Spartak Braho:“Berisha, në sulm për të vjedhur zgjedhjet”

426
Sigal

 “Zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së, sipas dëshirës të PD-së, është një grusht shteti kundër shtetit të së drejtës”

Lirimi nga mandati i anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho, nga Komisioni i Ligjeve, me kërkesën e PD-së, e cila do që të balancojë raportet partiake në KQZ, për shkak se, ky anëtar i KQZ-së është propozuar nga LSI-ja, e çoi në kufijtë e kuq, konfliktualitetin politik parazgjedhor. Juristi i mirënjohur, Spartak Braho, në intervistën për “Telegraf”, e cilëson  këtë procedurë të PD-së, si një grusht shteti kundër shtetit të së drejtës. Zoti Braho e shpjegon se zëvendësimi i jashtëligjshëm i anëtarit të KQZ-së nga PD-ja bëhet për shkak të panikut  të humbjes, që e ka mbërthyer këtë maxhorancë.

– Zoti Braho, kërkesën e PR-së për të zëvendësuar anëtarin e KQZ-së, meqë u ndryshua konfiguracioni politik, nga ana juridike, ju si e gjykoni?

Nuk ka mendje juridike normale që të kërkojë një riformatim të KQZ-së. Vetëm mendjet diabolike, që kanë humbur logjikë, por edhe shpresën dhe që, përgatisin shkatërrimin e procesit elektoral; që përgatisin procesin e zgjedhjeve; normalitetin e tyre, kanë hartuar, pikërisht, këtë skenar, që ka filluar dje, me mbledhjen e KQZ- së. Vetëm për të miratuar këtë zëvendësim të anëtarit të KQZ-së dhe së dyti, miratimi në Komisionin e Ligjeve sot (dje) për lirimin e anëtarit të KQZ-së dhe sot në Kuvend, procedura për votim të emërimit të anëtarit të ri të KQZ-së.

Po vendimi i Komisionit të Ligjeve që të lirojë anëtarin e KQZ-së, në këtë nen të Kodit Zgjedhor  është i bazuar?

– Edhe unë pyes veten, ku e gjeti të drejtën Komisioni i Ligjeve që të vihet në lëvizje me një letër informuese të PD-së? Por shmangia e KQZ-së në këtë rast nga sulmi banditesk i PD-së bëhet se në KQZ, ajo nuk siguron numrin e nevojshëm të 5 votave për shkarkimin, pasi këtë e kërkon neni 24/1 i Kodit Zgjedhor. Kështu PD-ja ka zëvendësuar KQZ-në me Komisionin e Ligjeve, duke uzurpuar edhe institucionin e fundit që është ndërtuar me konsensus.

– Sipas Kushtetutës, KQZ-ja është institucion i depolitizuar, ku anëtarët, pavarësisht se, janë të propozuar nga partitë, nuk janë përfaqësues partiakë në KQZ. Si ka mundësi që Kuvendi të shqyrtojë kërkesën për  balancim partiak në KQZ?

– Pyetja juaj është në logjikën normale të analizës së gjërave. Në procesin për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së, për shkak të balancimit partiak, kemi të bëjmë me anormalitet. KQZ-ja është formatuar si një organ kushtetues i pavarur, që drejton dhe administron zgjedhjet. PD-ja, që ka vënë në lëvizje këtë çështje, është në delir, apo në një lloj çmendurie institucionale. Çështja është se, nuk diskutohet me parametrat ligjorë, juridikë, kushtetues, por me parametrat banditeske dhune. Këtu çështja gjykohet e vlerësohet politikisht. Edhe politikisht, kjo situatë është mjaft e kompromentuar, sepse në një moment që KQZ-ja, duhet të mblidhet për të organizuar e drejtuar zgjedhjet, për të realizuar kalendarin e saj, sepse edhe pak ditë duhen për të regjistruar  partitë pjesëmarrje në zgjedhje, angazhohet me probleme që janë të vendosura njëherë e mirë, e nuk ka bazë ligjore që të diskutohen. Natyrisht, largimi iLSI-së nga maxhoranca ka ngjallur një panik të paimagjinueshëm dhe Berisha përpiqet të gjejë mënyrën e shpëtimit të humbjes së sigurt të tij, vetëm duke shkatërruar institucionet kushtetuese, sikurse është KQZ-ja.

– Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Rusmajli, duke dashur të përligjë kërkesën e PD-së për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së, tha se, është e papranueshme që opozita të ketë maxhorancën e KQZ-së. Ç’do të thotë ky arsyetim i PD-së?

Më vjen keq, por ky deputet zbaton një porosi që ka dhënë drejtuesi i partisë së tij dhe të tilla zëra i dëgjuam edhe nga zoti Halimi, që është ministër i Drejtësisë e jurist, përsëriti të njëjtën gjë, që të vjen turp që një jurist, thotë këto gjëra. Këto argumente politizojnë situatën për të krijuar atmosferën që brenda disa orësh të bëjnë ndryshimin e parashikuar prej tyre, sikurse u bë edhe në 2008-n, me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, ku u penalizuanLSI-ja dhe partitë e vogla.

