Sot protesta e opozitës, mesazhi i Bashës dhe Kryemadhit: Bashkë kundër diktaturës!

524
Sigal

Opozita e bashkuar do të zhvillojë sot në Tiranë protestën e 10-të kombëtare dhe të parën pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, u bëri thirrje shqiptarëve të bëhen bashkë kundër diktaturës dhe të mbrojnë dinjitetin e familjeve dhe fëmijëve të tyre. Në mënyrë të përsëritur, eksponentët e opozitës kanë theksuar se tubimi, që do të mbahet sot në mbrëmje, do të jetë paqësor dhe ata do të jenë aty bashkë me familjarët dhe fëmijët e tyre.

“Më #8korrik në orën 20:00, bashkohemi të gjithë në Tiranë si njerëz të lirë me dinjitet, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh kurajozë, të gjithë bashkë kundër diktaturës së krimit, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, për familjet dhe fëmijët tuaj, për #ShqipëriaSiEuropa! Asnjë hap pas! #RamaIk”, shkruante Basha.

Në një video që shoqëronte thirrjen e kryedemokratit, Kryeministrit Rama dhe qeverisë u bëhej e qartë se shqiptarët duan liri dhe dinjitet dhe jo një shtet që qeveriset me arrogancë e banditë. “Shqiptarët duan liri, duan dinjitet, duan drejtësi, duan të ardhme.

Jo banditë, jo varfëri, jo arrogancë. Shqiptarët e duan Shqipërinë si gjithë Europa.

Bashkë për Shqipërinë”, thuhej në videon e shpërndarë nga kryetari i opozitës.

Edhe aleatja e demokratëve, Monika Kryemadhi, i ftoi shqiptarët sot në protestë.

Përmes një videomesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, kryetarja e LSI-së kujtoi se kjo protesta e sotme nuk ka rëndësi politike por qytetare.

“Protesta jonë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ ka rëndësinë e saj. Por nuk ka rëndësi politike sa ka rëndësi për të treguar se shqiptarët më shumë se kurrë sot kanë vendosur të jenë zot të vetes. Ftohen të gjithë ata që ndihen të shtypur dhe të vjedhur nga qeveria e Edi Ramës. Ftohen të gjithë ata të rinj dhe të reja që ndjejnë pasiguri këtu në vend për shkak të qeverisë së Edi Ramës.

Pra ftohen të gjithë ata që duan një Shqipëri të vërtetë europiane dhe ftohen të gjithë ata të rinj dhe të reja që aspirojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre europiane në Shqipëri. Shqipërinë e ka bekuar Zoti, prandaj edhe ne të tregojmë që jemi një popull i bekuar nga Zoti”, theksoi kryetarja e LSI-së.

Prej më shumë se 48 orësh në selinë blu është duke u punuar me mënyrën organizative të protestës së sotme.

Edhe këtë herë, në qendër të tubimit do të jenë simbolikat e përdorura nga të rinjtë e Forumit Rinor Demokrat në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit.

Protesta e opozitës u thirr në një kohë që Parlamenti do të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme në lidhje me ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta.