Sot Shqiptarët vërshojnë në Tiranë

93

Publikimi i audiopërgjimeve nga prestigjozja “Bild” për shit-blerjen e votave nga grupet kriminale ka shkaktuar zemërim mbarëkombëtar. Këto fakte kanë bindur edhe euroskeptikët për kapjen e shtetit nga krimi. Sindikata e Policisë apel protestuesve dhe policëve: Respektoni njëri-tjetrin, mos harroni se jemi vëllezër

Audiopërgjimet e publikuara në “Bild” dëshmuan blerjen e votës në 2017-n. Qeveria e ka humbur legjitimitetin

Sot Protesta madhështore e Opozitës së Bashkuar: Dorëheqje pa kushte e Edi Ramës

 

Audiopërgjimet e publikuara në median më prestigjioze gjermanë “Bild” ku dëshmoheshin sesi zyrtarët më të lartë të Partisë Socialiste bashkëpunuan me njerëzit e krimit të organizuar që të blinin votat në zgjedhjet parlamentare të 2017-s, i çuan mesazhe të drejtpërdrejta edhe kancelarive më të mëdha të Evropës, se akuzat e opozitës shqiptare që ky parlament nuk është më legjitim janë prova të pakundërshtueshme. “Bild” u tregoi me fakte kancelarive të Evropës, edhe atyre kryeministrave të vendeve evropiane, të cilët fillimisht e dënuan dorëzimin mandatit të deputetëve nga Opozita, si një mjet tepër ekstrem dhe i papranueshëm për standardet demokratike, se protestat e vazhdueshme në Shqipëri të opozitës nuk janë më destabilizuese, siç i pagëzuan disa ambasadorë të akredituar në Tiranë dhe emisarokratë të BE-së, por një mjet tepër demokratik për të rrëzuar qeverinë e inkriminuar. Shumë qeveri evropiane tashmë e kanë shprehur hapur kundërshtinë e tyre për të hapur negociatat me qeverinë e Tiranës, madje, kanë bërë edhe diferencimin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndaj së cilës pritet që në fund të qershorit të marrin një vendim pozitiv dhe t’i hapen negociatat për t’u anëtarësuar në BE. Fakti që Shqipërisë për të dytën herë radhazi i mohohet hapja e negociatave, për shkak të korrupsionin, krimit, mosbërjes së reformave të integrimit, është edhe një arsye më shumë, që qeveria e Tiranës të japë dorëheqjen.

 

Sot Protesta më e madhe e Opozitës

 

Sot në orën 19.00 Opozita e Bashkuar do të organizojë protestën e madhe të radhës, për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës si kushti i panegociueshëm. Mazhoranca, dhe kryeministri tashmë nuk kanë më asnjë justifikim që të përligjin dështimin total të politikave të integrimit, por me publikimin e audiopërgjimeve nga “Bild” u janë zhvlerësuar edhe akuzat ndaj opozitës, se me protestat kërkon destabilizim dhe bëhet shkak për moshapjen e negociatave. Tani, asnjë ambasador, asnjë teknokrat i BE-së asnjë qeveri nuk mund të pohojë se protestat e opozitës prishin imazhin e Shqipërisë, sa të bëhen shkak i mos hapjes së negociatave. Qeveria e Tiranës është e izoluar politikisht, asnjë kancelari e vendeve të mëdha të Evropës nuk e pret më kryeministrin Rama si homolog për të bashkëbisedim, por ato distancohen haptas ndaj kësaj qeverie, që siç shkruajnë edhe mediat më të mëdha kanadeze, e kanë katandisur Shqipërinë në “Narkoshtetin e parë në Evropë!”.

 

Apeli për Policinë e Shtetit dhe ndaj Policisë së Shtetit

Në protestat e radhëve të kaluara të Opozitës, karakteristikë kanë qenë përplasja verbale e disa protestuesve me Policisë e Shtetit, e cila, paskëtaj, ka përdorur dhunë të pajustifikueshme, pa dallim kundër të gjithë qytetarëve protestuese. Qytetarët protestues duhet të ndërgjegjësohen që përballë tyre në protestë “armiku” nuk janë, as punonjësit e Policisë së Shtetit dhe as ndërtesat e institucioneve shtetërore. Përballë revoltës së protestës duhet të jenë qeveritarët e korruptuar dhe të inkriminuar. Punonjësit e Policisë së Shtetit janë tanët, janë vëllezërit, kushërinjtë, baballarët, shokët e miqtë tanë, janë ata, që ende nuk janë shpërblyer nga qeveria sipas detyrimeve që rrjedhin nga ligji, nuk kanë marrë as orët e tepërta të punës, nuk janë trajtuar as ekonomikisht, as financiarisht, por përkundrazi përdoren me urdhra politike, për të vepruar në mënyrë të kundërligjshme ndaj protestuesve. Edhe punonjësit e policisë duhet të kuptojnë se përballë, protestuesit nuk janë armiqtë e tyre, as të shtetit, as shkelësit e ligjit, por, përkundrazi, janë prindërit, vëllezërit, shokët, familjarët e tyre, ndaj të cilëve duhet të sillen sikundër i detyron ligji. Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë detyrimin të mbrojnë qytetarët, rendin, ligjin dhe të mos bëhen mashë që të zbatojnë urdhra verbale të drejtuesve politikë, për të ushtruan dhënë të pajustifikueshme ndaj protestuesve.