Spartak Ngjela: Drejtësia shqiptare dhe i gjithë sistemi legal në Shqipëri janë në krizë

516
Sigal

Doktrina: Kriza morale e sistemit të sotëm politik, nuk është tjetër veçse një mbetje totalitare e sistemit të vjetër

(Janë disa ata, që më kanë kërkuar të botoj pjesë nga doktrina ime që kam shkruar për Reformën në Drejtësi… Nuk po ua prish dëshirën dhe po botoj pjesën hyrëse të Preambolës së vetë doktrinës…)

Gjendja e drejtësisë shqiptare është në krizë. Në fakt në krizë është i gjithë sistemi legal në Shqipëri. Natyrisht që kjo ka arsyet e veta, por ajo që duhet të zhbëhet në mënyrë sa më të shpejtë është ristrukturimi i sistemit, ngritja profesionale në të gjitha aspektet e sistemit, dhe eliminimi real i korrupsionit, i cili, vjen kryesisht në funksion të kësaj krize, dhe ka inonduar të gjithë sistemin politik. Sistemi legal shqiptar, me pjesën e tij me të rëndësishme, pushtetin gjyqësor, nuk jep drejtësi. Çështja e drejtësisë shoqërore në Shqipëri, sot është çështja më kryesore e zhvillimit kombëtar në përgjithësi dhe e demokracisë në veçanti. E gjithë kriza morale që po kalon shoqëria shqiptare në sistemin politik të saj, vjen drejtpërdrejt nga kriza në pushtetin gjyqësor dhe në të gjithë sistemin legal. Në një aspekt të përgjithshëm, Shqipëria sot ka hyrë në një kohë që, për ekzistencën e saj demokratike, i duhet të kryejë pa mëdyshje reformë të thellë në të gjithë sistemin legal. Në një pikë të fundme, moraliteti i një shoqërie apo i një kombi, s’është gjë tjetër veçse drejtësia shoqërore. Kjo është mungesa kryesore e shoqërisë shqiptare: drejtësia shoqërore. Në të vërtetë kjo është një sëmundje njëqindvjeçare e shtetit shqiptar, por sot koha e ka sjellë që t’i jepet fund këtij pështjellimi moral për të krijuar më në fund hapësirën moderne të një shteti të drejtë dhe të një shoqërie që di t’i zgjidhë të gjitha konfliktet e saj të brendshme me drejtësi. Në funksion të këtij ndryshimi, që quhet reformim, duhet të pranojmë se sistemi legal shqiptar nuk është një sistem specifik që ka ardhur si pasojë e një evolucioni të brendshëm të zhvillimit të konceptit të drejtësisë shoqërore në Shqipëri. Sistemi legal shqiptar ekzistues është i huazuar nga të dyja krahët historikë të shtetit modern: Ai është një hibrid që ka në ndërtimin e vet edhe kolonat e sistemit legal të vendeve demokratikë, por edhe kolona të caktuara të sistemeve legalë diktatorialë. Në sistemin legal aktual shqiptar janë të implementuara të dyja format e sistemeve, sepse shoqëria shqiptare dihet se ka vetëm 20 vjet që ka dalë nga diktatura komuniste. Shqipëria, si shtet dhe si sistem politik, kaloi në konstitucionalizëm dhe parlamentarizëm që në vitin 1992, por asnjëherë si shtet nuk u nda dot nga praktikat totalitare që e kishin sunduar pesëdhjetë vjet. Kriza morale e sotme e sistemit politik, nuk është tjetër, veçse një mbetje totalitare e sistemit të vjetër legal, në sistemin aktual. Reformim i sistemit legal do të thotë çrrënjosja përfundimtare e totalitarizmit në përmbajtjen dhe në praktikën e sistemit legal shqiptar, që do të jetë edhe fillimi për të dalë nga kriza morale e vetë sistemit politik…