Specialistët e drejtësisë: Ja si do ndalohen ata që u ka filluar çështja penale!

447
Pardje PD-ja zyrtarizoi kandidaturën e Xhelal Mziut për kryetar të Bashkisë së Kamzës. Mirëpo dje, gjykata e Tiranës ka dënuar me 2 vjet heqje lirie kreun e Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu. Vendimi i gjykatës erdhi pas akuzave të ngritura nga Prokuroria për abuzim me tenderat. Xhelal Mziu, në detyrën e krytarit të Bashkisë së Kamzës u akuza për “Shkelje të barazisë në tendera” dhe “Shpërdorim detyre”. 
Dy standardet politike nga partitë
Sado zhurmë dhe betime që bëjnë partitë politike, qoftë në parlament, por edhe në publik, se gjithmonë vënë mbi gjithçka interesat e elektoratit, të vendit dhe të Atdheut, këto mbeten thjesht slogane, sepse në të vërtetë partitë në Shqipëri, në këto 24 vjet pseudodemokraci, (të mos harrojmë që Shqipëria, pikërisht për faj të kësaj politike, është i vetmi vend në Ballkan, që ka mbetur në tranzicion, pa mundur të integrohet në Familjen Europiane), gjithmonë kanë bërë politikë me 2 standarde. Kjo u duk edhe një herë, qartë me propozimin e kandidaturës së Xhelal Mziut, për kryetar bashkie në Kamëz, për herë të tretë. Mziu është fakt që është në proces gjykimi për shpërdorim detyre. Nëse politika dhe partitë do të kishin seriozisht qëllimin e dekriminalizimit dhe të vënë interesat e elektoratit, të vendit mbi interesat partiake, do të mjaftonte kjo akuzë, që subjekti politik të mos merrte rriskun politik e të kandidonte një person që është në gjykim e sipër. Edhe sikur PD-ja të mendonte se kandidimi i Mziut, me proces gjykimi të hapur, do të dëshmonte se ndaj tij akuzat janë politike, prapë kjo nuk mund të justifikojë rriskun politik. E para, po sikur gjykata të japë vendim të formës së prerë për fajësinë e të akuzuarit, atëhere a nuk dëmtohet shumë imazhi politik i PD-së? Thua vallë që PD-ja nuk ka më tjetër kandidat, që të konkurojë në zgjedhje, në fitore të kauzës së saj politike? Ajo që të bind që PD-ja zbaton 2 standarte në politikë, është fakti që ajo ka depozituar në komisionin parlamentar për dekriminalizimin e Kuvendit, një platformë të posaçme në 26 mars 2015, dhe, ndër të tjera ka kërkuar që të mos zgjidhen, deputetë dhe në funksione publike shtetërore, kandidatë, që janë në procesin e hetimit. Derisa PD-ja kërkon këtë, në kuadrin e dekriminalizimit, si shpjegohet që do të zyrtarizojë për kandidat, një person që dënohet me 2 vjet burg, qoftë edhe nga gjykata e shkallës së parë, për shpërdorim detyre? Kjo dëshmon më së miri retorikën me dekriminalizimin dhe se ashtu si edhe partitë e tjera punnon me 2 standarte. 
Partitë realisht nuk e duan dekriminalizimin e politikës
Kështu, siç është legjislacioni ynë, duke filluar që nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, ligji nuk ndalon askënd që të mos kandidojë për deputet, etj, që nuk është dënuar me vendim të formës së prerë, pavarësisht se më parë, edhe mund të jetë dënuar. Por, më e keqja është, se PD-PS, ndërsa replikojnë për “dekriminalizim”, nuk donin që amendamentet e dekriminalizimit, t’i pasqyronin edhe në ndryshimet dhe shtesat që i bënë Kodit Zgjedhor, për zgjedhjet e 21 qershorit, pasi PD-PS hedhin “vallen” politike, sipas sazeve popullore” Mbas meje, arthtë qameti”. 
Ligji i tanishëm, nuk ndalon njerëzit e inkriminuar të zgjidhen në Kuvend dhe poste shtetërore
Sipas prononcimeve të juristëve dhe konstitucionistëve për gazetën “Telegraf”, për çështjen “Mziu”, ata pohojnë se nëqoftëse mbetet në fuqi vendimi i gjykatës së shkallës së parë, edhe nga Apeli, atëhere dhe vetëm atëhere, kandidatit i hiqet e drejta të kryejë funksione publike shtetërore. Neni 30 i Kushtetutës thotë, që “Kushdo quhet i pafajshëm, përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Gjykimi i formës së prerë është gjykimi i dhënë nga gjykata e Apelit. Veç kësaj, neni 45 i Kushtetutës, pika 2 thotë: “Përjashtohen nga e drejta e zgjedhjes shtetasit e deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si të paaftë mendërisht. Ndërsa pika 3 e këtij neni thotë: “Të dënuarit që janë duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë, kanë vetëm të drejtën për të zgjedhur”. Pra, meqë Mziu nuk është i dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë, juridikisht, kjo është punë e partisë politike, që e propozon dhe, kësisoj Mziu ka të drejtën, të kandidojë për kryebashkiak në Kamëz. Siç shprehet një jurist i njohur i Kushtetutës, “Më vjen çudi që PD-ja në platformën që ka paraqitur në Komisionin Parlamentar për Dekriminalizimin e Parlamentit, ka futur edhe të proceduarit, edhe të hetuarit, që nuk duhet të jenë në listë për të kandiduar. Tani PD-ja e merr vetë rriskun politik, sepse kundërshtarët mund t’i thonë: “Juve keni kërkuar këtë platformë të dekriminalizimit, përse tani vë këtë kandidatë”.
Neni 30
Kushdo quhet i pafajshëm, përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Neni 45
2. Përjashtohen nga e drejta e zgjedhjes shtetasit e deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si të paaftë mendërisht.
3. Të dënuarit që janë duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë, kanë vetëm të drejtën për të zgjedhur.
Platforma e PD-së për dekriminalizimin e depozituar në Komisionin Parlamentar të Dekriminalizimit të Kuvendit, më 26 mars 2015.
Për raste të krimeve me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, do vendosim norma që pengojnë zgjedhjen apo emërimin në organe të larta të shtetit të personave që kanë rekorde të rënda kriminale edhe që janë në proces hetimi apo gjykimi dhe ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie personale (arrest me burg, etj), ose janë në kërkim policor ndërkombëtar.
Sigal