Spartak Braho:“E Majta, duhet të jetë tren unik, që ecën në një shinë”

549
Sigal

Unë kam bindjen e plotë se e Majta, do të arrijë të marrë, të paktën minimalisht 76 deputetë

Spartak Braho, është kandidati i 11-të në listat e PS-së në Qarkun e Tiranës dhe në intervistën për “Telegraf”, pohon që do të jetë deputeti i PS-së, i ardhur nga vagoni i LSI-së. Megjithatë, zoti Braho, e këshillon Ramën, që ta quajë aleancën e Majtë, si një tren jo me vagonë, por unik, që udhëton në një shinë. Zoti Braho, debatin e hapur te e Majta se cili do të jetë Kryeministër, e quan shterpë, por nga ana tjetër, kritikat e vazhdueshme të Gjinushit e Milos ndaj Metës, i shpjegon se vijnë nga keqdashësia e tyre, ngaqë nuk do të jenë në Kuvend. Ndërsa bashkimin PS-LSI, zoti Braho e shpjegon se, nuk është bashkim numrash, por për një koalicion të qëndrueshëm. Zoti Braho shprehet optimist se e Majta e bashkuar, do të marrë në 23 Qershor, të paktën 76 mandate.

– Zoti Braho, a e ndihmon kauzën e së Majtës, debati se cili do të jetë kryeministri i ardhshëm, Rama apo Meta?

– Nuk ka asnjë problem të shtruar për diskutim. Tashmë Aleanca për  Shqipërinë  Europiane, ka një marrëveshje, e cila është konfirmuar me  takimin Rama-Meta në Shkodër,  ku u përcaktua në mënyrë parimore të gjitha modalitetet, jo vetëm për këto zgjedhje, por edhe për një koalicion të qëndrueshëm afatgjatë. Natyrisht, përsa i përket debatit që hapen  se kush do të jetë kryeministër, është një debat i stisur, që i intereson segmenteve të caktuara, me qëllim që të turbullojnë mendjet e njerëzve, e kryesisht, elektoratin e majtë. Meta e ka treguar me vepra, që është korrekt me të tëra marrëveshjet deri në fund dhe natyrisht, do të jetë mëse korrekt edhe me marrëveshjen me PS-në. Ka një rrugë që përcakton edhe se kush do të jetë kryeministër. Është rruga ligjore, është rruga kushtetuese. Sipas Kushtetutës, Presidenti thërret partinë më të madhe fituese për të formuar kabinetin qeveritar. Ambicia e Ramës për të qenë Kryeministër, natyrisht, është një ambicie e ligjshme. Nuk e vendosin as opinionet e shprehura nëpër gazeta, bile as thirrjet në aktivitetet partiake, apo zgjedhore se kush do të jetë Kryeministër. Ato vendosen në rrugën e përcaktuar dhe që padyshim, duke qenë PS-ja forca që paraprin koalicionin tonë, forca më e madhe e opozitës, do të jetë Rama personi që do të thirret nga Presidenti për të krijuar qeverinë. Ambicia e Ramës është legjitime, siç është ambicia e çdo lideri për të menduar për të drejtuar qeverinë nesër. Ashtu siç është pozitive edhe ambicia e Metës, por nuk është çudi që t’i vijë radha edhe Gjinushit. Kështu që, kryesore është që kjo është shumë zhurmë për asgjë.

Deri tani vërehet që PS-ja dhe LSI-ja bëjnë fushatë elektorale me programe të ndryshme. Mbi bazën e kujt programi do të bëhet nesër një bashkëqeverisje PS-LSI?

– Në fakt, nuk është kështu. Natyrisht, programet e mirëfillta të partive, edhe pse janë në një koalicion elektoral, kanë edhe diferenca dhe është e kuptueshme që të kenë diferenca. Është pozitive që dy forcat kryesore, PS-ja dhe LSI-ja kanë programe qeverisëse, në vija të përgjithshme. Në marrëveshjen e parë të Shkodrës, u bë përpjekja e parë serioze për të sheshuar dallimet në programet.

– Tani, mund të themi që divergjencat janë zvogëluar?

