SOT STUDENTËT RIKTHEN NË PROTESTË

478
Sigal

Studentët rikthehen në protestë. Sot të bashkuar me universitetet e rretheve, përballë kryeministrisë

Pas Festave të Fundvitit rinisin protestat masive në Shqipëri. Krahas studentëve në sheshe dalin gjimnazistët, prindërit, naftëtarët dhe banorët e “Unazës së Re”

Ditën e sotme studentët do të rinisin protestën e tyre masive për plotësimin e kërkesave lidhur me arsimin e lartë. Studentët do të ndjekin të njëjtin skenar si edhe gjatë ditëve të protestave në muajin dhjetorit të 2018-s, ku fillimisht do të mblidhen rreth orës 8:30 në fakultetet përkatëse e më pas do të marshojnë nëpërmjet bulevardit dëshmorët e kombit përballë godinës së kryeministrisë, ku do të rinisë serish protesta. Vijimi i protestës vjen si rezultat i mosbindjes së studentëve ndaj 11 vendimeve të qeverisë, ata shprehen vazhdimisht se këto vendime nuk zgjidhin kërkesat e tyre duke u ndalur në atë të uljes së tarifave, ku qeveria ka vendosur të ul tarifat për nivelin bachelor të studimit por jo atë master gjë e cila kundërshtohet fort nga të rinjtë. Studentët shprehen se pagesa për nivelin e dytë të studimeve është e papërballueshme. Sipas të rinjve, është koha për një ligj më të mirë për Arsimin e Lartë që t’i japë zgjidhje përfundimtare kërkesave të tyre. Protesta e studentëve nisi në datë 4 dhjetor dhe ende nuk ka një afat se deri kur do të zgjasë, ndërkohë që ditën e sotme kësaj proteste pritet t’iu bashkohen edhe studentë të universiteteve të rretheve.

Policia ndalon studentët të futen në Fakultetin Ekonomik

Studentët kanë paralajmëruar një tjetër protestë masive ditën e sotme përballë Kryeministrisë. Natyrisht që dalja e tyre sërish në shesh nuk e gëzon qeverinë, prandaj situata ka nisur të tensionohet që dy ditë parë. Të shtunën në mbrëmje një grup studentësh, rreth 100 vetë, janë bllokuar nga policia private për të hyrë në Fakultetin Ekonomik. Ata janë kryesisht koordinatorë të protestës dhe mbledhja në auditorët e fakultetit lidhet me organizimin e ditës së sotme. Vetëm një pjesë e studentëve kanë hyrë brenda oborrit të fakultetit, ndërsa pjesa tjetër nuk u lejua. Rreth 2-3 patrulla policore rrethuan ndërtesën pas thirrjes për ndihmë nga rojet private. Këta të fundit u kanë thënë studentëve, se dekani Dhori Kule kishte dhënë urdhër për të mos lejuar studentë brenda fakultetit. Me ç’duket në këtë rast dekani i Ekonomikut, Dhori Kule, është rreshtuar me qeverinë për të penguar organizimin e protestës studentore të hënën.

Kryetari i Studentëve: Qeveria vendosi taksa 6% për librat shkollorë

Ka kaluar një muaj që prej nisjes së protestës së studentëve, e cila si nxitje fillestare pati tarifat shtesë për provimet e mbartura. Faktori ekonomik është më shqetësuesi për studentët, të cilët prej të ardhurave të pakta, shkollimin e shohin si një sfidë të vështirë për ta përmbyllur. Kryetari i Studentëve në Senatin Akademik të UT, Kristian Kina, ka denoncuar një tjetër taksë që prek drejtpërdrejtë xhepat e studentëve dhe nxënësve. Qeveria ka vendosur një taksë 6% për furnizimin e librave të çdo lloji. “Ndërkohë që prej 1 muaji studentët protestojnë për të drejtat e tyre, që të lehtësohen nga tarifat e larta që paguajnë për arsimimin e tyre, qeveria çfarë bën? Vendos taksë tjetër, që të rrisë akoma më shumë tarifat studentore. Vendos TVSH edhe për librat shkollorë. Një arsye akoma më shumë për të protestuar në date 7 Janar, përpara Kryeministrisë!”,- tha Kristian Kina.