Spahia: Shërbimi u përmirësua, Bushati shpif

462
Sigal

Reagon Nausika Spahia, ish-konsulle e Përgjithshme e Shqipërisë në Milano

Ish -konsullja shqiptare në Milano, konsideron akuzat e ngritura ndaj saj për shpërdorim detyre, si fushatë shpifjeje dhe mashtrimesh, për përfitime politike. Në një deklaratë për mediat, ajo thotë se, shërbimi në Konsullatë është përmirësuar ndjeshëm. Spahia thotë se, Kryeministri Rama dhe ministri Bushati, gënjejnë në mënyrë të paskrupullt, kur shprehen për abuzime me shërbimin Call Center.

Sipas saj, si për çdo veprim tjetër, ashtu edhe në këtë rast, Ministria e Jashtme ka qenë e informuar në detaje gjatë gjithë kohës. Gjithashtu, Spahia thotë se asnjëherë nuk ka firmosur transferimin e 45 mijë eurove për asnjë kompani. Në vijim Nausika Spahia paraqet një informacion të detajuar, që hedh poshtë akuzat e drejtuara nga Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme.

 1)   Menaxhimi i pasaportave biometrike me Call Center

Kryeministri dhe Ministri gënjejnë në mënyrë të paskrupullt kur shprehen për abuzime me shërbimin Call Center. Si për çdo veprim tjetër, ashtu edhe në këtë rast, MPJ ka qenë e informuar në detaje gjatë gjithë kohës. Marrja e vendimit për menaxhimin e situatës emergjente dhe kritike në momentin e daljes jashtë përdorimit të pasaportave te vjetra, është bërë në koordinim të plotë me kabinetin e Ministrit Haxhinasto, i cili ka dhënë aprovimin dhe udhëzimin, që përveç Call Center, të ofrohet shërbimi edhe nëpërmjet platformës elektronike (e-mail). Ky aprovim është dhënë nga Kabineti i Ministrit Haxhinasto dhe firmosur nga Drejtori i Drejtorisë Konsullore z. Bala. Ndërkohë që në shkesat e mia të protokolluara (p.sh. nr prot. 57, dt 26.03.2012, drejtuar Drejtorit të Kabinetit të Ministrit Haxhinasto, z. Ilir Melo dhe përcjellë edhe Drejtorit të Drejtorisë konsullore, z. Bala) kërkoj ndër të tjera që të aktivohen numra jeshilë, pra falas, për qytetarët.

Komunikimi me Kabinetin e Ministrit dhe Drejtorinë Konsullore është i protokolluar pranë MPJ,  Konsullatës në Milano dhe Ambasadës Shqiptare në Romë.

 2) Ministri i Jashtëm Bushati deklaron mbylljen e Call Center nga ana e qeverisë “Rama”

Gënjen, sepse mbyllja e kontratës me Call Center është bërë me kërkesën time, menjëherë, pas reduktimit drastik të kërkesave për aplikime. Kjo ndodhi pa ardhur akoma në detyrë qeveria “Rama”. Kopje e zgjidhjes së kontratës është përcjelle në MPJ. Pra, Ministri Bushati po gënjen hapur qytetarët shqiptarë. Call Center-i ka qenë një zgjidhje e përkohshme në një situatë emergjence, më e mira zgjidhje e mundshme në atë moment dhe mbi të gjitha e bashkëgjestisur dhe me miratim të MPJ-së, e cila ka çdo kopje kontrate dhe detajim të veprimeve konsullore.

Thënë kjo, Call Center-i ka qenë një nga zgjedhjet e mundshme për qytetarët, të cilët kanë pasur në dispozicion edhe e-mail-in, postën, apo paraqitjen direkt në zyrë.