Faktori ndërkombëtar ka kohë që i bën apel klasës politike për rëndësinë e zhvillimeve të zgjedhjeve të 23 Qershorit, brenda standardeve demokratike, si vendimtare për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë. Kujt i shërben “hedhja në erë” e mirëbesimit të zhvillimit të zgjedhjeve të lira e demokratike?

Ky konfliktualitet i situatës parazgjedhore i shërben vetëm Berishës,  i cili dëshiron që Shqipëria të mos marrë statusin e kandidatit. Kjo sepse Berisha ka hequr tashmë dorë nga votimi i 3 ligjeve dhe kundërshton votimin e tyre. Berisha kërkon të prishë zgjedhjet, duke prishur  KQZ-në, një nga institucionet kushtetuese që administron e drejton zgjedhjet. Këto veprime destruktive  të Berishës, do ta mbajnë shumë larg, për shumë kohë akoma Shqipërinë nga procesi i integrimit. Faktori ndërkombëtar i di këto, është shumë i shqetësuar për marifetet e maxhorancës dhe besoj se, ka ardhur koha për të reaguar shumë më fort. Opozita nuk do të lejojë që një i marrë të prishë zgjedhjet e Shqipërisë. Dua të theksoj se votat, po nuk u numëruan  në KQZ, apo KZAZ-të, do të numërohen në shesh nga populli. Berisha e di shumë mirë. Që edhe me marifete të tilla,  ai është i humbur e do të izolohet.

Nëse nesër (sot) Kuvendi me 71 vota e miraton zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së, a mund të themi se standardi i zgjedhjeve është aksidentuar?

– Nuk ka më asnjë standard demokratik të garantuar, nëse Kuvendi merr një vendim të tillë. Nuk ka më standard demokratik të garantuar, derisa ka mbi 400.000 njerëz pa adresë zgjedhore. Nuk ka standard demokratik, sa kohë vihet, dorë mbi KQZ-në, sa kohë Berisha thur skenarë të tjerë ndërhyrjeje te KZAZ-të. Kështu që, nuk bëhet më fjalë për normalitet dhe standarde demokratike të zgjedhjeve, por për qëllim që të shkatërrohet procesi i zgjedhjeve.

A mundet Kuvendi të shqyrtojë zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së vetëm për arsye politike, e jo për ato që ka parashikuar Neni 18 i Kodit Zgjedhor?

– Jo. Nuk është një rrugë e parashikuar nga Kodi Zgjedhor. Anëtarët e KQZ-së kanë mandat 6-vjeçar dhe shkaqet e shkarkimit të tyre janë të parashikuara në Nenin 18 të Kodit. Në asnjë rast, nuk jemi përpara fakteve që një anëtar i KQZ-së, e ca më tepër anëtari i propozuar ngaLSI-ja, të ketë shkaqe për t’u shkarkuar, për shkak se emërimi apo qenia e tij në KQZ është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Prandaj them, që kjo maxhorancë e çmendur përgatit grushtin e shtetit institucional.

– Juridikisht, si do ta përkufizonit këtë procedurë të PD-së?

– Është një provë  force që demonstron PD-ja, e cila në kushtet e panikut, kërkon të bëjë gjithçka. Tashmë, unë kam bindjen, që opozita duhet të shtrëngojë radhët dhe liderët e saj, duhet të dalin hapur në fushën e betejës.

Objektivi i vërtetë i PD-së është kaq i thjeshtë, sa të ndryshojë raportin politik në KQZ?

Preteksti ky është. Të ndryshojë raportin politik vendimmarrës në KQZ, që pastaj ta përdorë në favor të interesave të ndryshimit të rezultatit, e veprimeve të tjera, që ata mendojnë të kryejnë nëpërmjet këtyre strukturave zgjedhore, sikurse janë KQZ-ja, KZAZ-të. Në fund të fundit, të gjitha këto përmblidhen  me qëllimin final të Berishës. Vjedhjen e votave në të gjitha hallkat dhe manipulimin e rezultateve.

Meqë shkeljet kaq flagrante Kodi Zgjedhor me këtë procedurë, ndërkombëtarët, që janë ngarkuar të monitorojnë procesin zgjedhor, a duhet të reagojnë?

– Natyrisht, kjo është e paimagjinueshme për ne. Vaj halli për ndërkombëtarët. Kështu që, kryerja e këtyre procedurave në mënyrë të shpejtuar, siç është mbledhja e Komisionit të Ligjeve, urgjent ditën e sotme (djeshme) dhe miratimi nga ky komision  i kërkesës së PD-së, për t’ja kaluar nesër (sot) Kuvendit për ta miratuar shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, nuk do t’u lërë kohë ndërkombëtarëve për të reaguar. Jemi para faktit të kryer. Berisha përdor shpejtësinë si hile e armë, për të bërë fakt të kryer, që të detyrojë opozitën, që të pranojë. Për logjikën time, ndërhyrja e ndërkombëtarëve duhet të jetë e fortë, por edhe ndërkombëtarët ndërhyjnë, aq sa të mos u prishet filozofia e tyre: “Shqiptarët kështu janë, kështu i zgjidhin problemet dhe në fund të fundit, janë punët e tyre të brendshme. Duan të qëndrojnë jashtë BE-së, le të qëndrojnë”. Pra, ndërkombëtarët janë të kufizuar në ndërhyrjet e ashpra, të drejtpërdrejta, aq më tepër që kanë të bëjnë me Berishën, që e njeh  këtë filozofi politike dhe që përpiqet të imponohet  me veprimet e tyre me rrugën e forcës e të faktit të kryer.

