Sot Shqipëria voton…Gjithçka duhet të dini për proçesin e zgjedhjeve

456
Sot Shqipëria voton. Mbi 3 milion e 450 mijë shqiptarë janë thirrur të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës për zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Në të gjithë vendin do të funksionojnë 5362 qendra votimi. Procesi i votimit hapet të dielen ne 7 të mëngjesit. Në përfundim të procesit kutitë do të numërohen pranë 90 Komisioneve zonale.
Në garë marrin pjesë 18 forca politike, të cilat konkurrojnë më vete, dhe jo përmes koalicioneve. Partitë kryesore janë ato që kanë patur të drejtën dhe të emërimeve të 720 komisionerëve zonal dhe rreth 37 mijë të tjerëve që do të jenë në qendrat e votimit.
Mbi 7 mijë forca policore do të angazhohen për të garantuar procesin zgjedhor, ndërsa në të gjitha prokuroritë e rretheve janë krijuar strukturat e posaçme të gatishmërisë.
Zgjedhjet e ditës së sotme do të ndiqen nga mbi 5 mijë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë.
Misioni ndërkombëtar i monitorimit përbëhet nga 330 vëzhgues nga 43 vende, nga të cilët 255 vëzhguesë afatgjatë dhe afatshkurtër të vendosur nga ODIHR-i, 36 parlamentarë dhe punonjës nga Asambleja e OSBE-së, 25 nga Asambleja parlamentare e Këshillit te Europës, dhe 11 nga parlamenti europian. “Mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve varet tërësisht nga sjellja e aktorëve në process, ndaj presioni mbi zgjedhësit, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm dhe çdo mënyrë sjelljeje që pengon votuesit në shprehjen e lirë të vullnetit, është dhunim i Kodit Zgjedhor dhe sjell pasoja të rënda ligjore, deri në dënime të rënda penale”, sipas KQZ.
Sigal