Sot Shqiptarët në protestën më të madhe antiqeveritare

83

Opozita e bashkuar, shoqëria civile, studentët, pensionistët, ish-pronarë, emigrantë dhe mijëra banorë të Tiranës dhe nga e gjithë Shqipëria do të zbarkojnë në orën 19.00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kundër demagogjisë, varfërisë dhe krimit të organizuar. Sindikata e Policisë së Shtetit: Policia do të zbatojë vetëm ligjin dhe jo urdhrat politikë

25 Maji është një ditë për të rrëzuar sistemin e kapjes së shtetit, sistemin e grabitjes së qytetarëve, nëpërmjet krimit të organizuar

Sot shqiptarët në protestën më të madhe për t’i thënë ndal regjimit diktatorial

Sot në orën 19 Opozita e Bashkuar organizon protestën më të madhe të saj, pas viteve 1991. Në fakt, çdo protestë e radhës e opozitës, në këto muajt e fundit, është shënuar më e madhe se ajo paraardhëse.

Shqiptarët protestojnë

Rrugët dhe sheshet e protestës për çdoherë po mbushen me qytetarë, të cilët reagojnë kundër keqqeverisjes, janë edhe socialistët e zhgënjyer nga qeveria e Rilindjes, për shkak se në 6 vitet e qeverisjes nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet e bëra, për 350.000 vende të reja pune, për shëndetësi falas, për arsim falas, për rritjen e mirëqenies dhe të ndihmesave sociale. Përkundrazi. Qeveria e Rilindjes, në 6 vite zbaroi politikën e koncesioneve, të cilat luftuan konkurrencën e ndershme, derisa ato dhe tenderët u dhanë me një procedurë pa transparencë, me prokurim të drejtpërdrejtë e të paracaktuar në disa biznese, vende të reja të punës nuk u hapën, shqiptarët kanë 6 vite që nuk marrin rritje rrogash dhe pensionesh, mijëra familje janë përjashtuar nga ndihma sociale, administrata u spastrua me kritere partiake, Gjyqësori u shkatërruar në emër të reformës në drejtësi, sa sot Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë. Studentët protestojnë, sepse nuk durojnë dot faturat e larta të studimeve edhe në universitetet publike. Janë edhe pensionistët, të cilët me pensionet qesharake që marrin nuk mund të paguajnë dot as ilaçet, faturat e ujit e të dritave. Madje, dje u bë publike se edhe policët e Policisë së Shtetit janë të papaguar për orët e tepërta. Bizneset përditë po i vënë drynin aktiviteteve, sepse taksat që paguajnë janë të papërballueshme.

Strategjia e re e opozitës

Opozita e Bashkuar e shikon 25 majin si startin e një strategjie të re të luftës së saj opozitare. Opozita e Bashkuar ka vendosur që protestat pas 25 majit të vazhdojnë pa ndërprerje, çdo ditë, të shtrihen në të gjithë vendin, të ketë një pjesëmarrje masive, të ftohen të gjithë shqiptarët, pa dallime partiake. Opozita e Bashkuar është e vendosur që protestat të vazhdojnë deri në 30 qershor dhe të mos lejojnë zhvillimin e tyre.

Thirrjet për protesta paqësore

Ambasada amerikane, por edhe disa ambasada të tjera të akredituar në Tiranë, sa herë është dita e protestave të Opozitës, çuditërisht bën thirrje publike për t’u përkujdesur nga dhuna verbale e protestuesve. Mirëpo, sado që janë përdorur gaz lotsjellës, dhuna e protestuesve nuk ka rrezikuar asnjë jetë të vizitorëve të huaj, as të qytetarëve, nuk janë dëmtuar rëndë asnjë institucion shtetëror. Dje, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi: Ju bëj thirrje që të mos përfshiheni në elementët e dhunës, por të distancoheni nga dhuna, edhe pse njerëzit janë të mërzitur dhe të frustruar dhe ju ka ardhur aty ku nuk mban më, nuk është detyra jonë të bëjmë viktimë Edi Ramën dhe nuk është detyra jonë as të dëmtojmë godinat. Detyra jonë është të rrëzojmë sistemin e kalbur që Edi Rama me krimin e organizuar ka ndërtuar.

