Spiunët dhe banditët, gati për mandatin e deputetit

686
Sigal

Flasin: Fatos Klosi, Fehmi Avdiu dhe Nard Ndoka: Ja ç’po ndodh me ligjin e verifikimit të figurave

 Për zgjedhjet e qershorit duket se spiunët, hajdutët dhe njerëzit e korruptuar po përgatiten të ngjisin shkallët e Parlamentit shqiptar. Madje, këtë radhë nëpërmjet votës që populli do t’i bëjë listave partiake të kandidatëve. Kjo do të ndodh pasi Shqipëria gjendet krejtësisht e zbuluar ndaj uzurpimeve të bandave të hajdutëve dhe ish-sigurimsave, duke përfshirë këtu edhe ish- agjentët që i shërbyen agjenturave të huaja, kundër interesave tona kombëtare.

Dy rrëzime

Gjatë këtyre viteve Parlamenti shqiptar ka dërguar dy herë projektligjin,a po ligjin përkatës për lustracionin dhe verifikimin e figurës së deputetëve, por në të dy rastet Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar ata. Objekti i ligjit të fundit që u rrëzua në këtë gjykatë, ishte  verifikimi i figurave të zyrtarëve në disa detyra të larta ku përfshiheshin edhe deputetët. Në nenin 2 të këtij ligji thuhej se:  “Objekti i këtij ligji është përcaktimi i funksioneve shtetërore, mbajtja e të cilave është e papajtueshme, për arsye të veprimtarisë së funksionarit në të kaluarën e tij, për shkak të qenies anëtar, drejtues apo bashkëpunëtor në strukturat politikbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit apo të ish-Sigurimit të Shtetit”. Në këtë ligji flitej edhe për krijimin e Autoritetit që do merrej me kontrollin e tyre. Aty nënvizohej gjithashtu se: “brenda një viti nga krijimi i Autoritetit, krijohet Arkiva Qendrore e ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme në varësi të Këshillit të Ministrave, ku grumbullohet gjithë dokumentacioni që sot është i shpërndarë. Ky arkiv me mbarimin e afateve të veprimit të këtij ligji dorëzohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave”. Gjithashtu ndër subjektet që duheshin verifikuar ndodheshin, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore; Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive; Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme,  e shumë të tjerë.

 Kush përjashtohej nga kandidimi

Nga ligji  i pezulluar përjashtoheshin ata persona që kanë punuar në strukturat e larta të shtetit komunist deri në vitit 1991. Pastërtia e figurës morale të funksionarit, të përcaktuar në Nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 24.10.1944 deri 31.3.1991 të një prej detyrave të mëposhtme: Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar ose kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, kryetar ose zv/kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit; anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 Marsit 1991. Zv/m inistër i Punëve të Brendshme, oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit si dhe kryetar dege; punonjës operativ (legal apo ilegal), bashkëpunëtor sekret  i organeve të Sigurimit të Shtetit ose që ka bashkëpunuar në çdo mënyrë tjetër me Sigurimin e Shtetit, deri më 2.07.1991 kur krijohet SHIK. Ambasador, sekretar ambasade dhe këshilltar në përfaqësitë diplomatike shqiptare. Bashkëpunëtor si dhe agjent në shërbim të shërbimeve të huaja; anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtar në procese politike speciale; Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset politike.

Zgjedhjet e qershorit

Tani kushdo është i lirë të kandidojë dhe nëse fiton, ai bëhet deputet i Parlamentit shqiptar. Kjo ndodh sepse asnjë autoritet, apo komision ligjor nuk lejohet të verifikojë figurën e tij, qoftë edhe atëherë kur kandidati është publikisht i njohur për precedentë të tillë. Pra, edhe në rastet kur kandidati njihet prej të gjithëve si spiun, agjent i agjenturave të huaja, hajdut, keqbërës, etj, përsëri atë nuk ka se kush e ndalon drejt hierarkisë politike. Sepse ligji është jashtë funksionit dhe askush nuk ka ndërmend të ndërmarrë ndonjë iniciativë tjetër.

