Spahiu i LSI-së: Programi “Rama 2” më i frikshëm se ai i pari, i mbushur me premtime boshe

702
Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu zbulon se për efekt kohe fjala e tij dhe e shumë deputetëve të tjerë është hequr nga rendi i ditës i punimeve të parlamentit.
Ai shkruan se programi Rama 2, është edhe më i frikshëm se i pari që, edhe pse rrenacak dhe me premtime boshe për të ardhmen, gjithsesi mund të quhej një program.
Sipas tij deri në vitin 2021, përveç orës, shumë pak gjëra kanë për të lëvizur përpara.
Fjala e plote
Të nderuar miq, bashkëqytetarë të mi, ju përshëndes të gjithëve!
Për arsye kohore, unë së bashku edhe me kolegë të tjerë deputetë të Kuvendit, u tërhoqëm nga e drejta për të mbajtur fjalimin tonë, mbi programin e prezantuar nga qeveria ditën e djeshme.
Më poshtë, ju njoh me fjalimin e plotë të pregatitur për programin e qeverisë.
I nderuar zoti Kryetar. 
Të nderuar kolegë deputetë
Sikur t’mos kishim provuar premtimet dhe realizimet e qeverisjes “Rama 1”, sot do të ishim këtu në këtë sallë, pozitë dhe opozitë, për të debatuar për Shqipërinë e vitit 2021, sipas asaj që ëndërron, dhe na prezantoi “Rama 2”. 
Pa dashur të ndalem te Rama 1, sepse atë tashmë e kemi në lëkurë të gjithë, programi Rama 2, është edhe më i frikshëm se i pari që, edhe pse rrenacak dhe me premtime boshe për të ardhmen, gjithsesi mund të quhej një program. Më vjen keq ta them, por edhe një njeri me pak njohuri për ekonominë, e kupton se deri në vitin 2021, përveç orës, shumë pak gjëra kanë për të lëvizur përpara. 
Që sot, “shoferi” ynë po i thotë pasagjerëve: “Lidhni rripat, se do Ju përplas”.
Sa i përket programit, bie ne sy fakti që flitet me objektiva te përgjithshme, pa parashtruar qartë sesi do të arrihen këto objektiva.
Rritja ekonomike e katër viteve të shkuara nuk u përkthye në rritje të mirëqënies së qutetarëve të Shqipërisë e as në ulje të pa punësisë. Shifra që dëgjuam sot nga Ministri, se papunësia ka rrënë ne 13%, ose është e gënjeshtër ose ka llogaritur dhe punësimet e emigrantëve në Gjermani e gjetkë!
Lufta kundër informalitetit mbetet prioritet edhe këtë mandat qeverisës. 
Ndërkohë akoma nuk është bërë një analizë e qartë e efekteve që patën gjatë mandatit të parë ndryshimet e legjislacionit tatimor apo edhe kërbaçi ndaj biznesit në shtator të vitit 2015. 
A ndikoi rritja me 50% e tatimit mbi fitimin për bizneset në uljen apo rritjen e informalitetit? A ndikoi mos tatimi I biznesit të vogël me xhiro deri në 5 mln lekë në uljen apo rritjen e informalitetit? 
Janë disa nga pyetjet të cilat në katër vjet qeverisje duhet të kishin një përgjigje të qartë tashmë!
Ulja e tatimit mbi dividendin ne 6% do të sjelli me siguri lindjen e skemave për evazion fiskal nga bizneset e mëdha, e po ashtu tregon qartë që Ju ose nuk kuptoni çdo të thotë tatim i ndershëm ose e bëni me qëllim, favorizimin e fituesve të mëdhenj të Fitimit. 
Aplikimi i një tatimi të sheshtë, do të ishte zgjidhja optimale e këtij problemi, dhe fakti nëse shpërndahet ose jo dividend nga shoqëritë, duhet të ndiqet nga hallkat e tjera të kontrollit tatimor. 