– Po, me siguri, themi që ato janë sheshuar. Qeveria e ardhshme, do të ketë të unifikuar programin e saj dhe qeveria e ardhshme, ku mendohet se do të jetë ku do dominojnë PS-ja dhe LSI-ja, padyshim, do të jenë prezente, jo vetëm idetë kryesore të programeve të tyre, por edhe personat konkretë, që do të ngarkohen me poste ministrore.

– Duke qenë se edhe Kryetari i PS-së pranon që të votohen, tashmë, 3 ligjet, njëkohësisht, edhe Berisha kërkon të votohen. Atëherë, kush i mban peng akoma ato?

– “Përse”-ja është tërësisht e zbuluar dhe ka një përgjigje. Nuk do Berisha t’i votojë. Kishte një qëndrim të ngurtë edhe nga PS-ja, por thirrja dhe këmbëngulja e vazhdueshme e Metës, që ne duhet të shkojmë në zgjedhje me 3 ligjet e votuara, gjeti rezonancë të zoti Rama, i cili shprehet për votimin e tyre, por kuptohen që këto 3 ligje, duan 84 vota, të cilat PS-LSI nuk i kanë, ndaj duhet edhe vota e PD-së. Berisha, i vënë përballë presionit të propozimit të Metës, u mundua të pranojë ditët e fundit edhe votimin, me kusht hyrjen në fuqi të tyre në shtator, por përsëri, Berisha, vuri një kleçkë, ashtu siç e ka zakon, shumë qesharake, duke e kondicionuar këtë, me një, të ashtuquajtur autokritikë që duhet të bëjë zoti Rama. Domethënë, kjo xhoko politike e Berishës, tregon mungesën e vullnetit të tij të plotë. Unë do t’i sugjeroja zotit Berisha, që të vihet në krye të këtij procesi, për të rënë dakord për miratimin e 3 ligjeve, fintet, sepse është ai që duhet të bëjë më shumë autokritikë. Shqiptarët e Shqipëria janë të interesuar, jo për autokritikë, por për miratimin, ndaj Berisha, edhe brenda këtyre ditëve që kanë mbetur, për Kuvendin aktual, duhet të thërrasë  në një tryezë bisedimi zotin Rama, zotin Meta dhe të bien dakort edhe në parim për votimin e 3 ligjeve, por edhe për çështjet e tjera, për të sheshuar mosmarrëveshjet e për t’i dhënë fund kësaj loje jo të dëshirueshëm.

Pavarësisht se cili do të jetë rezultati i 23 Qershorit, procesi i integrimit a do të ketë progres, apo do të mbetet- si deri tani- peng e politikave partiake?

– Kuptohet, që nuk janë vetëm 3 ligjet, kushti apo mungesa kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Këto janë shprehje direkte e vullnetit politik të partive për bashkëpunim, midis opozitës e pozitë, vullneti i cili deri tani ka munguar. Kam dyshimin, që në të ardhmen, që Berisha, që padyshim do të jetë në minorancë, do të vazhdojë ta përdorë si një pengesë për të sabotuar votimin e 3 ligjeve dhe, pa dyshim, dhe realizimin e plotësimin e kushteve të vëna nga ndërkombëtarët.

– Domethënë, ju shpreheni pesimist se edhe pas 23 Qershorit, procesi i integrimit do të jetë top në lojërat e interesave partiake?

– Procesi i integrimit, pa dyshim, që do të ecë e nuk do të jetë vetëm 3 ligjet. Është një proces shumë më i gjerë, që kërkon reforma të tjera në vazhdimësi. Berisha nuk është nga ata që lëshon  pe edhe në këtë çështje, sikundër nuk lëshon pe edhe në probleme të tjera të rëndësishme, siç është KQZ-ja, por pas presionit të humbjes së madhe që do të ketë, ai do të detyrohet, me gjithë mendjen e tij diabolike, të vihet në mengene të presionit të fortë të opinionit të brendshëm e të jashtëm dhe do t’i votojë.

– Mbaroi sot (dje) mandati i Kuvendit, e megjithatë nuk shikojmë përpjekje për të kapërcyer ngërçin në KQZ. Mund të shkojmë me KQZ gjysmake, deri në 23 Qershor?

