Sot rrëfehet financieri i Habilajve, alarm në Tiranë

561
Nezar Seiti do të pyetet nga prokurorët italianë në Katania për trafikun e kanabisit dhe lidhjet në Shqipëri. A do të ketë arrestime të reja?!
Nezar Seiti, i ashtuquajturi financieri i bandës “Habilaj’, për të cilën hetohet edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të dëshmojë sot në orën 14:00 në prokurorinë e Katanias (Itali), ku ndodhet prej 8 ditësh i transferuar nga Roma. Sipas gazetarit Basir Çollaku, duket se një marrëveshje bashkëpunimi me drejtësinë italiane është gatuar mes të pandehurit dhe autoriteteve. “Rrëfimi i thelluar i Seitit ka alarmuar Tiranën, pasi përveç Habilajve, Tahirit dhe të arrestuarve, janë dhe emra të tjerë të prokurorisë, gjykatës e policisë të përfshirë në dëshmi që rrezikojnë tej parashikimeve të deritanishme. Burime të besueshme të përfshirë në proces hetimor thonë se pëlqimi i Nezar Seitit duket se ka mbërritur dhe autoritetet janë gati për një seancë të gjatë nesër (sot), duke nisur nga ora 14”, u shpreh Çollaku. Sipas tij, avokati italian Biagio Maurizzio Catalano ka qenë pro bashkëpunimit me drejtësinë, duke përfituar rrethana të konsiderueshme lehtësuese për klientin e tij. “Janë disa episode të tjera hetimore, ku Seiti dhe Habilajt janë përfshirë dhe kjo e ka rënduar së tepërmi grupin duke rrezikuar dënime ekstreme. Kjo me sa duket ka shtyrë Nezar Seitin të konsiderojë seriozisht bashkëpunimin. Ka një përpjekje intensive nga të tjerë të përfshirë në këtë dosje, kryesisht nga Tirana, që bëjnë të pamundurën ta shtyjnë dëshminë dhe të mos shkojë Nezar Seiti në këtë rrëfim që sjell me siguri urdhër-arreste të reja nga Italia”, shprehet gazetari. Ai shtoi se kjo mund të sjellë zhvillime të forta të kësaj dosje në Tiranë, duke ndryshuar ndoshta dhe statusin penal të ish-ministrit Tahiri. “Gjithashtu ka pjesë dosjeje të paardhura në Tiranë, që kanë histori të reja trafiku. Kanë shkuar dhe priten të shkojnë përfaqësues të Krimeve të Rënda, duke kaluar në një etapë të pakthyeshme të hetimit që nuk mund ta ndalojë mazhoranca në Tiranë”, nënvizon Çollaku.

Ndërkohë, media ka publikuar të tjera materiale lidhur me ekstradimin e Nezar Seitit. Në këto publikime nënvizohet, se në bazë të një vendimi të Gjykatës së Lartë, Ministria e Drejtësisë duhet të frenonte ekstradimin e Seitit drejt Italisë për shkak të një hetimi ndaj tij edhe në Shqipëri. Sipas prokurorisë, procedura e ekstradimit të financierit të Habilajve drejt Italisë është nën hetim, krahas edhe hetimeve për prodhimin e trafikimin e drogës përtej Adriatikut. Nezar Seitaj është arrestuar më 20 tetor 2017, pasi sipas prokurorisë, për të kishte një urdhër kërkimi ndërkombëtar “Menjëherë pas ekzekutimit të urdhrit për ndalimin e tij, prokuroria e Katanias nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë ka përcjellë dhe kërkesën për ekstradimin e këtij shtetasi. Materialet janë përcjellë nëpërmjet Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ka filluar shqyrtimi gjyqësor për lejimin e ekstradimit nga Gjykata e Rrethit Tiranë më datë 5 dhjetor 2017. Gjykata e Rrethit Tiranë me vendimin e datës 18 dhjetor 2017 ka vendosur lejimin e ekstradimit të shtetasit Nazer Seitit”, është shprehur kryeprokurorja Arta Marku. Sipas saj, ky vendim për shkak të mosankimimit nga asnjë prej palëve (pasi palët kanë qenë dakord në gjykim), ka marrë formë të prerë dhe është bërë i ekzekutueshëm. Pastaj materialet janë përcjellë nga prokuroria e Tiranës në Prokurorinë e Përgjithshme, në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe është bërë kalimi i tyre pranë Ministrisë së Drejtësisë. Në fund të tetorit të shkuar, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi edhe arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, lidhur me akuzat për pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal që dyshohej se prodhonte e trafikonte kanabis drejt Italisë. Kuvendi nuk e miratoi këtë kërkesë të organit të akuzës, ndërsa hetuesit tashmë presin përgjigjet e disa letër-porosive të dërguara në Itali e Greqi për të vendosur lidhur me ish-ministrin Tahiri. 


Sigal