Spaho: Rama hap ekspozita në Hong-Kong kur ekonomia po shkon në humnerë

508
Situata ekonomike në vend dhe raporti i fundit i Bankës Botërore për lehtësitë e të bërit biznes, ku Shqipëria kishte shënuar ulje me 35 vende, është bërë objekt diskutimesh në seancën e sotme parlamentare.
Por pavarësisht vlerësimit të BB-së ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, u shpreh sot se ekonomia shqiptare po rritet, ndonëse rajoni po kalon një periudhë të vështirë.
Sipas tij ekonomia është rritur me 2.8% në krahasim me një vit më parë, ndërsa sa i përket investimeve të huaja Ahmetaj tha se në gjashtëmujorin e dytë të vitit ato janë shtuar me rreth 34% më shumë se gjashtëmujori i parë.
Po ashtu Ahmetaj tha se vetëm në muaj, janë hapur mbi njëqind vende të reja pune të formalizuara.
Nga ana tjetër deputeti demokrat Edmond Spaho tha se rritja e pretenduar e ekonomisë nga qeveria, është veçse demagogji dhe këtë gjë e tregoi më së miri raporti i fundit i Bankës Botërore.
“Për Ramën ekonomia është në drejtimin e duhur, punësimi është rritur, të ardhurat janë rritur, kemi rritje ekonomike, reformat po bëhen e populli është i kënaqur. Në diskutimin që unë bëra iu përgjia atij se po flet me demagogji pasi qytearët nuk ndjejnë asnjë arritje. I kujtova që sipas një raporti të institucioneve ndërkombëtare Shqipëria renditet e fundit për rritjen ekonomike. Shqipëria ishte e vetmja që kishte përkeqësim, në paga dhe papunësi. Pagat ishin ulur dhe papunësia po ashtu”, tha Spaho.
Më tej ai u shpreh se paratë e investimeve shkojnë për jaguar, në vend që me to të hapen rrugë, shkolla e spitale.
“I thashë Ramës që shqiptarët po ikën në Gjermani, më tha jo po ikin nga greqia. Ka dy ditë që shqiptarët në Gjermani po kthehen në Rinas dhe Rama duhet të shkoj t’i presë atje dhe jo të bredh duke hapur ekspozita në Hong Kong. Nuk është detyra e tij të hap ekspozita por të qeverisë. Akoma më të çuditshme bëhen reagimet e qeverisë. Na thonë jemi në drejtimin e duhur. Humnera, qenka drejtimi i duhur. Jeni bërë si Ali Komiku, ai thoshte jemi mirë, kur forcat amerikane drejtoheshin drejt Bagdatit”, u shpreh Spaho duke shtuar se Shqipëria duhet të marrë shembull nga Maqedonia.
Në përfundim të fjalës së tij Spaho iu drejtua ministrit Ahmetaj: “Ministrit të Ekonomisë po i them se para se të dilte raporti i BB-së, të kishim si balonën me ngjyra, nga ato që t’i pikturon Rama, raporti t’i hoqi ngjyrat, ke mbetur balonë”. 
Sigal