SPAK nis hetimet për kryebashkiakun e Bulqizës

155
Pas publikimit të një video në të cilën pretendohet se shfaqet kreu i Bashkisë Bulqizë Lefter Alla duke konsumuar drogë, Prokuroria e Posaçme njoftoi fillimin e hetimeve kryesisht mbi akuzat e posedimit të lëndëve narkotike. Alla i ka mohuar akuzat.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur me akronimin SPAK, njoftoi të enjten fillimin e hetimeve ndaj kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla. Kreu i SPAK Arben Kraja i tha BIRN në një bisedë telefonike se hetimet kishin filluar kryesisht për “veprat penale të parashikuara në nenin 283, paragrafi i parë i Kodit Penal”, i cili i referohet, prodhimit, shitjes dhe mbajtjes së lëndëve narkotike.

Sipas ketij neni, “kjo vepër, kur kryhet në bashkepunim, ose me shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet”.

neni

Një video e publikuar të mërkurën nga gazetari Artan Hoxha në televizionin ABC News, e marrë nga kamerat e sigurisë së një lokali, pretendohet se tregon Allën duke konsumuar kokainë në banak. Hoxha tha gjatë bisedës televizive kur u trasmetua video tha se “nuk kishte asnjë dyshim”, që personi që shfaqej në video ishte Alla.

Pak orë para se të shfaqej video Partia Demokratike përmes ish-deputetit Ervin Salianjin denoncoi Allën me emër. “Opinioni publik është tronditur sot nga pamjet sesi kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama, është duke konsumuar kokainë”, deklaroi Salianji.

Kryebashkiaku Alla mohoi akuzat në disa postime në faqen e tij në Facebook dhe pretendoi se video ishte montuar nga Partia Demokratike, ndërsa tha se do të depozitonte një padi ndaj ish-deputetit Ervin Salianji. Ai pretendoi se do priste zbardhjen e ngjarjes nga drejtësia. “Prandaj deklaroj se unë do të pres zbardhjen e çdo vepre penale nga drejtësia. Kushdo që më akuzon mua të presë veprimet e Prokurorisë dhe vendimin përkatës të Gjykatës”, shkroi Alla.

Gazetari Artan Hoxha gjatë intervistës për ABC News për transmetimin e videos, bëri me dije se video ka qarkulluar prej disa javësh dhe është bërë pas betimit të Allës si kryebashkiak. “Është një rast që përbën problem. Kemi të bëjmë me njerëz që janë zgjedhur me votën e qytetarëve dhe marrin vendime për të mirën e qytetarëve”, u shpreh Hoxha.  Përndryshe Alla pretendoi se ishte në dijeni të videos sipas tij të montuar prej një viti.

Ndërkohë të enjten Partia Demokratike përmes një deklarate nga ish-deputeti Gent Strazimiri akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mbronte Allën nga arrestimi. “Edi Rama i Tiranës mbron nga arrestimi dhe ndjekja penale Edi Ramën e Bulqizës, i kapur duke konsumuar kokainë në një mjedis publik”, thuhet në reagim.

Denoncimi dhe hetimet ndaj Allës i bashkohen një liste hetimesh të nisura nga denoncimet e bëra nga Partia Demokratike kundër kryebashkiakëve socialistë të zgjedhur në zgjedhjet e qershorit 2019 kryesisht për mosdeklarim të dënimeve dhe shkelje të ligjit të dekriminalizimit.  Nga të denoncuarit Valdrin Pjetri që ishte i vetmi kandidat për Shkodrën nuk e mori mandatin, ndërsa ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është shpallur në kërkim dhe akuzohet nga prokuroria për dy akuza falsifikimi dhe një për ushtrim detyre pas shkarkimit. Të dy mbajtën qëndrime mohuese ndaj akuzave. Akuza janë ngritur ndaj kryebashkiakëve të Vaut të Denjës, Mallakastrës dhe Matit.