SOROS, shuplakë për Berishën dhe Ramën

477
Sigal

Zbardhen rezultatet e sondazhit për 23 Qershorin, PD tërheq më shumë të rinj, PS me votues më të qëndrueshëm, ja si paraqitet LSI, PDIU, PBDNJ, AK dhe FRD

Nga 1.208 intervista të vlefshme, ballë për ballë dhe shtëpi më shtëpi, në të 12 qarqet e vendit gjatë periudhës, dhjetor 2012-shkurt 2013,  rezulton se, rreth 23 për qind e ndjejnë veten afër me Partinë Demokratike dhe 20 për qind ndjehen me Partinë Socialiste, ndërsa 4 për qind e tyre refuzojnë t’i përgjigjen kësaj pyetjeje dhe më tej një pjesë e të intervistuarve preferojnë sipas bindjeve të tyre. Kështu 1% e qytetarëve shprehen afër me PDIU dhe po kaq me LSI, 1.2% me Aleancën Kuqezi dhe 1.3% me Frymën e Re Demokratike. Ndërkaq dy partitë kryesore PD dhe PS kapin më shumë se gjysmën e elektoratit shqiptar. Gjithashtu,  56.7% e qytetarëve që shprehen djathtas, shprehen edhe më të afërt me Partinë Demokratike, dhe 57.3% e qytetarëve që shprehen majtas ideologjikisht, shprehen më të afërt me Partinë Socialiste.

 Sondazhi

Gjetjet paraprake të Sondazhit Social Evropian të kryer për herë të parë në Shqipëri nga  Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (SOROS) japin pamjen e një shoqërie shqiptare mjaft mosbesuese ndaj institucioneve vendase, mjaft të pakënaqur me gjendjen e demokracisë, ekonomisë dhe performancën e qeverisë, të papërfaqësuar nga alternativat politike aktuale, me gjysmën e demokracisë që dëshirojnë dhe kërkues për barazi para ligjit, për masa që luftojnë varfërinë, për një media që ofron informacion të besueshëm mbi punën e qeverisë, dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të pyetur për përkatësinë e tyre ideologjike majtas, apo djathtas në një shkallë nga 0 deri në 10, ku 0 nënkupton të majtën ekstreme dhe 10 të djathtën ekstreme, në shkallë kombëtare shqiptarët janë të qendrës, me tendencë djathtas, në nivelin 5.3. Përafërsisht 48% e shqiptarëve nuk e ndjejnë veten afër me asnjë parti, rreth 23% e ndjejnë veten afër me Partinë Demokratike, rreth 20% me Partinë Socialiste, dhe 4% refuzojnë t’i përgjigjen kësaj pyetje. Për partitë e vogla, 1% e qytetarëve shprehen afër me PDIU dhe po kaq me LSI, 1.2% me Aleancën Kuqezi dhe 1.3% me Frymën e Re Demokratike. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kapin pak më shumë se gjysmën e elektorateve potenciale sipas përkatësisë ideologjike. Konkretisht, 56.7% e qytetarëve që shprehen djathtas, shprehen edhe më të afërt me Partinë Demokratike, dhe 57.3% e qytetarëve që shprehen majtas ideologjikisht, shprehen më të afërt me Partinë Socialiste. Rreth një e treta e qytetarëve si djathtas, si majtas nuk ndihen afër me asnjë parti. Ndërkohë, nga qytetarët që identifikohen me Qendrën, pjesa dërrmuese, 73.3% nuk ndjehen afër me asnjë parti. Në nivele të ngjashme të ulëta janë qytetarët e Qendrës që ndihen më afër me PD dhe PS – rreth 7% me secilën. Ndërkaq të rinjtë, megjithëse duken të zhgënjyer përsëri, ata rezultojnë se nga ata që nuk kanë votuar në 2009-ën dhe që janë potencialisht zgjedhës të rinj sivjet, 9.6% shprehen afër me PS, 16.4% me PD.

Detajet

Një pamje e kryqëzuar e gjetjeve paraprake mbi partinë e votuar në vitin 2009, dhe partinë që ndjejnë më afër sot, sugjeron se Partia Socialiste ruan dy të tretat e elektoratit të 2009-ës dhe gjen të alienuar jo afër me asnjë parti, 30.6% të atyre që e votuan në 2009-ën. Ndërsa Partia Demokratike ruan 54.5% të zgjedhësve të saj në 2009-ën, dhe gjen të alienuar 36.7% të këtyre zgjedhësve në 2009-ën. Partia që ka pësuar distancimin më të lartë nga elektorati i vitit 2009 është Lëvizja Socialiste për Integrim, me 60% të atyre që e votuan në 2009-ën që shprehen që sot nuk ndihen afër me asnjë parti. Partitë që i ruajnë më bindshëm elektoratet e tyre të 2009-ës janë PBDNJ, me 80% që ende sot ndihen afër me këtë parti, dhe PDIU me 75% të atyre që e votuan në 2009-ën që shprehen që ndjehen më afër me të sot.