– Saktësisht, mandati i këtij Kuvendi mbaron në 6 shtator. Sot ( dje) mbaro(i)n sesioni i radhës, por që Kushtetuta ka parashikuar që deri në fillimin e parlamentit të ri, Kuvendi i mëparshëm, funksionon.

– A mundet ky Kuvend që të votojë anëtarë të KQZ-së?

– Po, kështu është. Kuvendi ka kompetenca të mblidhet. Natyrisht, është një anomali e madhe, jo vetëm ligjore, por edhe politike e institucionale. Riformatimi i KQZ-së, me gjitha presionin e madh të ndërkombëtarëve, ende nuk ka hapa konkretë. Është një faj i rëndë i qeverisë që mban peng në këtë mënyrë KQZ-në. Opozita kërkon një zgjidhje për riformatimin e KQZ-së dhe është opsioni kryesor i saj, por në qoftë se Berisha nuk do ta riformatojë KQZ-në, ne do të vemi në zgjedhje edhe pa KQZ.  Zgjedhjet do të zhvillohen, sepse funksionojnë strukturat e tjera të administratës zgjedhore, posaçërisht edhe ato, janë po kaq të rëndësishme, si KQZ-ja, e cila realisht është e lidhur me shpalljen e mandateve fituese, me votim 5:2. Duke qenë se ky raport mungon, KQZ-ja nuk arrin dot të shprehet për mandate, atëherë do të jetë Kolegji Zgjedhor që do të shprehet për mandatet e deputetëve. Kuptohet, që këto mandate shpallen që në qendrat e votimit, në komisionet e numërimit, sepse aty numërohen, evidentohen,  dokumentohet dhe firmoset çdo gjë dhe nuk mund të luhet me dokumentet e procesit zgjedhor.

– Sipas jush, cili mund të jetë kompromisi më i mundshëm që të kapërcehet ky ngërç?

– Ne kemi pranuar formulën e riformatimit të KQZ-së në raportin 4:3.

– Ai raport ishte në ngritjen e  parë të KQZ-së. E pranoni sërish raportin 4:3 në KQZ-në e re që kërkoni?

– Nuk vihet në diskutim fare raporti 4:3. Ajo që nuk pranojmë ne është dhunimi politik që iu bë KQZ-së, shkarkimet jashtëligjore dhe fakti që KQZ-ja trajtohet nga maxhoranca si strukturë politike, ndërkohë që Kodi Zgjedhor, e trajtojnë, jo vetëm për funksionet që ajo kryen, por që në momentin e formimit të saj, si struktura të pavarura, apolitike dhe që duhet respektuar mandati kushtetues i të gjithë anëtarëve të KQZ-së. Që do të thotë, që KQZ-ja duhet të kalojë në procesin e konstituimit në Kuvend, për shkak se ky kostituim është prishur.

 A mund të jenë legjitime zgjedhjet me  KQZ-në gjysmake?

Procesi zgjedhor në fakt, cenohet rëndë, sepse struktura kryesore në administratën zgjedhore është jashtë loje, por ky nuk është faji i opozitës, sepse detyrën kryesore e ka qeveria, e cila po tregohet reflektare me kokëfortësinë e saj ndaj procesit zgjedhor.

– Mund ta konsiderojë si sfidë politike mosmarrjen parasysh  nga ata që janë përgjegjës, të apelit të ndërkombëtarëve, për KQZ apolitike?

Berisha ka rënë në një kokëfortësi tipike e tij, e ndjen humbjen.  Në fakt unë them “kokëfortësi”, sepse populli e thotë budallallëk dhe që lënia e këtij ngërçi, krijon një situatë jonormale, që mund të përdoret nga Berisha, nesër, në rast se humbet zgjedhjet.

– E shikoni si një normalitet kushtetues ngutjen për  emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese e KLSH-së nga Presidenti dhe miratimin e tyre vetëm nga maxhoranca, pikërisht në finishin e këtij Kuvendi?

