Spartak Ngjela: Ja çfarë nuk di nga historiografia shqiptare presidenti serb Vuçiç

675
Presidenti i Serbisë, Vuçiç, deklaroi dje kapitullimin e Serbisë, me pretendimin që “Kosovën e mbron Uashingtoni dhe Londra”. Ai e pa këto ditë me ngashërim dhe tërbim që elita e forcës botërore ishte me pavarësinë e Kosovës. Ishte i mërzitur. Po pse, nuk e di ky nacionalist steril serb se Shqipërinë e ka gjymtuar Rusia dhe Franca dhe heshtja e Londrës?

Nuk e di ky hero milosheviçinan që shqiptarët janë masakruar nga serbët dhe osmanët bashkë, se i ka përkrahur Rusia? Tani e kuptoi Presidenti serb se në analet e politikës anglosaksone është quajtur gabim i Londrës politike shkatërrimi i Austro-Hungarisë dhe krijimi i Jugosllavisë? Tani e mësoi Presidenti serb se politika anglosaksone është kthyer te politika realiste dhe e thellë austro-hungareze me shqiptarët dhe për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor? Pse, nuk e di historiografia shqiptare që emri Kosovo është emër sllav i vendosur me dhunë nga Stambolli dhe Moska në shekullin XIX, për të larguar shqiptarët dardanë me dhunë nga trojet e tyre tre mijë-vjeçare? Pse, kaq të lehtë jeni, zoti Vuçiç, ju serbët që vërtet mendoni se mund t’i blini shqiptarët ashtu siç i keni blerë në këta 200 vjet? Pse, zoti Vuçiç, vërtet mendoni se me korrupsionin aktual shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë do të vazhdoni eskalimin në pushtim të tokave shqiptare? Pse, zoti Vuçiç, tani e kuptuat që aleanca amerikano – shqiptare sapo ka nisur dhe ka në qendër të saj unifikimin shqiptar në Ballkanin Perëndimor? Pse, zoti Vuçiç, tani e kuptuat që aleanca shqiptaro-amerikane për Ballkanin Perëndimor, ka pushtetin real sot në Shqipëri dhe nuk i përfill fare ca të korruptuar kryeministrorë në Tiranë? Pse, zoti Vuçiç, më gjithë mend shpresuat që me një grusht të korruptuarish shqiptarë do të mundje ti, politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor? Pse, zoti Vuçiç, tani u bindët që korrupsioni kryeministror shqiptar është “një njëri i vdekur tashmë” në Tiranë? Pse, vërtet nuk e kishit kuptuar, zoti Vuçiç, që Dardania ishte guri themelor i shkatërrimit të Jugosllavisë, kurse vetë Milosheviçi ishte krijim tragjik i dëshpërimit dhe jo i shpresës? Pse, tani, pas njëzetë vjetësh, e kuptuat ju, zoti Vuçiç, që, jo ju, por shqiptarët janë aleatë natyrorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Pse, zoti Vuçiç, vërtet menduat ju serbët, se të ardhurit do t’i shuanin nga faqja e dheut arbrit autoktonë të Ballkanit? Pse, ende nuk e dini ju, zoti Vuçiç, që ky yni quhet Gadishulli Ilirik, se Ballkan ka rreth 100 vjet që e kanë quajtur rusët dhe turqit për hatrin tuaj si pushtues? Dhe më në fund, përsëri nuk jeni të humbur me gjithsej. Dhe, gjithashtu: Nuk ka rëndësi, se ne shqiptarët kemi një shprehje të mençur e të bukur që e keni në favor:

“Më mirë vonë, se kurrë!”
Sigal