Sot opozita në protestë, në orën 11.00 mijëra qytetarë nga i gjithë vendi do të kërkojnë dorëheqjen e Xhafës. Ja skenari

584
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kërkohet dorëheqja e qeverisë së krimit, drogës dhe korrupsionit

2.000 policë do ruajnë rendin nga protestuesit, të cilët mund të qëndrojnë në shesh edhe me ditë të tëra

Është ora e fillimit të protestës, orënisja e protestuesve nga rrethet e largëta drejt Tiranës. Dhjetëra autobusë, por edhe mjete të tjera do nisen nga Saranda, Përmeti, Erseka, Peshkopia, nga e gjithë Shqipëria, për të mbërritur para orës 11.00 në Tiranë. Mjetet e transportit të pasagjerëve që do të vijnë nga qytetet e tjera nuk do të lejohen në brendësi të Tiranës, përveç vendeve të miratuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që janë:

– Pallati i sportit “Asllan Rusi”, në rrugën “Dritan Hoxha”;

– Pallati me shigjeta në rrugën “Konferenca e Pezës”;

– Rreth-rrotullimi i Fakultetit Ekonomik në rrugën e “Elbasanit”;

– Ura e Bërrylit në “Bulevardin Zhan D’Ark”.

Mjetet e transportit që vijnë nga rrethet, pasi të zbresin qytetarët në vendet e caktuara sipas Planit të Masave, do të kthehen dhe vendosen:

– Mjetet që vijnë nga rreth-rrotullimi i “Fakultetit Ekonomik” do të vendosen në rrugën “Shahin Toci” pranë Terminalit të Jug-Lindjes;

– Mjetet që vijnë nga sheshi “Shqiponja” do të vendosen në rrugën “Teodor Keko”;

Rreth 2 mijë policë për protestën e opozitës, përforcime nga RENEA e FNSH

Policia e Shtetit ka përgatitur planin e masave të sigurisë për protestën e paralajmëruar nga opozita në datën 26 maj. Nga burimet jo zyrtare, mësohet se po diskutohet skenari i angazhimit të 1500 efektivave, por me opsionin për shtimin e tyre deri në 2 mijë forca për garantimin e rendit në terren. Burimet e policisë thanë se nisur edhe nga kërkesa e opozitës, e depozituar në Drejtorinë e Tiranës, ku nuk është përcaktuar afati se kur përfundon kjo protestë, edhe plani i masave ka ndryshuar. Autobusët me pasagjerë në hyrjet e Tiranës do të ndalojnë në periferi, ndërsa në ndihmë të Policisë së Tiranës do të jenë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit, Shkodrës etj. Një autoambulancë do të jetë e instaluar pranë zonës së protestës, ndërsa snajperët e RENEA-s dhe Gardës së Republikës do të jenë të pozicionuar në tarracat e godinave përgjatë bulevardit. Ora News ka mësuar se numri më i madh i forcave do të vendoset pranë kryeministrisë dhe ministrisë së brendshme. Ndërkohë agjentët e policisë kanë nisur punën tashmë për evidentimin dhe mbajtjen në kontroll të personave me precedentë penalë gjatë gjithë kohëzgjatjes së tubimit. Në terren krahas efektivave të policisë, do të shpërndahen edhe agjentë të SHISH, ndërsa do të bllokohen të gjitha rrugët që të lidhin me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku nuk do të lejohet edhe parkimi i automjeteve duke nisur nga mbrëmja e të premtes kur e gjithë trupa e policisë ka kaluar në gjendje gatishmërie.

Ja rrugët e Tiranës ku do të bllokohet qarkullimi

Duke filluar nga ora 00:00 e datës 26 maj, deri në përfundimin e tubimit nuk do lejohet qarkullimi i mjeteve në rrugët:

– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i rrugës “Bajram Curri” deri tek kryqëzimi i rrugës “Abdyl Frashëri” dhe anasjelltas;

– Rruga “Ismail Qemali” nga degëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II” deri tek Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të jetë e bllokuar;

– Rruga “ Papa Gjon Pali II” nga degëzimi me Bulevardin “Bajram Curri”, deri tek degëzimi i rrugës “Themistokli Gërmenji” dhe anasjelltas, do të jetë e bllokuar dhe nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në të dy anët e rrugës;

Duke filluar nga ora 07:00 e datës 26 maj deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të të gjitha kategorive nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të rrugës “Abdi Toptani”. Devijimet do të prekin edhe linjat e transportit publik, ku linja e “Tiranës së Re” do të kthehet tek sheshi “Willson”, linja e Kamzës do të kthehet tek sheshi para ish-Kafe “Florës”, linja e Saukut do të kthehet tek rruga “28 Nëntori” pranë Sahatit. Nga ora 07.00 nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë të të gjitha kategorive.

– Mjetet që vijnë nga Pallati me shigjeta në rrugën “Teodor Keko”;

– Mjetet që vijnë nga pjesa lindore e qytetit, do të sistemohen përballë Maternitetit të Ri.