  Reagojnë specialistët dhe politikanët

 Nard Ndoka: Pastrimi i figurave detyrë morale e politikës 

Kreu i PDK, Ndoka, i cili tashmë është në koalicion me partinë në pushtet, u shpreh se mosmarrëveshjet politike po mbajnë peng hapjen e dosjeve. “Normalisht është diskutuar disa herë në Parlament me frymën e konsensusit. Pastrimi i figurave politike nga e kaluara është detyrë morale e politikës shqiptare. Ka pasur përplasje mes dy forcave politike. Është abuzuar shumë me këtë realitet se sa ka qenë një marrëveshje”, deklaroi Ndoka. Nga ana e vet, Nard Ndoka është njëkohësisht edhe bashkëhartuesi i një ligji për kontrollin e figurave të deputetëve, duke përjashtuar kështu ish bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.

  Fehmi Avdiu: Ligji u rrëzua dy herë

Ligji për kontrollin dhe verifikimin e figurave është rrëzuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese dhe aktualisht, vendi ynë nuk ka asnjë ligj të tillë. Kështu u shpreh dje, ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”, ish -kreu i Gjykatës së Lartë, Fehmi Avdiu, i cili vuri në dukje, se tani nuk ekziston asnjë kontroll ndaj personave që vihen në listat e dy koalicioneve kryesore. “Tani askush nuk ka pengesa ligjore për t’u zgjedhur si deputet, sepse ende nuk është miratuar një ligj, që të verifikojë figurat dhe bëmat e tyre të mëparshme”, tha Abdiu. Nga ana tjetër i pyetur nëse duhet një ligj i tillë për parlamentin shqiptar, ai u shpreh: Këtë e dinë politikanët, ndërsa unë ju sqaroj vetëm për faktin se ky ligj nuk ekziston:.

 Fatos Klosi Të verifikohen vetëm hajdutët, jo spiunët

Ligji për verifikimin e figurave të deputetëve është inekzistent dhe për mendimit tim, një ligj i tillë është i panevojshëm”. Kështu u shpreh, dje, ish kreu i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi, i cili vuri në dukje se ish spiunët nuk duhet të preken nga asnjë lloj kufizimi ligjor, sepse ata kanë bërë detyrën e tyre shtetërore karshi shtetit. Ndërsa i pyetur për ish spiunët e agjenturave të huaja, ai tha se “në Shqipëri nuk njihet asnjë agjent i agjenturave ët huaja dhe të gjitha akuzat e bëra deri tani janë në formën e dyshimeve, ose hamendësimeve”. Sipas tij, Shqipëria nuk njeh asnjë agjent që i ka shërbyer agjenturave ët huaja sekrete, sepse nëse do të kish pasur, ai do të ish arrestuar”. Në këtë kontekst, Klosi tha se politika shqiptare nuk duhet të vendosë asnjë barrierë për ish sigurimsat, sepse ata kanë kryer një punë të dobishme për shoqërinë si të gjitha punët e tjera të nderuara”. Sipas Ish kreut të SHISH-it, mësohet se, “politika duhet të kërkojë verifikimin e figurave vetëm për hajdutët, ose për rastet kur duhet hulumtuar për njerëzit që kanë hyrë nëpër burgje për shkak të vjedhjeve”. Por në këtë drejtim  ai u shpreh se, për t’i larguar këta elementë nga listat partiake interesohen vetë krerët e partive”. Më tej, duke komentuar propozimin e kreut të FRD-së, Bamir Topi, për të nxjerrë ligjin e verifikimit të figurave, Klosi tha se: “Zoti Topi është i lirë të shprehë gjykimin e vet për këtë çështje, që është diskutuar së tepërmi gjatë këtyre viteve”.

 Idajet Beqiri, Kryetari i Partisë  së Unitetit Kombëtar  Në Shqipëri mund të vendosesh si kandidat për deputet, mjafton të kesh miratimin e kryetarit të partisë!

