Sot pedagogët dhe studentët nisin grevën pa afat, si zgjidhje e vetme përballë arrogancës së qeverisë

538
Sigal

Sot pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale do të nisin grevën e tyre pa afat.  Asambleja e Fakultetit të Shkencave Sociale sqaron, se vendimi i tyre për grevë është i detyrueshëm, sepse është një vendim i marrë nga shumica e organit më të lartë vendimmarrës së fakultetit, duke shtuar se kush shkel grevën shkel dhe ligjin, por dhe statutin e Universitetit të Tiranës e etikën pedagogjike. Asambleja e Fakultetit të Shkencave Sociale: Të hënën grevë: Faqja e Fakultetit të Shkencave Sociale ka postuar dy dokumente në kundërshti me njëri-tjetrin. Në fillim shpallet vendimi për grevë i asamblesë së personelit akademik, pastaj një skemë e rifillimit të mësimit, a thua se nuk ka grevë. Asambleja e personelit akademik të FSHS është mbledhur në respektim të nenit 45, pika 3 të statutit të UT. Pro grevës kanë votuar jo vetëm thuajse të gjithë pjesëmarrësit në asamble, 36 nga 38 vetë, por edhe shumica absolute e pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Sociale (gjithsej 71 vetë, duke përfshirë këtu pedagogët që nuk morën pjesë në asamble). Çka do të thotë se vendimi i saj për grevë është i detyrueshëm ligjërisht edhe për ata që kanë votuar kundër, edhe për ata që nuk janë paraqitur në asamble, edhe për pedagogët e jashtëm. Kush shkel grevën, shkel ligjin, statutin e UT dhe etikën pedagogjike.

Kryeministri Rama: Kthehuni në mësim, qeveria do shpërndajë edhe bursat e studentëve

Kryeministri Rama pardje, në një takim të ngushtë me studentë e pedagogë të Universitetit të Mjekësisë, përsëriti edhe një herë, se qeveria ka përgatitur “Paktin për Universitetin” dhe debatin për Universitetin e quan të shteruar. Tashmë, theksoi kryeministri, studentët duhet të kthehen në mësim, madje, edhe duke u ballafaquar me ata pak studentë që mbajnë peng Universitetet, ndërsa protestën e pedagogëve, kryeministri Rama e cilësoi protestë politike, që i paraprin protestës të opozitës të 16 shkurtit.  Kryeministri Rama u kërkoi sekretarive të universiteteve të dërgojnë në qeveri listat e studentëve që nuk kanë të ardhura, si edhe listën e studentëve ekselencë, që qeveria të miratojë bursat. Qeveria u merr kështu kompetencat bashkive, për ndarjen e bursave, në përpjekje për të ushtruar edhe më shumë presionin ndaj studentëve protestues. Edhe në universitetet e tjera, gjendja është mjaft e tensionuar, studentët dhe pedagogët nuk tërhiqen nga  protestat dhe kanë paralajmëruar, që do të solidarizohen dhe do të bashkohen me protestën, grevën e pedagogëve dhe studentëve të UT.