Spastrimi nga “kritikët” e kryetarit të Partisë dhe statuti i ri

560
Nesër Kuvendi Kombëtar i PD-së
Do të jetë Kuvendi Kombëtar i PD-së, si një pikënisje e re, një mundësi për unitet, brenda partisë, për të pasur, këtej e tute një Opozitë edhe më luftarake? Apo, Këshilli Kombëtar, do të shërbejë si mjeti politik për spastrimin e gjithë kritikëve ndaj kryetarit të Partisë, nga forumet partiake? Nesër PD-ja mbledh Kuvendin e saj Kombëtar, për miratimin e statutit. Edhe pse janë ftuar të gjithë anëtarët e deritanishëm të forumeve partiake, ish-deputetët, të cilët tashmë janë kritikët e kryetarit Basha, ata kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë, duke i dhënë de fakto divorcit të tyre politik nga PD-ja. I vetmi që ka qasje të ndryshme nga ish-kolegët, është Eduard Selami, i cili garoi në 22 korrik përballë Lulzim Bashës, për kreun e PD-së, i cili ka kërkuar edhe të drejtën e fjalës. Ndryshe nga kuvendet që kemi parë në vitet e shkuara, formati i këtij të 29 prillit duket krejt ndryshe, i ngjashëm me protestat në bulevard. Burimet e gazetës “Telegraf” pranë grupit organizator, theksuan se të parët në Kuvend do të flasin qytetarët, të cilët do të sjellin historinë e tyre personale dhe pakënaqësinë ndaj qeverisë. Pjesë e Kuvendit Kombëtar do të jetë dhe ish-funksionari i lartë i Partisë Demokratike Besnik Mustafaj, ndërsa ish-deputetët Jozefina Topalli, Arben Imami, Ridvan Bode, Astrit Patozi dhe Majlinda Bregu, bojkotin e arsyetojnë duke theksuar se agjenda e këtij Kuvendi nuk parashikon diskutime për statutin dhe nuk ekziston mundësi që ata të marrin fjalën para delegatëve. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili do të paraqesë tezat e tij për Partinë Demokratike dhe platformën e tij për rikthimin në pushtet. E në fund do të jetë Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, i cili do të lexojë statutin për ta hedhur në votim para rreth 7.500 delegatëve.

Ndryshimet statutore
Satuti i ri PD-së parashikon një mekanizëm të ri për përzgjedhjen dhe miratimin e kandidaturave për deputetë dhe kryetar bashkie. Vlerësimi i kandidaturave do të bëhet nga një komision i posaçëm. Komisioni i dërgon Kryesisë së PD raportet vlerësuese për secilin kandidat. Më pas, në bazë të nenit 53, pika 5, shkronja ‘c’, Kryesia e PD vendos për kandidatët pas konsultimit me anëtarësinë e partisë. Kryesia ia kalon listën Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Këshilli Kombëtar i PD, në bazë të nenit 50, pika 4, shkronja ‘b’, miraton listën e kandidaturave elektorale për kryetar bashkie apo për deputet.

Kriteret për kandidatët
Sipas statutit të ri, Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, është strukturë ndihmëse e Kryesisë së PDSH dhe ka në përbërje 5 anëtarë. Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve zgjidhen nga Këshilli Kombëtar me propozim të Kryesisë së PDSH. 

Aleancat politike
Dokumenti me ndryshimet e propozuara në statutin e Partisë Demokratike i heq nga duart kryetarit për të vendosur për aleancat dhe marrëveshjet politike. Neni 50, pika 4 shkronja ‘d’, parashikon që Këshilli Kombëtar, me propozim të Kryesisë apo kryetarit, miraton koalicionet para apo pas zgjedhore. Këshilli Kombëtar miraton gjithashtu strategjitë dhe programin elektoral e politik të PD. Këshilli Kombëtar merr të gjitha vendimet e rëndësishme politike që mund të kërkojnë rrethanat kur Kuvendi Kombëtar nuk është i mbledhur. 
Sigal