Monika Kryemadhi: Marrim përgjegjësinë që çliron shqiptarët nga kapja e krimit të organizuar

Në një takim me strukturat e LSI-së në njësinë bashkiake nr. 11 në Tiranë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i ftoi ata dhe gjithë shqiptarët në protestën e sotme të opozitës. Kryemadhi i ka ftuar protestuesit të shmangin aktet e dhunës. Ajo i fton ata të bëhen pjesë e një proteste paqësore, pasi beteja e tyre, siç thotë, bëhet për të rrëzuar regjimin e kalbur. Protestat tona paqësore të cilat janë protestat më të bukura që ka pasur Shqipëria në gjithë vitet e saj të tranzicionit, janë protesta, të cilat do të sjellin ndryshimin. 25 Maji është një ditë e cila do të tregojë edhe njëherë jo vetëm vendosmërinë, jo vetëm angazhimin, por mbi të gjitha do të tregojë bindjen qytetare që kanë sot shqiptarët për të rrëzuar njëherë e përgjithmonë jo vetëm një njeri, sepse ne nuk e kemi betejën me njeriun, por për të rrëzuar sistemin e kapjes së shtetit, sistemin e grabitjes së qytetarëve, sistemin e marrjes shpirtit të shqiptarëve nëpërmjet krimit të organizuar, bandave të tij dhe elementëve të cilët dashje pa dashje, duam apo s’duam ne, na pëlqen apo nuk na pëlqen, kanë varfëruar Shqipërinë dhe kanë shkatërruar sistemin e vlerave. Ne s’do të jemi atje as si forcë politike, as si njerëz që na pëlqen të merremi me politikë, por do të jemi si qytetarë për të thënë që ne i themi ‘boll’ këtij regjimi diktatorial, kriminal, i cili po i merr shpirtin çdo ditë e më shumë shqiptarëve. Deklaratat e Bundestagut gjerman, qartazi dhe haptazi thonë: Nuk duhet të kenë tabu as shtyrjen e zgjedhjeve, por nuk duhet të kenë tabu as dorëheqjen e kryeministrit. Nuk duhet të jetë tabu as ndryshimi i sistemit zgjedhor. Nuk duhet të jenë tabu as ndryshime të tjera kushtetuese, të cilat në thelb dhe në bazë të tyre kanë votën e lirë, kanë standarde për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mbi të gjitha kanë të rëndësishme ndërtimin e një sistemi që garanton vlera për qytetarët, që garanton meritokraci për qytetarët, që garanton barazi për qytetarët dhe që garanton mbi të gjitha demokracinë për të cilën ne kemi aspiruar. Do të marrim përsipër çdo përgjegjësi që shpëton dhe çliron shqiptarët nga kapja e krimit të organizuar. Do të jemi në ballë të çdo proteste ku shqiptarët duan të jenë qytetarë të lirë të BE-së. Ne e dimë shumë mirë që beteja jonë e qindra dhe mijërave qytetarëve përballë policëve që janë vëllezërit dhe motrat tona, të cilët për hir të së vërtetës jo vetëm që paguhen në mënyrë qesharake, por edhe diskriminohen, edhe mashtrohen, në mënyrën më të turpshme nga qeveria jonë. Prandaj edhe ata policë që janë atje, kanë të njëjtat halle dhe probleme si ne, edhe ata policë që dalin dhe formojnë kordonin për të mbrojtur Edi Ramën, që është i vetmi kryeministër që kur qytetarët protestojnë nuk rri në zyrë, por largohet sepse është frikacak. Frikacaku nuk meriton të jetë në krye të një shteti që i thonë shteti i shqiponjave. Por ajo që është më e rëndësishme, është që ata policë që kemi përballë ti konsiderojmë si vëllezërit tanë, sepse ata kanë pagat më të ulëta dhe ata paguajnë taksat njëlloj si ne. Ata paguajnë energjinë elektrike me çmim në stratosferë njëlloj si ne, paguajnë faturën e ujit njëlloj si ne. Ata kanë nevojë për shërbim mjekësor njëlloj si ne dhe marrin shërbimin shëndetësor më të shtrenjtë në rajon. Ata kanë nevojë të shkollojnë fëmijët e tyre. Ata kanë nevojë të ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre në Shqipëri. Me ne në protestë janë dhe policët që do të jenë bashkë me ne., ne protestojmë për të gjithë policët, për të gjithë mjekët, për të gjithë administratën publike, për të gjithë njerëzit që Edi Rama i kërcënon me bukën e fëmijëve të tyre. Ne protestojmë për ta rrëzuar njëherë e përgjithmonë krimin e organizuar që ka fytyrën e Edi Ramës dhe fytyrën e ‘Rilindjes’.