 3)   Ministri mashtron hapur për 45,000 euro për kompaninë e Call Center-it

Asnjëherë nuk kam firmosur që të transferohen 45,000 euro për asnjë kompani. Është vetëm shpifje që e dëgjoj ne media. MPJ merr nga konsullata çdo muaj raport të hollësishëm financiar mbi gjendjen bankare dhe mbi pagesat e bëra. Ka çdo pasqyrë mujore të lëvizjeve bankare.

 4)  Rënia e rrethimit të sekserëve

Heqja e radhëve në Konsullatë ka tërbuar sekserët, që për vite me radhë, gjatë qeverisjes së partisë së z.Rama, kanë zhvatur emigrantët shqiptare dhe që sot pretendojnë të rifillojnë aktivitetin e tyre si diplomatë brenda Konsullatës.

 5) Zhdukje evidence e dokumentacioni, shpifje e pastër

Është vetëm mashtrim akuza për zhdukje të dokumentacionit. Kur kam bërë dorëzimet e detyrës kam lënë, përveç të tjerave të gjithë dokumentacionin, sipas udhëzimeve të MPJ, Konsullit përgjegjës për marrjen e dorëzimeve z. Rezar Shkëmbi, i cili ka firmosur për rregullsinë e të gjitha dorëzimeve dhe ka përcjellë dokumentacionin në fjalë pranë MPJ. Me pak fjalë, i gjithë dokumentacioni i shkëmbyer për pikat e lartpërmendura, ndodhet i protokolluar pranë Konsullatës Shqiptare në Milano, Ambasadës Shqiptare në Romë si dhe Komunikimit Qendror MPJ, Kabinetit të Ministrit, Drejtorisë Konsullore.

 Dëshiroj gjithashtu të kujtoj edhe sa më poshtë:

 Me qindra qytetarë shqiptarë (foshnja, fëmijë, të rinj, burra e gra shtatzëna, të moshuar, me probleme nga më të ndryshimet) rrinin me orë të tëra në radhë në “Piazza Duomo”, të rrethuar si në kafaz me hekura dhe të survejuar nga policia italiane dhe fotografoheshin si fenomen i çuditshëm nga turistët që kalonin. Nuk mjaftonte ky poshtërim por në të njëjtën kohë ata bëheshin pre edhe e sekserëve që i merrnin me qindra euro për një dokument që kushton 20€. Edhe për një vulë legalizimi apo përkthim të thjeshtë ata duhet të vinin nga 11 rajone të ndryshme të Italisë, të udhëtonin për orë të tëra  me shpenzime e lodhje të pa fund. Me daljen jashtë përdorimi të pasaportave të vjetra dhe dyndjen e qindra qytetarëve pranë zyrave tona, jo vetëm nga 11 rajonet e Italisë por edhe vendet e tjera të Evropës, kemi kërkuar një shërbim shtese për prenotimin e takimeve për pasaporta i cili kishte një kosto mesatare të 3€ (por meqë shumica dërrmuese që telefononin për takim ishin familje me të paktën 4përsona i bie që kosto e takimit të ishte më pak se 1€ për person, pra brenda mesatares të telefonatave normale). Kujtoj gjithashtu që Konsullata ka një buxhet ku 80% e tij është i dedikuar për rrogat dhe qiratë, ndërsa 20% është lënë për menaxhimin e të gjithë nevojave të tjera të Përfaqësisë”. MPJ-ja ka qenë vazhdimisht dakord që buxheti është tepër i limituar dhe ka kërkuar sforco gjigante për të arritur të përmbushim detyrimet ligjore me gjithë vështirësitë e mëdha, “pra nuk kuptohet se ku mund të kenë qenë hapësirat për abuzime”.

Një shembull për të gjitha: në zërin riparime e mirëmbajtje të përfaqësisë dhe të mjeteve të punës, buxheti viti 2013, ka qenë për të gjithë vitin, 500 euro. Nuk besoj që as në Tiranë sot arrihet të riparohet një zyrë me 500 euro në vit e jo më në qendër të Milanos.