Sot vendoset fati i Shqipërisë

458
Sigal


Kryeministri Edi Rama nuk merr vendim në mbrëmjen djeshme për armët kimike

Ndërsa pritet që qeveria shqiptare të bëjë publik vendimin e saj, nëse ka pranuar apo jo të marrë përsipër shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në vendin tonë, grupe qytetarësh, studentësh, nxënësish dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit vijuan edhe dje  protestën e tyre në qytete të ndryshme të vendit, kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar.

Protestat e fuqishme në Shqipëri dhe në botë

Protesta e djeshme ka marrë përmasa të mëdha, pasi asaj i janë bashkuar edhe gjimnazistët dhe studentët e Tiranës të cilët kanë bojkotuar sot mësimin për t’ju bashkuar tubimit nën moton “Stop Armëve Kimike në Shqipëri”. Ndërkohë shumica e qytetarëve u organizuan përmes rrjeteve sociale, si “Facebook” e “Tëitter”. Nga Tirana, Fieri, Elbasani, Shkodra, Korça, shqiptare ne Berlin, Milano, Uashington protestuan ditën e sotme për t’i thënë jo, asgjësimit të armëve kimike në Shqipëri. Gjatë protestës studentët e mjekësisë kishin zgjedhur një mënyrë të veçantë për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj një vendimi të mundshëm, duke u veshur të gjithë me përparëse dhe maska kundra-gazi. Senatorët e shkollave të mesme, si dhe krerët e organizatave studentore, premtuan se nuk do të lëvizin nga protesta deri sa qeveria t’i jo armëve kimike të Sirisë. “Ne sot kemi bojkotuar mësimin, por kjo nuk do të jetë e vetmja herë që do ndërmarrim një veprim të tillë, pasi nuk do t’i afrohemi sallave të leksioneve pa marrë garancitë e nevojshme nga qeveria shqiptare se armët kimike nuk do të vinë këtu”, thanë ata.  Protesta për armët kimike momentalisht është zhvendosur përpara Piramidës, ku në një podium të ngritur posaçërisht për këtë qëllim, mund të flasin të gjithë qytetarët që kanë për të thënë diçka për çështjen e armëve kimike. Këshilli i Ministrave pritet të mblidhet brenda 24 orësh për të zyrtarizuar qëndrimin e Shqipërisë në këtë çështje.

Mbrëmë Kryeministri nuk dha përgjigje

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhej dje për një vizitë në Malin e Zi u rikthye dje pasdite në Tiranë, por nga kabineti i kryeministrisë nuk ka ende një përgjigje për protestuesit që bëjnë thirrje për reagim të qeverisë mbi çështjen e armëve kimike. Shefi i qeverisë shqiptare pas 2 orë qëndrimi në Kryeministri pas kthimit nga vizita zyrtare në Mal të Zi ka lënë ambientet e Kryeministrisë i shoqëruar edhe nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Në këtë mënyrë protestuesit që janë pozicionuar para Kryeministrisë dhe parlamentit, që prej orës 09:00 të paradites duket se do të mbeten në shesh përgjatë gjithë natës. Organizatorët e tyre deklarojnë se nuk do të lëvizin prej andej deri në një komunikim zyrtar nga Kryeministri Rama se nuk do të ketë shkatërrim të armëve kimike në vend. “Pa marrë një vendim zyrtar nga Kryeministri do të qëndrojmë para Kryeministrisë. Jemi në errësirë informacioni nga qeveria. Është totalisht solidarizim qytetar. Kemi që në orën 09:00 që jemi para parlamentit. Do jetë një protestë maratonë deri sa të ketë një komunikim zyrtar. Ne jemi të vendosur që për kauzën tonë të drejtë të luftojmë deri në fund” tha një prej organizatorëve.

 Sot vendoset fati i Shqipërisë

Sot është afati i fundit, ku do të vendoset se në kë vend do të demontohen 1.300 ton armë kimike të Sirisë.  Burime brenda qeverisë Rama bëjnë me dije se Kryeministri që sot, deri në drekë pritet të dalë në një konferencë për shtyp, për t’i thënë “Jo” (apo “Po”) sjelljes së armëve kimike të Assad-it për demontim në Shqipëri. Përgjigja e kryeministrit Rama do të varet edhe nga vendimi që do të marrin SHBA-të. Nëse SHBA-të do të vendosin, që Shqipëria të demontojë armët kimike, atëhere, kryeministri Rama duhet të gjejë formulën e pranimit dhe të bindë shqiptarët për këtë vendim.