 Punësimi dhe besimi fetar

Të pyetur për aspekte të punësimit dhe ekonomisë, rreth 84% e qytetarëve shprehen se nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë pjesë në një sindikatë, dhe rreth 48% shprehen që janë duke punuar pa kontratë. Të pyetur për besimin fetar dhe praktikimin e tij, gjetjet paraprake sugjerojnë një shoqëri që e sheh veten si besimtare në masën 7.8 në një shkallë nga 0 në 10, ku 0 nënkupton jo besimtar dhe 10 tejet besimtar.

-Nga ana tjetër shumë pak prej tyre duket se e kanë të lidhur besimin e tyre me institucionet dhe ritet fetare të rregullta, me vetëm 12% të qytetarëve që pohojnë se ndjekin shërbesa fetare të paktën një herë në javë. Të krahasuara me gjetjet përfundimtare të të njëjtit sondazh në 27 vende të tjera në vitet 2010-2011, gjetjet paraprake për Shqipërinë sugjerojnë se shoqëria shqiptare është më homofobe se 27 të tjerat. Ndërsa për median të intervistuarit thanë ata vlerësojnë disa arritje, por priren drejt mediave që ofrojnë informacion të besueshëm. Kështu 65 për qind e vlerësojnë lirinë mediatike, ndërsa 35 për qind kërkojnë pavarësi më të madhe të mediave nga politika.

-Ndërsa, të pyetur nëse mendojnë se homoseksualët, gejt dhe lezbiket duhet të jenë të lirë të jetojnë si të dëshirojnë, 53% thonë “Jo”, përqindje më e lartë edhe se disa vende fqinje si Kroacia dhe Greqia.  Tashmë në raundin e tij të gjashtë, Hulumtimi Social Evropian kryhet sot në mbi 30 vende të Evropës dhe më tej, për të kuptuar stofën sociale, politike dhe kulturore të shoqërive të ndryshme. Pyetësori mbulon përfshirjen sociale, besimin fetar, besimi tek institucionet dhe politika, këndvështrimet mbi demokracinë si dhe perceptimet e njerëzve për mënyrën se si po shkon jeta e tyre. Në fjalën e tij hapëse, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë theksoi rëndësinë e të dhënave të besueshme dhe të krahasueshme për politika publike të bazuara në të dhëna dhe debat publik sa më konkret dhe sa më pak spekulativ, sidomos në prag të zgjedhjeve parlamentare 2013. Ai vuri në dukje se të dhënat e nxjerra sot janë paraprake dhe të pjesshme, pasi Ekipi Qendror Shkencor i Sondazhit Social Evropian i bën publike të gjitha të dhënat dhe bazën e plotë të tyre në përfundim të procesit të validimit, në vjeshtë 2013. Realizimi i Sondazhit Social Evropian koordinohet nga zyrat qendrore në City University London. Gjatë muajit dhjetor 2012 – shkurt 2013 janë kryer në Shqipëri 1.208 intervista të vlefshme, ballë për ballë, shtëpi më shtëpi, në të 12 qarqet e Shqipërisë, në fshat dhe qytet. Teknika e intervistimit sjell risi në Shqipëri, pasi intervistat janë kryer nëpërmjet tabletave kompjuterike që mundësojnë hedhjen e të dhënave në kohë reale në kompjuter duke evituar kështu gabimin njerëzor në kalimin e tyre nga letra në kompjuter, por edhe problematikat e njohura me ndershmërinë në intervistim.

Flet për Telegraf

 Ardit Bido, Kryetari i klubit “Patriotët e rinj” të PDIU-së

 Rinia mbështet Rezolutën Çame

Në raportin e fondacionit “Shqipëria e hapur”, për Shqipërinë, thuhet se 74 % e elektoratit dhe të rinjtë që votuan në 2009, partinë tuaj, përsëri do të votojnë në për PDIU-n. Si mendoni?

Gjatë këtyre 10 vjetëve kemi një ndërgjegjësim të elektoratit, të cilët po binden gjithmonë e më shumë se PDIU-ja është një përfaqësim politik i kauzës së madhe, të çështjes çame, e cila sot është një pjesë e debatit politik në Shqipëri. Rezoluta çame pritet të diskutohet e të miratohet në Kuvend. Ne presim gjithashtu ndërtimin e varrezave në Kllogjer. Të rinjtë e sotëm janë tërësisht kundër perceptimit të politikave të vjetra. Klubi i Patriotëve të Rinj, ka ideuar një sërë amendamentesh  për ndryshime. Është një forum që ka një nismë ligjore, ka aksione konkrete politike në terren dhe ka arritur të krijojë besueshmërinë e nevojshme për të çuar përpara kauzat tona.

Flet për “Telegraf”

 Gerd Bogdani, deputet dhe Kryetar i Forumit Rinor të PD-së

 Të rinjtë mbështesin Berishën për integrimin

 Në raportin e Fondacionit “Shoqëria e hapur për Shqipërinë” thuhet  se, 16,4 % e të rinjve që do votojnë për herë të parë, preferojnë PD-në, në krahasim me 9,6 % të të rinjve që preferojnë PS-në.  Sipas jush, çfarë motivi kanë sot të rinjtë që të votojnë PD-në?