Duket sikur Rama 2 është qeveria e rotacionit politik, sikur ajo cka ndodhur në katër vitet e shkuara nuk i përkasin fare po të njëjtit kryeministër. 
Duke mos analizuat qartë investimet e kryera në mandatin e kaluar, po vazhdohet me gabimet e legjislaturës së shkuar, siç janë edhe vete PPP-të të cilat nuk u kuptua asnjëherë çfarë efektesh pozitive patën 4 vjeçarin që kaloi. Paketa “1 Miliard” është e dyshimtë për mënyrën si do të manaxhohet dhe si do të jetë burimi i kapitaleve privatë të investuara në këto projekte.
Tatimi progresiv mbi të ardhurat do të vazhdojë të jetë penalizues për shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme të shoqërisë (kjo e pranuar edhe nga studimi i FMN-s). Vazhdon tatohet më shumë puna se fitimi. Dhe pavarësisht kësaj, progresiviteti do të vazhdojë të jetë në qëndër të filozofisë fiskale edhe gjatë këtij mandati. 
Se nga buron ky vullnet për të ecur në rrugë të gabuar nuk arrij ta kuptoj dot!!! 
Nuk kuptohet se si do të ndihmohen familjet e reja për blerjen e shtëpisë së re duke njohur si të zbritshme interesat e kredisë, kur shumica e këtyre familjeve nuk kalojnë kufirin e 2mln lekë të ardhura vjetore, në mënyrë që tu lindi detyrimi për deklarimin vjetor të të ardhurave dhe rrjedhmisht ti zbriten interesat e kredisë për efekt shpenzimesh. 
Aplikimi i një tatimi të sheshtë, eliminimi i kostove të fshehta për bizneset (gjobat e tatimorëve etj), eliminimi i burokracive dhe nxitja e thjeshtëzimit të proçedurave tatimore duhet të jenë prioritet të cilat do të ndihmojnë në uljen e informalitetit, dhe rritjen e të ardhura buxhetore nga tatimet dhe doganat. 
Për doganat fatkeqësisht mund të thuhet se vazhdojnë të jenë porta hyrëse e turpit për të gjitha bizneset në Shqipëri. Burokracitë, proçedurat e dyshimta të aplikuara sipas oreksit të doganierit të rradhës, i bëjnë doganat emblemën kryesore të informalitetit dhe korrupsionit në vend!
Bashkimi i Doganave me Tatimet duhet të jetë i mirëstudiuar sepse në fazën fillestare pritet të sjellë me siguri një ulje të të ardhurave buxhetore, deri në 15%, krahasuar me realizimet aktuale të këtyre dy Institucioneve. Kjo me siguri nuk do të çojë në uljen e borxhit publik në shifrat e synuara nga kjo qeveri në mandatin e dytë. 
Në përfundim të fjalës time mund të them se kjo qeveri do të meritonte votën time pro nëse:
Do të kuptonte që zhvillimi ekonomik i vëndit duhet të meritonte më shumë se gjysëm faqe në revistën e saj të përrallave 2017 – 2021.
Do të reflektoheshin në të, parimet e të majtës moderne Europiane.
Do të lëxoja se si do të zbutet varfëria në shifra reale dhe si do të ulet papunësia, sidomos për të rinjtë e sapo-diplomuar.
Do të garantohej një sistem taksimi nxitës për bizneset nëpërmjet një reforme ambicioze fiskale e cila do e bënte Shqipërine atraktive për bizneset e huaja dhe vëndase.
Nëse do të ngjallte shpresën për të hequr nga goja e mbi 80% e shqiptarëve shprehjen “ishalla po gjejmë ndonjë mundësi për të ikur, pasi këtu nuk rrihet më”
Duke qenë se nuk gjej asgjë për sa kërkova më sipër në këtë revistë, deklaroj votëm time kundër këtij programi qeverisës.
Faleminderit!
Sigal