Sot sindikatat nisin protestat në gjithë vendin

625
Sigal

Statusi, minatorët nga sot nisin protestat në rrethe, javës tjetër zbarkojnë para ministrive

Duke nisur nga sot minatorët në të gjithë vendin do nisin një valë protestash për zvarritjen që i është bërë miratimit të statusit të minatorit. Protestat lokale do të finalizohen javën e ardhshme përpara Ministrisë Financës dhe asaj të Infrastrukturës nëse deri atëherë qeveria nuk arsyeton dhe ulet në tryezë me minatorët. Vendimi për nisjen e protestave u mor sot në takimin që minatorët nga mbarë Shqipëria zhvilluan me drejtuesit e Konfederatës së Sindikatave. Gjatë fjalës së tij kreu i KSSH-së Kol Nikollaj tha ndër të tjera: “Kjo është një luftë, të cilën do ta çojmë deri në fund dhe nuk do lejojmë që shokët e Balilit dhe ushtarët e oligarkëve të tallen me djersën dhe gjakun e minatorëve dhe ish-minatorëve”. Ai ka shprehur qëndrimin se Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë e kundërshton paketën ligjore të ofruar nga ish-ministri i Financave që sipas tij, në mënyrë nihiliste parashikon shfuqizimin e statusit të minatorit.

Kol Nikollaj kreu KSSH: Kjo paketë ligjore për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët është një fyerje

Do doja sot të mos ishim mbledhur për statusin e minatorit, por fatkeqësisht institucionet shtetërore që nuk kursyen asgjë për oligarkët po vijojnë të mbajnë peng miratimin e statusit të minatorit, një e drejtë legjitime, ndërsa de fakto kanë shfuqizuar edhe statusin e naftëtarit. Kjo është një luftë të cilën do ta çojmë deri në fund dhe nuk do lejojmë që ushtarët e oligarkëve të tallen me djersën dhe gjakun e minatorëve dhe ish-minatorëve. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë kundërshton paketën ligjore të ofruar nga ish Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, që në mënyrë nihiliste parashikon shfuqizimin e statusit të naftëtarit, dhe nxjerrjen e një ligji që parashikon një shtese suplementare për minatorët naftëtarët dhe metalurgët, që janë në kategorinë e profesioneve të vështira. Me pak fjalë pensioni aktual i minatorëve do shumëzohet me një koeficient 1 % për çdo vit, e për pasojë shtesa në pension do jetë 14 mijë deri në 30 mijë leke te vjetra në muaj, rritje e pa përfillshme. Ndërkohë për metalurgët e naftëtarët pensioni aktual do shumëzohet me një koeficient 06 % për çdo vit pune, e për pasojë do jetë e njëjta rritje si e minatorëve në vlerë. Kjo paketë ligjore për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët është një fyerje që s’do duhej të ishte bërë kurrë nga një qeveri e majtë. E ftoj Ahmetajn, Gjiknurin, Anila Denajn dhe Belinda Ballukun të gjejnë një ditë të vizitojnë Bulqizën, të shkojnë në shtëpinë e një ish-minatori dhe minatori për të parë skamjen ku jetojnë. I ftoj të vizitojnë edhe galeritë e nëntokës ku minatorët hynë për të punuar e nuk e dinë, nëse do dalin gjallë. Ju siguroj se pas këtyre vizitave do arsyetoni dhe do viheni në lëvizje. Pasi do përballeni me realitetin migjenian të këtyre punonjësve. Në statusin e minatorit kërkesa jonë është qartë, nuk mund të ketë pension më të vogël se 320 mijë lekë të vjetra për minatorët, naftëtarët e metalurgët, ndaj asnjë propozim tjetër nuk do pranohet nga ne. Në emër të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë ju bëj me dije se sot minatorët nisin një valë protestash në të gjithë vendin dhe javën që vjen do përqendrohemi në Tiranë përpara institucioneve shtetërore. Ministria e re e Financave Anila Denaj duhet të organizojë një tryezë urgjente për këtë çështje përpara se vala e protestuesve të marshojë drejt zyrës saj.