Spartak Braho: Tom Doshi dhe Dritan Prifti kërkojnë të destabilizojnë vendin

843
Janë disa institucione shtetërore që janë njohur me një letër të kryetarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho, e cila sjell në mënyrë të detajuar një plan për destabilizimin e vendit. Emra, data takimesh, lëvizje deputetësh e personazhesh të njohur të jetës politike e publike, takime të fshehta e thurje skenarësh… Një letër e gjatë që në mënyrë të detajuar përpiqet të formojë një pazëll, në pjesët e të cilit shfaqet plani destabilizues, përmes goditjes së Ilir Metes. Presidenti i Republikës Bujar Nishanit, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Prokurori i Përgjithshëm, Ministri Drejtësisë, kreu i policisë dhe ai i SHISH e kanë në dorë këtë dokument. Kryetari i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho u shpreh shqetësimin krerëve të institucioneve më të larta të shtetit tonë se plani destabilizues ka për regjisorë, Tom Doshin dhe Dritan Priftin. Sipas deputetit Braho, Tom Doshi dhe Dritan Prifti po përdorin individë me poste shtetërore dhe influencë politike për të devijuar përmes premtimesh e kërcënimesh akuza të paqena në drejtim të Kryetarit të Kuvendit Ilir Metës. Letra e deputetit Braho përmban edhe emrat e disa prej këtyre individëve.

 Spartak Braho përmend faktin se është thuajse e njëjta skuadër që iu kundërvu Metës në rastin kur, Tom Doshi deklaroi se kryeparlamentari Meta kishte paguar për të vrarë atë dhe Mhill Fufin. Edhe në këtë rast, sqaron deputeti Braho, siç u provua nga prokuroria dhe gjykata, e gjitha ishte një sajesë që synonte goditjen e Metës dhe shkaktoi jo pak tensione në politikë dhe shoqëri. Spartak Braho shkruan, se Tom Doshi po ushtron presion mbi familjen e Kastriot Ismailajt, biznesmenit të arrestuar, pronarit të kompanisë DIA, e cila mblidhte borxhet e CEZ, për aferën CEZ që të dëshmojë kundër Ilir Metës. Për këtë deputeti Braho përmend disa prova. Spartak Braho flet për një takim të Doshit me bashkëshorten e Ismailajt, Vojsava Ismailajn. Takimi është zhvilluar në një nga lokalet e hotel Sheraton, të mërkurën e javës së shkuar. Braho jep me saktësi datën dhe orën e takimit. Për këtë kërkon që të sigurohen pamjet e kamerave të sigurisë së hotel Sheraton. (Bashkëshortja e Kastriot Ismailaj në intervistën e djeshme e pohon këtë takim të saj me Doshin). Pas këtyre detajeve, deputeti Braho sqaron edhe arsyen e takimit. Tom Doshi, -shkruan deputeti Braho i ka premtuar Vojsava Ismailajt mbrojtje, shuma të konsiderueshme parash dhe dërgimin e saj bashkë me familjen jashtë shtetit, vetëm që Ismailaj të dëshmojë kundër Metës. Në këtë mënyrë, sipas Tom Doshit, ai do të lehtësonte edhe pozitën e tij, pasi mund të bëhej dëshmitar i mbrojtur. Një qëndrim i tillë i sajuar, sipas deputetit Braho ka për qëllim vetëm goditjen e kryetarit të Kuvendit Ilir Metës, icili do të shkaktonte trazira në vend. Takimi i zhvilluar në Sheraton nuk është mohuar, as nga Tom Doshi e as nga Vojsava Ismailaj. Të dy kanë deklaruar dje publikisht se njihen prej shumë kohësh dhe se takimi ka qenë rutinë. 

Pas publikimit të lajmit për ekzistencën e letrës, Vojsava Ismailaj dha një intervistë dje, ku tha se gjatë takimit me Tom Doshin, të cilin kishte kohë pa e takuar edhe pse e njihte prej 15 vjetësh, ata nuk kishin folur për Ismailin. Tom Doshi, sipas saj e kishte pyetur vetëm se çfarë bëhej me Kastriotin dhe ajo i kishte thënë se ai ndodhej në paraburgim. Kaq. Asgjë më shumë. Thua se Tom Doshi duhej të takonte gruan e Ismailaj, për të mësuar që ai ndodhet në paraburgim. Bashkëshortja e Ismailaj thotë se letra është një kërcënim që i bëhet Kastriotit që të heshtë në arbitrazhin mes kompanisë së tij DIA dhe CEZ. Tom Doshi gjithashtu tha se ishte një takim rutinë. Por para se të vihej në dijeni për ekzistencën e letrës së Brahos, Doshi foli për aferën CEZ dhe sulmoi Ilir Metën nga Gjykata e Lartë, ku u përball me Spartak Brahon. Të gjithë aferën CEZ, Doshi ia faturoi Ilir Metës. Letra e Brahos përmban të dhëna edhe për sa i përket përpjekjeve të Doshit e Priftit përmes disa individëve për të bindur përmes kërcënimeve, apo ofertave të ndryshme Kastriot Ismailajn që të dëshmojë kundër Metës. Deputeti Braho thotë se muajin e fundit individë të caktuar kanë kontaktuar me Ismailajn në burg dhe i kanë kërkuar ta “shesë” Metën për të shpëtuar veten. I kanë dërguar mesazhe se ata po veprojnë nën mbështetjen e kryetarit të opozitës Lulzim Bashës, ambasadorit amerikan Donald Lu, madje edhe të vetë kryeministrit Edi Rama. Letra e Brahos përmban edhe data të takimeve të këtyre individëve me Kastriot Ismailaj dhe emra të tyre. Për këtë arsye ai u kërkon autoriteteve ta vënë nën mbrojtje të veçantë familjen e Ismailajt dhe vetë atë edhe pse gjendet në burg. Braho përmend edhe inskenimin e kërcënimit të dëshmitarit të arbitrazhit, ish –drejtorin ekzekutiv të DIA, Elvis Mataj, si një tjetër përpjekje të grupit që po sulmon Metën, i njëjti grup sipas tij që realizoi videon me Durim Bamin. Edhe dalja e Dritan Priftit në mbrojtje të tij, thuhet në letër është pjesë e skenarit destabilizues. Letra e Brahos u kërkon institucioneve ta vlerësojnë këtë situatë në këtë këndvështrim, si sulm ndaj stabilitetit të vendit. Për këtë arsye në letër kërkohet që të merren masa edhe për të mos devijuar hetimin në aferën CEZ – DIA, pasi hetimi mund të devijojë në një zhvillim të rrezikshëm me pasoja për vendin.
Sigal