“(Ende) Nuk ka ligj që të përcaktojë kriteret për të qenë deputet”

Jakup B. GJOÇA

– Zoti Beqiri, cilat janë kriteret morale dhe juridike që duhet të plotësojë një kandidat për deputet?

Me ndryshimet që ju bënë Kushtetutës me Ligjin Nr.9904, datë 21.04.2008, kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Ligji themeltar i shtetit përcakton vetëm rastet kur një shtetas nuk mund të kandidoj për deputet. Këto raste janë të përcaktuara qartë ne nenin 69 të Kushtetutës. Në këtë nen thuhet se nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:

a)   gjyqtarët, prokurorët;

b)   ushtarakët e shërbimit aktiv;

c)   punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;

ç)   përfaqësuesit diplomatikë;

d)   kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;

dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;

e)   Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji. Në se dikush e fiton mandatin e deputetit në kundërshtim me këtë nen, është i pavlefshëm. Kushtetuta ka dhe një nen tjetër, nenin 70 të saj, i cili në gjuhën juridike quhet nen referues. Në këtë nen, pasi theksohet se deputetët nuk lidhen me asnjë mandat detyrues, dhe se nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave, rastet e tjera të papajtueshmërisë me detyrën e deputetit, caktohen me ligj. Pra, kriteret e tjera morale, arsimore, kulturore, juridike etj, se kush mund të jetë deputet në Kuvend, duhet të përcaktohen me një ligj të posaçëm. Ky është detyrim kushtetues. Mirëpo, me gjithë se kanë kaluar 22 vjet jetë pluraliste në vend, ende një ligj të tillë nuk e kemi.

– Në fuqi është Ligji i Lustracionit, i cili çfarë thotë për kriteret e kandidatëve për deputetë?

– Jo, nuk është në fuqi ky ligj. Do e shpjegoj pse nuk është. Partitë politike kryesore të vendit, posaçërisht PD-ja, nën diktatin e drejtpërdrejtë të Sali Berishës, e kanë sabotuar në vazhdimësi miratimin e një Ligji të Lustracionit, i cili të ishte në përputhje me Kushtetutën. Berisha Ligjin e Lustracionit e ka konsideruar si një “çomange hekuri” në duart e tij, për të goditur gjithë kundërshtarët e tij politik, gjithë njerëzit e denjë, të aftë, atdhetar të shquar të këtij vendi,  të cilët me figurën dhe me potencialet e tyre mendore, intelektuale, fizike, kanë qenë në lartësinë e duhur të detyrës për të dhënë një kontribut të shquar në zhvillimin e vendit. Berishës nuk i kanë interesuar këto potenciale. Atij i kanë interesuar servilët e pushtetit, njerëzit e korruptuar, spiunët gjithfarësh, antishqiptarët e deklaruar, përgjithësisht njerëzit me dosje. Dhe ligjet që janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, sikurse ishte ligji më i fundit ai me nr. 10 034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, nuk ishte gjë tjetër, veç “gjueti shtrigash”, që donte të bënte Berisha kundër njerëzve me peshë kombëtare dhe intelektuale të këtij vendi. Ky ligj ishte i ndërtuar në mënyrë të tillë, sa mund të thoshe pa hezitim emrat për të mirë dhe për të keq që kishte parasysh Berisha që të ishin, ose të mos ishin funksionarë të lartë, apo të zgjedhur në këtë vend. Ligji i tij dy persona me të njëjtat parametra të së kaluarës, me të njëjtat ngarkesa negative, po të ishte i krahut të Berishës, ishte “i pastër”, dhe po të ishte kundër tij, konsiderohej “ i pa pastër”! Me të drejtë Gjykata Kushtetuese e konsideroi këtë ligj si të papajtueshëm me Kushtetutën, dhe tashmë ne nuk e kemi një Ligj të Lustracionit.

