Spartak Ngjela/ Krimi ende në avancë, policia bashkëpunëtore e tij

464
Sigal

Shqipëria sot, me këtë gjendje qeverisjeje të kujton kohë shumë të largëta të këtij qytetërimi. Ne sot gjendemi në kohën kur mbi 250 vjet përpara, pasi kishte filluar Revolucioni Industrial, ekonomia e pastrukturuar dhe informale fitonte, duke dominuar tregun, jo me ane te disiplinës së rreptë ligjore, por me anë të grupeve të fortë që e mbanin dominancën në treg me anë të vrasjes. Ishte krimi që, pasi kishte penetruar në shtet, favorizonte vrasjen e rrugës, në mënyrë që të vendosej në treg dominanca e bandave që kishin vënë në dorë investimin, merrnin certifikatat dhe lejet shtetërore për investime koncesionare, dhe, sigurisht që nuk paguanin taksa. Po ta shohësh me vëmendje, kjo është gjendja sot në tregun dhe politikën shqiptare: krimi i organizuar, me anë të vrasjes, mban ekuilibrat e dominancës së vet. Ai vret këdo që i del përpara Por, pikërisht këtu, ngrihet pyetja: po si i shpëtojnë ndëshkimit për vrasjet banat ekonomike që duan të pushtojnë segmentet e rëndësishëm të tregut? Kjo është shumë e thjeshtë: në këtë ndërmarrje për dominancë është edhe Policia, por edhe Gjykata dhe Prokuroria. Politika jep emrat e të paprekshmëve, dhe policia zhduk provat, dhe prokuroria pushon çështjen… Por, edhe nëse ndonjëra shkon në gjykatë, kjo e pushon çështjen procedurialisht për “humbje afati” apo dhe arsye të tjera që kanë të bëjnë “me të drejtat e njeriut”.

Kjo ka qenë tabloja 15- vjeçare e krimit të organizuar në Shqipëri. Sot, po shohim një tjetër fenomen: duket sikur në polici po priten lidhjet me krimin, sepse ka ndryshuar kahu i politikës: nga Partia Demokratike në Partine Socialiste. Inkriminimi i policisë Berisha ishte proverbial. Banda e policisë ishte implemetim kriminal. Krerët e policisë, që s’ishin fare policë, ishin të vendosurit nga Berisha që ky të dominonte tregun, licencat dhe gjithçka që kishte të bënte me paranë; por edhe të kontrollonin zbulimin e vrasjeve. Policia bënte edhe trafikun e drogës, dhe të gjitha aktet e tjera që kishin të bënin me ekonominë informale. Po sot? Sot policia nuk është më e Saliut, sepse krerët janë ndërruar, dhe krimi ka mbetur i zbuluar. Por, a janë formuar segmente të tjera kriminalë në policinë e shtetit? Këtë duhet ta shohim, por Banda Berisha është shumë e shqetësuar, sepse segmentet kriminalë nuk e kanë më në dorë policinë. Por, këta segmente kriminalë, a mos vallë do të fillojnë të bashkëpunojnë me policinë e re? Këtë ende s’e dimë. Duhet ta shohim. Veçse, ka dhe diçka: po Prokuroria dhe Gjykata? Këto janë ende të Saliut, Presidentit të Republikës, dhe të KLD-së. Atëherë ç’ndodh më krimin në Shqipëri, a do të ketë më ai kurojë që të vrasë këdo? Do ta ketë kurajën derisa nuk do të jete bërë reforma në sistemin e drejtësisë: Gjykatë dhe Prokurori. Po s’u bë kjo, krimi është ende i mbrojtur. Po policia? Nuk ka rëndësi, edhe nëse nuk është e kapur nga krimi, nuk mjafton, sepse ndëshkimi është në duart e krimit. Po zbulimi i vrasjeve? Edhe kjo s’ka rëndësi, sepse procedura është në dorë të Berishës. Atëherë, çdo të ndodhë? Situata është shumë e rëndë; dhe krimi është ende në avancë. Kjo është arsyeja që ekspertiza perëndimore kërkon me anë të politikës së lartë europiane “reformën shqiptare në drejtësi dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë”. Po kujt ia thotë? Kam përshtypjen që tani për tani po ia thotë Kryeministrit aktual shqiptar. Më pas, sigurisht që do t’ia kërkojë shqiptarëve. Gjendja në Shqipëri nuk mund të jetë e qetë, për aq kohë sa nuk do të ketë mbaruar lufta me krimin e organizuar që përshkruam më lart.