Demagogjia e letrave të hapura të kryeministrit për dialog pa kushte, por pa zgjedhje të lira

Protestat e Opozitës, pjesëmarrja më e madhe e qytetarëve, në krahasim me protestën e mëparshme, ndërgjegjësimi i qytetarëve se protesta është mënyra e vetme që u ka mbetur për të reaguan ndaj keqqeverisjes, i ka shtuar dozat e panikut dhe të frikës kryeministrit Rama. Kjo demonstrohet në letrat e përditshme që kryeministri i dërgon “rrugëhumburit” kryetarit të Opozitës “Rrugore”, siç e cilëson me tallje, sado që kryeministri nga Parlamenti njëpartiak thotë se tashmë ai njeh opozitë parlamentare deputetët që morën mandatet e braktisura. Por frika e madhe e kryeministrit Rama shtohet, sidomos pas apeleve tashmë të përditshme të Bundestagut gjerman, i cili kërkon shtyrje të datës së zgjedhjeve vendore, por edhe dorëheqjen e kryeministrit, si rrugë për zgjidhjen e krizës politike. Demagogjia e kryeministrit, e shprehur qartë nëpërmjet letrave të përditshme drejtuar Bashës, është se shkruan “dëshirën” dhe ftesën për dialog pa kushte, të shoqëruar me kërcënimin për ta çuar në gjykatë për akuzat politike dhe se “Nuk ke shans të ndryshosh qeverinë, para 2021-it. Kushtet e opozitës së Bashkuar për të filluar dialogun janë vetëm një: Largimi i Ramës nga kryeministria, krijimi i një qeverie transitore, dhe përgatitja për zgjedhje të parakohshme. Kryeministri Rama me letrat e përditshme mesazhin nuk ua dërgon Bashës dhe opozitës, por partnerëve ndërkombëtarë, për të bërë demagogun, se ai, si kryeministër e pranon dialogun pa kushte, por është “Opozita Rrugore” ajo që e mohon dialogun.

Letra e tretë e Kryeministrit Rama

Në orët e para të së premtes Kryeministri Edi Rama i ka shkruar një letër të tretë kryeopozitarit Lulzim Bashës. Ai e fton sërish kundërshtarin e tij politik për tu ulur në dialog, ndërsa ja bën të qartë se nuk do të mundet të ndryshojë qeverinë pa zgjedhje. Ndërsa në lidhje me akuzat e bëra në letrën e kreut të PD për vjedhjen e votave dhe lidhjet me krimin, Rama i cilëson gjysmë të vërteta dhe e adreson kreun e opozitës të shkojë në gjykatë.