Nëse arrihet të votohet me 71 vota ky zëvendësim i anëtarit të KQZ-së, edhe pse, sipas pretendimeve të opozitës,  në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, a bie tërësisht koncepti i “Shtetit të së drejtës” për të cilën aspirojmë të ndërtojmë?

Kur themi që kjo çështje do të realizohet në Kuvend, sipas skenarit që shpjeguam  më sipër, jo vetëm koncepti i shtetit të së drejtës që nuk ekziston, por nuk ekziston më as shteti, as e drejta dhe as institucionet. Nuk ekziston më as ligji, as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor.

–  Kush do ta paguajë këtë kosto politike?

– Ekziston vetëm një katrahurë e tërë që padyshim, goditjen kryesore do ta hajë Shqipëria, ajo aspiratë që ne duam të realizojmë. Integrimi.

Një fitues,  me zgjedhje që nuk zhvillohen me standarde demokratike, a do të ketë vlerë për Shqipërinë dhe shqiptarët?

Sikurse u bënë zgjedhjet në Maqedoni, ku pati parregullsi, ashpërsia e luftës etnike është shumë e madhe, betejat elektorale ishin të ashpra, por të tilla gjëra nuk u panë. Është e paimagjinueshme, që rasti i këtyre gjerave është paprecedentë në të gjitha vendet që quhen demokratike. Një parti që shkel standardet demokratike të zgjedhjeve, përpiqet për pushtetin e tij në dëm të vendit e popullit të vet.

-Faleminderit!

Zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së është grusht shteti institucional

– Ju nga ana juridike, si mund ta cilësoni këtë procedurë të lirimit të një anëtari të KQZ-së?

– E thënë troç, ky është një grusht shteti institucional. Dëshmon qartë që Berisha dëshiron të vjedhë zgjedhjet. Bëhet “blic fring”, në mënyrë të rrufeshme, për arsye që ta bëjë fakt të kryer dhe të mos u japë mundësi as institucioneve monitoruese, faktorit ndërkombëtar që të reagojnë për këtë fakt mjaft skandaloz. Le t’i referohemi ligjit, pra Kodit Zgjedhor për këtë procedurë. Neni 14 parashikon mandat 6-vjeçar të anëtarit të KQZ-së dhe formulën e betimit, që e cilëson atë jo më si figurë politike, por si një figurë me integritet, e paanësime profesionale. Në nenin 14 të Kodit parashikohet mënyra e zgjedhjes së anëtarit të KQZ-së, nga Kuvendi, në themel të së cilës është miratimi me konsensus. Në nenin 18 parashikohen 7 rastet e ndërprerjes para kohe të mandatit të anëtarit të KQZ-së, ku vlen të theksohet se në asnjë prej rasteve nuk parashikohet shkarkimi apo lirimi për shkak të ndryshimit të konfiguracionit politik. Nuk është marrëzi për Astrit Patozin që nuk njeh ligjin, një formulim të tillë, por në gojën e Rusmajlit, kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Halimit, ministrit të Drejtësisë, që janë juristë, kjo është sa qesharake, aq edhe turpëruese. Sipas kësaj logjike, edhe pas 23 Qershorit, kur do të ketë ndryshime të konfiguracionit politik, KQZ-ja do të ndryshohet sërish, ndërkohë që, nuk ka ndodhur ky precedent me komisionerin e PSD-së, i cili e mbylli të plotë mandatin e tij, edhe pse partia e tij, nuk u përfaqësua në Kuvend, në 2009-n. Ose, sipas kësaj logjike, 3 deputetët e PS-së, që u konfiguruan politikisht te PD-ja, t’u hiqet mandati i deputetit. Është në themel të frymës së Kodit Zgjedhor se KQZ-ja është institucion kushtetues i pavarur nga partitë, që i propozuan, por të varur vetëm nga Kushtetuta, të pavarur dhe anëtarët e saj nga partitë që i kanë propozuar, por të varur vetëm nga Kushtetuta dhe ligji zgjedhor, për 6 vjet që ushtrojnë funksionet e tyre. Të vijmë te pika 2 e nenit 18 të Kodit Zgjedhor, i cili parashikon se anëtarët e KQZ-së shkarkohen nga Kuvendi pas propozimeve që bën KQZ-ja, për rastet e parashikuara në pikat a, d, dh, dhe të pikës 1 të nenit 18 dhe për rastet e daljes në pension, vdekjes, apo dënimit penal, vihet në dijeni Kuvendi. Ky është ligji.