Spartak Braho: Shteti shqiptar të riangazhohet drejt strukturave të sigurisë kombëtare

417
Sigal

  Zoti Braho, Greqia zhvilloi zgjedhjet parlamentare dhe Syriza i fitoi ato. Sa ndikon kjo tek marrëdhëniet me shtetin grek dhe tek siguria jonë kombëtare, duke ditur se kemi ende çështje të hapura mes dy vendeve?

 Një përshtypje e parë është se ata brenda pak orëve nxorën rezultatin dhe dëshmon për një demokraci të zhvilluar dhe një seriozitet në zgjedhje, pavarësisht problematikës që ata kanë. Zgjedhjet e parakohshme janë gjithmonë të vështira. Me këtë rast unë i uroj fitoren Syrizas dhe të Tziprasit. Kam pasur rastin ta takoj në vitin 1998, ishte përfaqësues i rinisë në Partinë Smoja që ishte në atë kohë. Ju shtroni problemin nëse cenohet siguria kombëtare, nuk ka asnjë problem.

  Z. Braho, ju njoftuat një seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm. Përse do të njoftohet kjo seancë?

 Seanca me ministrin e Brendshëm për një raportim normal të tij. Janë disa raportime për të cilat komisioni thërret Ministrinë e Brendshme, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Shërbimin Informativ, Drejtorinë e Pastrimit të Parave, lidhur me problematikën e luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar që është një problematikë.

 Ka elemente konkrete që mund të gjykohen shqetësuese?

 Po ka element konkret. Fakti që kemi disa ngjarje të rënda kriminale që lidhen jo vetëm me zbulimin e arsenalit të madh të prodhimit të drogave, por edhe me ngjarje të tjera siç është përdorimi në aksione kriminale të eksplozivit. Por ju shikoni se ngjarjet e Francës kërkojnë një riangazhim drejt strukturave të sigurisë kombëtare të shtetit shqiptar.

 Z. Braho, ju e përmendët që kohët e fundit ka pasur një valë të shpërthimeve me eksploziv. Si kryetar i Komisionit të Sigurisë, a gjykoni se diçka po çalon në problematikën e sigurisë dhe rendit në vend?

 Jo, nuk besoj se po çalon. Është një dinamikë që po ripërsëritet. Policia ka arritur suksese të rëndësishme në këtë periudhë, por edhe krimi është në ofensivë. Gjykoj që goditjet do të jenë të forta pasi janë marrë të tëra masat për zbulimin e autorëve, por edhe për zbulimin e këtyre grupeve kriminale që shpesh herë veprojnë me porosi për të krijuar këtë situatë.