Sot festohet Kurban Bajrami, urimi i Skënder Bruçajt

587
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, ka uruar të gjithë besimtarët shqiptarë me rastin e festës së Kurban Bajramit, e cila do të festohet sot. “Më lejoni t’ju uroj përzemërsisht të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, Gëzuar Kurban Bajramin me lutjen që të shtohet mirëkuptimi, dashuria për njëri-tjetrin dhe të ketë paqe e mirësi në çdo fole familjare e shoqërore”, tha Bruçaj, në një mesazh për mediet. “Në këtë ditë feste e gëzimi të Kurban Bajramit u bëj thirrje të gjithë besimtarëve vullnetmirë që të bëhemi falënderues për të gjitha mirësitë dhe begatitë qe i kemi dhuratë nga krijuesi ynë, dhe të tregohemi bujarë duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë, me jetimët dhe me të gjithë ata që presin përkujdes dhe vëmendjen tonë. Të jemi më mëshirues e tolerant, duke respektuar njeri-tjetrin dhe të lutemi që ditët e festës të vazhdojnë pa reshtur për të gjithë njerëzimin mbarë”, tha ai.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njoftoi të gjithë besimtarët se namazi i Kurban Bajramit, ditën e premte, 1 shtator 2017, do të falet në orën 06:50 në Sheshin Skënderbe. Para faljes së namazit të Kurban Bajramit do të zhvillohet një ceremoni me lexim Kurani, ligjërata dhe përshëndetje. Sipas fesë islame, rituali dhe festa e Kurban Bajramit fillon me faljen e tij herët në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi, duke mbaruar me vizitat në të afërm, fqinj, shokë e miq.
Sigal