– Përse nuk duan që të ekzistojë një ligj që të përcaktojë kriteret për të qenë deputet?

Deri sa të jetë Berisha në pushtet, nuk do e kemi një ligj të mirëfilltë, mbi kritere objektive, një ligj dobiprurës për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve. Nuk do e kemi sepse njeriu i parë që nuk duhet të jetë në pushtet, që nuk duhet të mbaj poste politike, që nuk duhet të zgjidhet, është Sali Berisha. E kaluara dhe e sotmja e tij është jo vetëm e dyshimtë, por edhe shumëplanëshe e dëmshme. Ai, me qenë se e di veten se kush është, me forcën e pushtetit që ka, me njerëzit e dyshimte, me dosje të vjetra dhe të reja që ka çuar në të gjitha pikat kyçe të pushtetit, me mungesën “de fakto” të një opozite të fortë, të përgjegjshme, të guximshme dhe kombëtare në shkallën e lartë, nuk lejon që të zbatohet neni 70 i Kushtetutës së Republikës për të patur edhe Shqipëria Ligjin e saj të Lustracionit.

– Duke u nisur nga përvoja e deritanishme, por edhe nga emrat që përfliten, kryetarët e partive a i zbatojnë përpikmërisht këto kritere?

 – Kam fatin të jem një nga protagonistët e dhjetorit 1990 e deri më sot. Njohë me detaje se si u nis kjo puna e pluralizmit politik në Shqipëri, sepse në 10 janar 1991 themelova dhe u zgjodha kryetar iPUK-ut. Ju pohoj me objektivitet të lartë, me ndershmëri dhe vërtetësi, se mbi 60 për qind e drejtuesve të partive politike të vendit dhe të gjithë klasës politike dhe pushtetore të vendit, nga maja e pushtetit, e deri në qarqe e komuna, janë njerëz me dosje, si bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit dje, por edhe me dosje të reja spiunazhi dhe korrupsioni. Ata janë “të lidhur” dhe të detyruar, e hedhin “vallen”, sipas “lodrës” së Berishës, të cilët kanë qenë dhe janë të ulur këmbëkryq në Shqipëri.

–  KQZ-ja, sa seriozisht i vlerëson këto kritere, për të miratuar kandidaturat?

 KQZ-ja nuk ka asnjë mundësi reale për ta bërë këtë gjë. Por nuk ka as edhe një bazë të nevojshme juridike. Në Shqipëri mund të vendosesh si kandidatë për deputet, mjafton të kesh miratimin e kryetarit të partisë! Kushtetuta në vitin 2008 u bë “një zhele”, sepse ju hoq edhe ajo pak “krip” që kishte për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, për cilësitë e tyre, sepse ballafaqoheshin drejtpërdrejtë me popullin në sistemin maxhoritar të korrektuar, siç e kishim ligjin.

– Dy partitë e mëdha, në kriteret e  përcaktimit të kandidatëve udhëhiqen nga personaliteti, integriteti dhe shkalla e simpatisë që gëzon në elektorat?

 – Kandidatët për deputet, për fatin e keq, tashmë i zgjedh vetëm kryetari i partisë. Nuk ka më filtra, të cilat ekzistonin, ndonëse me të meta, më parë. Nuk diskutohet si më parë në qelizën bazë të partisë kandidatura, në bllok, lagje apo fshat, nuk merren mendimet e zgjedhësve. Përzgjidhen ato kandidatura që i bëjnë “fresk” kryetarit të partisë (!), ata që janë “të përshtatshëm”, që dinë refrenin “lepe-peqe”, që kanë fjalë të mira dhe “gurin në trastë”. Ata, duke qenë të gatshëm të veprojnë vetëm me urdhrin e kryetarit dhe me veshët nga bilbili i tyre, nuk bëjnë asnjë farë feje punë në të mirë të vendit dhe të popullit të tyre, nuk lëvizin nga vendi asgjë.

– Faleminderit!