Protestuesit e LSI-së do të mblidhen në orën 10.00 te selia

Protestuesit e LSI-së do të mblidhen rreth orës 10.00 të së shtunës para selisë së tyre dhe paskëtaj, të gjithë bashkërisht do të shkojnë te sheshi “Skënderbej” për t’u bashkuar me protestuesit e PD-së, e më pas, do të marshojnë drejt sheshit para kryeministrisë.

Protestuesit e PD-së, do të fillojnë nisjen nga selia e PD-së

Nga ora 10.10 minuta planifikohet që protestuesit e PD-së të fillojnë nisjen e tyre nga selia e PD-së drejt sheshit “Skënderbej”. Që andej, të gjithë protestuesit, paskëtaj, do të fillojnë protestën drejt sheshit përballë kryeministrisë. Sipas informacioneve të gazetës “Telegraf” pranë organizatorëve të PD-së, protestuesit janë këshilluar, që të mos provokojnë forcat e rendit, por, nëse forcat e rendit do të provokojnë protestuesit, atëherë, sipas informacioneve tona, janë dhënë udhëzime, që protestuesit të reagojnë dhunës policore me dhunë. Gjithashtu, shumë protestues do të kryejnë edhe incizimet, në ato raste kur policët do të provokojnë, me qëllim identifikimin e mëvonshëm të tyre, dhe t’i çojnë të gjithë ata policë që do ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve, përpara drejtësisë.

Protestuesit do të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Burimet pranë PD-së bëjnë me dije për gazetën “Telegraf” se kërkesa e protestës së sotme të opozitës do të jetë dorëheqja e kryeministrit të qeverisë së krimit dhe drogës. Pra, protestuesit nuk do të mjaftohen vetëm me dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Protesta e sotme do të jetë ndryshe, pikërisht kjo kërkesa kryesore, dorëheqja e kryeministrit Rama, por edhe se, ka shumë mundësi, që, nëse kryeministri Rama nuk dorëhiqet, atëherë edhe protestuesit nuk do të largohen nga sheshi përballë kryeministrisë. Në fakt, leja e protestës është marrë nga Policia deri në orën 15.00, por informacionet bëjnë me dije, se protesta nesër fillon dhe mbaron vetëm kur të dorëhiqet kryeministri Rama. Për këtë qëllim, nga organizatorët e protestës janë marrë masa, që të sigurohen edhe ushqime, edhe materiale higjienike, dhe çdo gjë tjetër, që do shërbejë protestuesve, që do të qëndrojnë para kryeministrisë në kohë pa afat.

Basha në aksion, u shpërndan vetë fletëpalosje qytetarëve

Kryetari i PD-së ka dalë pasditen e djeshme në rrugët e Tiranës, duke shpërndarë fletëpalosje dhe duke i kërkuar të gjithë qytetarëve të bëhen pjesë e protestës ditën e nesërme. Kryetari Basha i fton qytetarët të bëhen pjesë e një proteste miqësore, e cila ka synim të rrëzoi qeverinë, krimin e organizuar dhe çdo të keqe që ka sjellë kjo qeveri. I ndalur në lokale të ndryshme të kryeqytetit ai duket krahë të rinjve duke kërkuar prej tyre mbështetje për ta bërë një ditë historike protestën e 26 majit.

Kryeministri Rama ironizon: Audio-përgjimi ishte sajesë e esadistëve të rinj kundër çeljes së negociatave me BE

Kryeministri Edi Rama reagoi dje në lidhje me protestën e opozitës, e cila do të zhvillohet sot. Në një status në rrjet social kryeministri Rama ironizon, duke thënë:

“Lulëzim Basha ju do për një foto në lajmet e botës: Shqipëria në protestë kundër ministrit të Brendshëm trafikant droge! Kush do i shkojë pas nesër ta dijë pse po del e mos thotë pastaj, nuk e dija që audio-përgjimi ishte sajesë e esadistëve të rinj kundër çeljes së negociatave me BE”.

Basha i përgjigjet “flakë për flakë” Ramës: Do tregoj se kush janë esadistët, që pengojnë integrimin

Pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama që qytetarët të mos dalin sot në protestë, pasi opozita i do për foto dhe më vonë ata do kuptojnë se audio përgjimi ishte sajesë e esadistëve të rinj kundër çeljes së negociatave me BE, ka reaguar kreu i PD, Lulzim Basha. Përmes një postimi në rrjet social të shoqëruar edhe me video, Basha tregon se kush janë janë esadistët që pengojnë Shqipërinë si gjithë Evropa. “Kush janë esadistët që pengojnë Shqipërinë si gjithë Evropa”, shkruan Basha teksa ka publikuar videon me poshtë, ku shfaqet kryeministri, ministri Xhafaj dhe vëllai i tij Agron Xhafaj, ndërsa shkruhet: “Kush është pashai? Zbulohet nesër ora 11 te Kryeministria”.