Spartak Ngjela/ Si duhet të drejtohet sot Shqipëria, me frikë apo me arsye?

467
Sigal

Po të rrimë pak e ta mendojmë me njëfarë vëmendje atë që po shohim të ndodhë me qeverisjen në Shqipëri, konstatojmë se, gjithçka që ndodh ka si shtysë frikën dhe jo arsyen. Në fakt kjo, në një drejtim shtetëror është më shumë se mediokritet. Po ç’ është frika? Frika shpesh është irracionale, sepse, edhe majmuni e ka shumë frikë gjarprin, dhe kjo s’është arsye por mistikë. Po këtu në Shqipërinë e sotme? Këtu, kryeministri që e quajnë Rama, dhe që mendon se po drejton Shqipërinë, ka frikë nga çdo gjë, ndihet që është i trembur, dhe mendon të marrë forcë apo kurajë nga fëmija e tij Tahiri, i cili është ministër i Brendshëm. Tahiri bërtet dhe mendon se do burgosë apo do të dënojë, kur as dënimin dhe as burgun nuk e ka ai në dorë. Por, gjithsesi duhet të heqë frikën e kryeministrit që quhet Rama, por që mund të kishte çfarëdo lloj emri tjetër. Por, bërtitjet e Tahirit sikur kanë mërzitur edhe kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, i cili i kujtoi Tahirit se nuk ka forcë por vetëm një inat fëmije. Kurse ky Rama duket se ka frikë edhe nga Meta. Iracionalisht, pa dyshim, se nuk di të punojë me politikë, por me afrime fshatareske e naive të gënjeshtërta; jashtë çdo arsyeje politike. Por edhe vetë Meta ka frikë, edhe pse është Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Natyrisht ky ka frikë nga burgu, sepse ka vjedhur dhe ka abuzuar dhe vijon të abuzojë me pushtetin: me të gjithë ministrat e tij, të cilëve iu kërkon haraç mujor. Është i papranueshëm Meta ndërkombëtarisht  dhe sapo i a refuzuan vizën për në SHBA; dhe kjo e tremb edhe me shume, prandaj është plakur: sepse, “senectus ipso morbus est” (pleqëria është sëmundje), na ka thënë Ciceroni i famshëm dhe në rastin tonë sëmundja është frikë. Por frikë ka edhe Sali Berisha: edhe ky nga burgu ka frikë, sepse e mendoi të lehte abuzimin gjigand me pushtetin. Dhe çfarë ka bërë? Ka nxjerrë në krye të Partisë Demokratike një lolon e tij, i cili gjithashtu ka frikë, por më shumë nga vetë Saliu. Por Saliu e ka nxjerrë që të mbrohet nga burgu dhe si një regjent për ta kaluar PD-në në dorë të familjes së tij. Po, si do ta mbrojë loloja Saliun? Në fakt, ky lolo vetëm i bezdis shqiptarët me budallallëqet e tij; dhe nuk e duan as politikanët e Partisë Demokratike, të cilët e kanë lënë vetëm me katër injorantët e Saliut, që s’dinë të flasin. A mund të qëndrojnë më me frikë dhe inaktivë politikanët e PD-së? Kjo duhet parë, sepse shqiptarët thonë: “dy duar për një kokë janë”. Por ama, të gjithë këta, të tërë të trembur, bashkë dhe me një zë, flasin për reformën në drejtësi, jo se e duan, por se ia kërkojnë perëndimorët, të cilët nuk i japin para për të dalë Shqipëria nga kriza, po nuk u dënuan hajdutët, apo abuzuesit me pushtetin. Por abuzuesit janë ata që kanë në dorë pushtetin, dhe pushtetin nuk mund ta mbajnë dot po nuk gjetën para, sepse kriza është shume e thellë; dhe kjo është një pjesë shumë e madhe e frikës që ka kapluar kryeministrin që quhet Rama: Ku do të shkojë ky pa para? Ja, këtu vjen e merr formë rrethi vicioz: kush do të reformojë pushtetin gjyqësor, prokurorinë dhe të gjithë sistemin legal në Shqipëri? Askush. Këtu dominon frika – edhe majmuni e ka frikë për tmerr gjarprin, por kjo është mistikë dhe nuk është arsye. E pra, përderisa frika është mistikë dhe jo arsye: drejtësia në Shqipëri nuk mund të vendoset dot nga frika, por vetëm nga arsyeja. Por frika nuk e lejon arsyen të funksionojë dhe prandaj do të shihni që gjendja do të rëndohet gjithmonë edhe më shume, derisa frika, si mistikë, do t’i hedhë për t’u kacafytur të gjithë abuzuesit. Veçse, këtu del kjo pyetje: cila është zgjidhja, pritja për kacafytjen e të tremburve, apo krijimi i një lëvizjeje racionale, jashtë frikës, për të drejtuar Shqipërinë jo me mistikë, por me arsye?