve shtetërore, mbajtja e të cilave është e papajtueshme, për arsye të veprimtarisë së funksionarit në të kaluarën e tij, për shkak të qenies anëtar, drejtues apo bashkëpunëtor në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit apo të ish-Sigurimit të Shtetit.

Papajtueshmëria e funksioneve përcaktohet sipas kritereve dhe procedurave të këtij ligji.

Brenda tre muajve nga krijimi, Autoriteti duhet të informojë publikun për gjendjen e materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, ruajtjen e dokumenteve, dëmtimet eventuale, shkaqet dhe përgjegjësitë.

Brenda një viti nga krijimi i Autoritetit, krijohet Arkiva Qendrore e ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme në varësi të Këshillit të Ministrave ku grumbullohet gjithë dokumentacioni që sot është i shpërndarë. Ky arkiv me mbarimin e afateve të veprimit të këtij ligji dorëzohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

 Neni 3

Subjektet e verifikimit

 Subjekte të verifikimit sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme:

 a)      Presidenti i Republikës së Shqipërisë

b)      Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë;

c)      Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore;

d)     Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive;

e)      Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën c;

f)       Guvernatorë, zëvendës-guvernatorë, anëtarët e Këshillit drejtues dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;

g)      Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”;

h)      Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;

i)        Drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku dhe prefekture;

j)        Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake;

k)      Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin i Kontrollit te Brendëshëm (SHKB);

l)        Funksionarë në Gardën e Republikës;

m)    Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati;

n)      Ambasadorë, këshilltarë e sekretarë në përfaqësitë tona diplomatike;

  • o)      Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qëndror apo lokal të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit;

p)      Drejtues, kryeredaktorë të mediave audio-vizive, si dhe te mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 1000 kopje në ditë;

q)      Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Radios, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar; drejtori, zëvendësdrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe anëtarët e KKRT dhe  këshillave drejtues të mediave publike;

r)       Rektorë, zv/rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore publike dhe private si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike dhe private.

s)       Përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare.

t)       Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë apo i zgjedhur nga Kuvendi

 Papajtueshmëria e funksioneve

 Pastërtia e figurës morale të funksionarit, të përcaktuar në Nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 24.10.1944 deri 31.3.1991 të një prej detyrave të mëposhtme:

 a)      Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar ose kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, kryetar ose zv. kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit;

b)      Anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 Marsit 1991.

c)      Zv. Ministër i Punëve të Brendshme, oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit si dhe kryetar dege; punonjës operativ (legal apo ilegal), bashkëpunëtor sekret  i organeve të Sigurimit të Shtetit ose që ka bashkëpunuar në çdo mënyrë tjetër me Sigurimin e Shtetit, deri më 2.07.1991 kur krijohet SH.I.K.

d)     Ambasador, sekretar ambasade dhe këshilltar në përfaqësitë diplomatike shqiptare.

e)      Bashkëpunëtor si dhe agjent në shërbim të shërbimeve të huaja;

f)       Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve;

g)      Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtar në procese politike speciale;

h)      Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset politike.

 Në Shqipëri, me synim pastrimin e politikës nga ngarkesat negative të së kaluarës, në vitet e para të demokracisë ka ekzistuar një ligj për pastërtinë e figurave, i cili përcaktonte se kush lejohet të marrë pjesë në administratën e lartë shtetërore si dhe kush lejohet të kandidojë për deputetë apo funksione të larta si në drejtësi. Kemi parasysh këtu Komisionin Mezini apo Bezhani. Njëri u ngrit në vitin 1992 dhe tjetri në vitin 1997, por duhet thënë se efektiviteti i tyre ishte i ulët dhe nuk sollën ndonjë rezultat, pasi u (keq)përdoren si nga PD-ja edhe nga PS-ja për presione politike dhe nënshtrim të individëve të caktuar, funksionarëve, ish-gjyqtarëve, deputetëve, shkrimtarëve dhe shumë e shumë të tjerë. Në këtë linjë po kërkohet edhe tani të ngrihet një komision tjetër që t’u nxjerrë “kartela të kuqe” politikanëve dhe deputetëve të padëshiruar.

  AUTORITETI I KONTROLLIT TË FIGURAVE

 Neni 5

Statusi dhe Përbërja e Autoritetit

 Për zbatimin e këtij ligji, krijohet   Autoriteti i Kontrollit të Figurës (AKF),  i

cili organizohet dhe funksionon si autoritet i pavarur.

Autoriteti është organ i përhershëm mbikëqyrje dhe kontrolli i pastërtisë së figurave të funksionarëve.

Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen si vijon:

a)      Presidenti i Republikës;

b)      Këshilli i Ministrave;

c)      Avokati i Popullit;

d)     Grupi parlamentar më i madh i mazhorancës;

e)      Grupi parlamentar më i madh i opozitës.

                                                                  Neni 6

Kushtet për t’u zgjedhur anëtar i Autoritetit

 Anëtari i Autoritetit të Kontrollit të Figurës së funksionarit duhet të plotësojë këto kushte:

a)      të jetë shtetas shqiptar

b)      të ketë arsimin e lartë ,

c)      të ketë vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet në administratën publike dhe moshë mbi 35 vjeç

d)     të mos jetë i dënuar për vepra penale;

e)      të mos jetë larguar nga puna ose nga shërbimi civil me masë disiplinore.

f)       të ketë figurë të pastër sipas kritereve të këtij ligji.