Jo nuk e shikoj si akt antiligjor. Në pikëpamjen formale është Presidenti ai që bën propozimin dhe Kuvendi që i miraton dhe janë respektuar përcaktimet ligjore për zgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të drejtësisë që ju përmendët. Ajo që është jo normale dhe jo e rregullt për procedurat  që ushtron Presidenti është mungesa e konsultimit të tij, në mënyrë serioze e në mënyrë të paanshme, sepse vihet re që pjesa më e madhe e atyre që janë propozuar, ndonëse formalisht janë juristë, nuk kanë kualitete profesionale për të qenë anëtarë të institucioneve kushtetuese të drejtësisë, plus që vijnë me prejardhje politike tërësisht të djathta.

– Atëherë, kjo gjendje në drejtësi a do të vështirësojë qeverisjen e majtë ( nëse fiton) që të zbatojë reformën që premton në Drejtësi?

– Këta anëtarë të institucioneve kushtetuese të drejtësisë, që janë emëruar njëanshmërisht e praktikisht, nëse do të punojnë mirë e në mënyrë të paanshme, do të qëndrojnë. Në të kundërt, do të hiqen, do të largohen. Natyrisht, kjo nuk përjashton edhe reformat e tjera që do të ndërmarrë maxhoranca e nesërme, për të reformuar seriozisht dhe në thellësi gjithë sistemin e drejtësisë,  e cila nuk vuan vetëm nga përbërja, por edhe nga vetë përmbajtja e ligjeve kryesore që e organizojnë këtë sistem.

Do t’u ndërpritet mandati kushtetues i anëtarëve të institucioneve të drejtësisë? A nuk do të bëni edhe ju, të njëjtën gjë, për të cilën akuzoni maxhorancën sot për anëtarin e KQZ-së?

– Do të respektohen të tëra kërkesat ligjore, që përcaktojnë kohën e mandatit dhe unë thashë që “do të hiqen, do të largohen”, vetëm në rast se ata nuk do të punojnë duke respektuar me përpikmëri e paanësi ligjin. Shkaqet për të vepruar mbi këtë arsyetim, nëse do të ketë, do të shqyrtohen e do të veprohet.

Si e vlerësoni sondazhin e dytë, lidhur me tendencën dhe preferencën e votuesve,  që ata kanë për partitë?

Unë nuk kam prirjen për t’i besuar me seriozitet të dhënat e sondazheve, por edhe në rastin e sondazhit konkret, do të mjaftohesha me atë përfundim, që ka një prirje që sjell të majtën në pushtet. Kuptohet, që kjo është prirje. Dje filloi zyrtarisht fushata zgjedhore  dhe që e Majta, shpresoj që të gjejë veten e të ngjallë besim, veçanërisht te elektorati i pavendosur, ose siç quhet, elektorati gri. Të gjejë veten, veçanërisht, te shtresat e moshës së re.

– Keni krijuar ndonjë bindje se cili do të jetë pragu minimal që mund të arrij e Majta në 23 Qershor?

– Unë kam bindjen e plotë se e Majta, do të arrijë të marrë, të paktën minimalisht 76 deputetë.

– Bashkimi PS-LSI erdhi si nevojë elektorale e tanishme, apo si domosdoshmëri për të riformatuar të Majtën?

– Është një nevojë historike bashkimi i së Majtës. Është një proces, që, për krahasim, mund të përmendim se ky proces ka ndodhur edhe në parti të majta të tjera europiane. Nuk është thjesht një proces i bashkimit të numrave dhe këtë bashkim real, padyshim, e bekoi edhe partiaku i së majtës shqiptare, Dritëro Agolli dhe Presidenti Mejdani.

 Përsa i përket debatit që hapen  se kush do të jetë kryeministër, është një debat i stisur, që i intereson segmenteve të caktuara, me qëllim që të turbullojnë mendjet e njerëzve, e kryesisht, elektoratin e majtë. Meta e ka treguar me vepra, që është korrekt me të tëra marrëveshjet deri në fund dhe natyrisht, do të jetë mëse korrekt edhe me marrëveshjen me PS-në.

 Spartak Braho, deputet i PS-së, i ardhur nga LSI-ja

 – Zoti Braho, ju jeni në listat e PS-së. Do të jeni deputet i PS-së, apo edhe pjesë e LSI-së?