Rama: Sidoqoftë, për hir të njerëzve që me plot të drejtë presin nga udhëheqësit e çdo pale Dialog Politik, unë po e konsideroj mesazhin Tuaj një mundësi për të nxitur Dialogun. Ju s’keni asnjë shans të pengoni 30 qershorin të vijë për ata që duan të votojnë. Asnjë shans të ndryshoni qeverinë pa zgjedhje. Asnjë shans të më ndaloni mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë të kryejmë misionin historik të transformimit evropian të Shqipërisë. Ju vazhdoni i bini fyellit po njësoj. Madje jo, i bini fort e më fort! Për hir të këtij komunikimi të hapur mes nesh, po Ju bëj me dije se do t’Ju ftoj në gjykatë për të sjellë qoftë edhe një provë të vetme për maskarallëqet që keni artikuluar në mesazhin Tuaj të djeshëm; që nga 30 milionë eurot që paskam dashur të vjedh e të pastroj në Amerikë me një kompani false e me radhë të tëra, tek im vëlla që qenka zbuluar i lidhur me një grup kriminal trafikantësh droge, e deri tek negociatat e mia për kufijtë e Shqipërisë dhe madje edhe të Kosovës! Duke Ju ftuar përsëri në Tryezën e Dialogut, Ju lutem të mos harroni ndërkohë se po nuk u kthyet në realitet, përtej dëmit që mund t’i bëni vendit dhe atyre pak individëve kokënxehtë, të cilët mbase për të keqen e tyre mund të shkojnë deri në fund pas berihajit ku po i udhëhiqni, Ju s’keni asnjë shans të pengoni 30 qershorin të vijë për ata që duan të votojnë. Asnjë shans të ndryshoni qeverinë pa zgjedhje. Asnjë shans të më ndaloni mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë të kryejmë misionin historik të transformimit evropian të Shqipërisë. Akoma në pritje, Edi Rama

 

Basha: Largimi i Ramës nuk negociohet

Edi Rama ka pasur mundësinë me qindra herë të zgjidhte në favor të qytetarëve dhe jo në favor të krimit, të zgjidhte të ndihmonte njerëzit dhe jo të pasuronte veten e tij dhe oligarkët, të zgjidhte të ndihmonte vogëlushët shqiptarë e jo t’u vidhte paratë e bukës së gojës, të zgjidhte të ndihmonte pacientët shqiptarë dhe jo të pasuronte 3 oligarkët e koncesioneve. Të gjitha herët që Edi Rama ka qenë përpara këtyre dy zgjedhjeve, kurrë nuk zgjodhi popullin, kurrë nuk zgjodhi njerëzit. Ai sakrifikoi gjithmonë të mirën e qytetarëve. Sakrifikoi sigurinë tuaj për krimin. Sakrifikoi ekonominë tuaj për oligarkinë. Sakrifikoi të ardhmen tuaj, votën tuaj për pushtetin e tij personal. Koha kur Edi Rama dhe një grup horrash mbanin peng një Shqipëri të tërë mori fund. Vjen koha kur një shoqëri duhet ta mund të keqen, të gjejë kurajën të luftojë, e mos pranojmë më kurrë të shkelemi me këmbë, kjo kohë ka ardhur për gjithë Shqipërinë. Ka vetëm një rrugë evropiane, që është largimi i Edi Ramës. Largimi i Edi Ramës nuk negociohet. Në çdo vend normal të Evropës, ky do ishte larguar me dhjetëra herë. Më 30 qershor nuk do të lejojmë asnjë krim zgjedhor. Shqiptarët janë ngritur dhe janë të bashkuar. Ne do t’i japim horizontin e shpresës, të rinjve dhe të rejave, pavarësisht bindjeve politike. Që shumë shpejt të krijohet një qeveri tranzitore në mënyrë që populli të vendosë atë qeveri që do të dojë ai. Që do të jetë fundi i plagëve të këtyre viteve. Kushte të barabarta zgjedhore, jo pushtet në tavolinë. Jo pushtet me krimin. Jo kurrë. Nuk e japim fatin e qytetarëve tanë në tavolinë. Beteja jonë bëhet që pushteti këtej e tutje, me kushtetutë, me Kod Zgjedhor, me të gjitha levat dhe mekanizmat, të jetë me të vërtetë i qytetarëve shqiptarë.

Basha: Mirëpres angazhimin e Gjermanisë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme

Mirënjohje Gjermanisë mike dhe mbështetëse të Shqipërisë, për vëmendjen dhe shqetësimin ndaj problemeve që kanë penguar integrimin evropian, si mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lidhjet e politikës me krimin, mungesa e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Në emër të PD dhe të Opozitës së Bashkuar konfirmoj gatishmërinë tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mirëpres angazhimin e Gjermanisë mike për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës evropiane të Shqipërisë.