“Spastrimi” në administratë, LSI kallëzon penalisht 3 ministra dhe zv/kryeministren

51
TIRANE- Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë kallëzim penal për ‘shpërdorim detyre’ për 3 ministra dhe zëvendëskryeministren, pas vendimeve për pezullim nga detyra të punonjësve të administratës por dhe për disa drejtorë, me pretendimin se këta të fundit kanë shkelur kodin elektoral, për përfshirje në fushatë zgjedhore. Kështu, në një dalje para mediave, deputetja Kejdi Mehmetaj bëri të ditur për publikun se LSI ka kallëzuar ministren Milva Ekonomi, ministrin teknik të Drejtësisë, Gazmend Bardhi, ministren e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhuljeta Kertusha dhe zv.Kryeministren Ledia Mandija.
Mehmetaj sulmoi ashpër qeverinë ‘Rama’ si dhe marrëveshjen e arritur me PD-së, të cilët e cilësoi ‘marrëveshje errësire’.
“Task Forca e drejtuar nga zv.kryeministrja Leidia Mandija po bën shkelje flagrante të ligjit dhe në mënyrë arbitrare ka nisur një hakmarrje dhe shantazhe ndaj punonjësve të administratës. Nga radhët e LSI nuk është përfshirë asnjë ministër dhe punonjës në fushatë. Është një skenar i errët prej marrëveshjes së errësirës. Ne denoncojmë publikisht fushatën e hakmarrjes ndaj njerëzve të fushatës elektorale”, tha ligjvënësja e LSI-së.