– Unë e kam të vështirë të bëj një lloj ndarje. Zoti Rama në Konventën e Opozitës tha: “Treni i së Majtës është me 40 vagonë”, duke patur parasysh, që, simbolikisht, 1 vagon është 1 parti. Unë kam ardhur, deri  ditën që PS-ja më kandidoi në grupin e saj, në vagonin e LSI-së. Ajo që dua unë t’i bëj vërejtje Edi Ramës, është që ky nuk duhet të jetë më një tren me 40 vagonë, pasi trenat modernë  sot janë pa vagonë, janë të unifikuar. Madje- madje, do t’i thosha zotit Rama, që trenat e sotëm, nuk janë më me 2 shina, por me një shinë.

 Kandidatët e pavarur, në betejë pa municion

– E Majta u bashkua. Por, disa personalitete të saj,  si Malaj, Agron Duka, Prifti, për shkaqe të ndryshme, nuk u bënë pjesë e listave të së Majtës, dhe po kandidojnë të pavarur. Do të ketë rrjedhje të votës të së Majtës, aq sa ta dëmtojnë, për shkak të tyre?

– Nuk do t’i rezistojnë dot asaj që quhet betejë elektorale. Në mënyrë të ndarë nga këta të tre, unë kam konsiderata të ndryshme. Vlerësoj figurën e zotit Duka, si një ministër i suksesshëm i qeverisë së majtë Nano. Nuk është e menduar mirë fakti që nuk u vu në lista, por kjo nuk është fundi i botës. I këtij mendimi jam edhe për zotin Malaj, por një lloj egoje e çon të dalë i pavarur. Kurse Prifti, nëse konsiderohet kandidat potencialisht i pabazuar  është turp. Është vetëm një zagar fustanesh, që është turp, njëkohësisht, të futet në shtëpitë e qytetarëve të Fierit e Lushnjës dhe pabesia e tij morale është skandaloze. Një njeri tërësisht i dyshimtë, jo vetëm nga pikëpamja politike, por edhe mendërisht nuk është i saktë. Të tre kanë hyrë ne një betejë, por kjo  betejë do edhe fishekë. Municionet them se do t’u mbarojnë shpejt, sepse asnjëherë nuk kanë fituar kandidatët e pavarur në zgjedhjet politike.

 Gjinushi e Milo  me sjellje mistrecllëqe, ngaqë nuk do të jenë në Kuvend

 – Si mund ta vlerësoni thënien e zotit Gjinushi, i cili publikisht u shpreh, që më mirë Kryeministër Berishën, se Ilir Metën. Këto kontradikta brenda se Majtës, a nuk çoroditin elektoratin e Majtë?

– Ky është qëndrimi që ka mbajtur në vazhdimësi Gjinushi. Vazhdimi i kritikave të tij, pas nënshkrimit të marrëveshjes PS-LSItë Shkodrës, është, jo vetëm i pakuptimtë, por edhe kjo keqdashje e Gjinushit, dëmton aleancën, dëmton rezultatin, çon ujë në mullirin e Berishës.

– Keni përshtypjen që Gjinushi kritikën e bën me dashje?

– Nëse Gjinushi e Milo e bëjnë me dashje apo pa dashje këtë, unë nuk mund të them. Por, edhe nëse e bëjnë pa dashje, bëjnë këtë gabim të rëndë, që vazhdojnë  politikë me mistrecllëqe, qejfmbetje, me inate e xhelozi.

– Cila është arsyeja, nga ku nisen Gjinushi e Milo në kritikën, tashmë, jo parimore, ndaj Metës?

– Ato kanë vetëm një arsye, sipas gjykimit tim, faktin që Gjinushi e Milo nuk do të jenë pjesë përbërëse e trupit legjislativ, por nuk do të thotë, që të rrijë aty ku janë. Do t’u jepen ato vende, të cilat do të jenë në përputhje me rezultatet që do të marrin në 23 Qershor. U uroj që të kenë rezultate të mëdha, të mira. Bile, personalisht, unë do të sugjeroj, kuptohet, aq sa do të më ecë fjala, që zoti Gjinushi, të jetë pse jo dhe ministri i ardhshëm i Arsimit, i qeverisë së Majtë.

 – Faleminderit!