Të rinjtë votojnë dhe vazhdojnë të votojnë PD-në, për një arsye shumë të thjeshtë: PD-ja dhe Kryeministri Berisha kanë sjellë ndryshime reale dhe të rinjtë janë ata që e prekin më shumë se kushdo tjetër këtë ndryshim, siç është lëvizja e lirë. Por jo vetëm kaq. Masivizimi i arsimit të lartë, interneti që është bërë pjesë e jetesës, mundësitë që krijon kjo maxhorancë për punësimin e të rinjve, si edhe  nisma më e fundit e Kryeministrit për lehtësimin nga taksat të bizneseve që punësojnë të rinjtë janë shumë domethënëse për ardhmërinë. Janë këta të rinj që kuptojnë edhe ndryshimin thelbësor  midis  mentalitetit  të ri dhe vizionit për një të ardhme të sigurt për Shqipërinë dhe një mentaliteti bllokues që na lë mbrapa nga Europa. Prandaj edhe në 23 Qershor të rinjtë kanë motiv më të madh për vetveten për të votuar PD-në.

 Flet për “Telegraf”

Edrit Brahimllari Kryetari i LRI-së:

 LSI, platformë për punësimin e të rinjve

Në raportin e Fondacionit Shoqëria e hapur për Shqipërinë thuhet  se, 60 % e votuesve që votuan LSI-në, sot nuk ndodhen afër me asnjë parti. Ju si e perceptoni këtë reagim të elektoratit?

 Unë nuk e di këtë fakt dhe nuk kam këtë ikonë nga elektorati.

Sipas jush, përse të rinjtë duhet të votojnë LSI-në?

Për gjithçka. Por ajo që thatë më lart është një perceptim dhe këndvështrim i njëanshëm, që nuk qaset me realitetin fare. Sepse të rinjtë e sotëm janë ofruar te LSI-ja, e cila është e vetmja forcë politike që ka në të gjitha strukturat e saj ndërtuese  mbi 40 % të rinjtë. Kështu që të rinjtë janë të përfaqësuar në të gjithë piramidën udhëheqëse të LSI-së më mirë se në çdo parti politike në Shqipëri. LSI-ja është e vetmja forcë politike, që shpreh aspiratën e të rinjve për integrim dhe ka në boshtin e programit të saj politik punësimin e të rinjve.

 ErionVeliaj, i bënte majmunët të qanin

Petraq Bajrami

Pavarësisht nga difektet që reflekton Erion Veliaj është një mjeshtër i manipulimeve për të mbledhur fonde dhe për të thithur paratë e organizmave ndërkombëtare. Në fillim, ai e nisi karrierën e tij për t’u bërë prift, duke u regjistruar gjatë adoleshencës (kur ishte te gjimnazi “Sami Frashëri”) si misionar i kishës baptiste dhe merrte një rrogë që do ta kishte zili çdo besimtar. Pastaj mori një bursë nga kisha, ku mentori i tij ishte një profesor grek. Më vonë sipas Erionit ai është bërë këshilltar i Presidentit të Ruandës, por në fakt në këtë vend ai ka shkuar vetëm një herë në ekskursion me shkollën. Dhe miqësia e vetme që mundi të lidhë atje, ishte rasti me një majmun në Kopshtin Zoologjik, i cili sa herë që shihte Erionin, qante. Pastaj, gjatë krizës së Kosovës ai u pagua me 3000 – 5000 USD në muaj. Gjatë kësaj kohe ai tregon një rast sikur ka mbetur mes minave për 36 orë dhe pastaj e shpëtoi helikopteri i NATO-s. Dhe pasi dëgjuan rrëfimin e tij, Erionin nisën ta thërrisnin, “Herkul”, por disa të tjerë “Lej Fen”. Dhe kështu më vonë pasi bëri 99 heroizma ai themeloi organizatën G99, e cila u shqua sidomos për mbrëmjet e vallëzimit, ku së bashku me Erionin, edhe disa të tjerë dilnin në fotografi gjysmë lakuriq dhe me sytjena grash. Në fakt, Projekti MJAFT nuk është ide e Erionit, por projekt i SOROS-it i shkruar një vit e 2 muaj para se të fillonte. Por ky projekt ishte një minierë për miliona euro të tjera në xhepin e tij. Në atë kohë ai sulmonte Nanon, për llogari të Ramës dhe Berishës, por për çdo të bërtitur, “poshtë qeveria”,  merrte 3 mijë euro. Më vonë G99 u konvertua në parti dhe pas dështimit në zgjedhje u shkri me Partinë Socialiste, ku u bë një nga drejtuesit kryesorë të kësaj partie. Ndërsa tani, ai është duke pritur përsëri helikopterin e elektoratit të majtë për ta katapultuar drejt Ministrisë së Jashtme, ku me talentin që zotëron mund t’i shkatërrojë të gjitha arritjet e integrimit tonë. Ashtu siç bëri emërimi i tij si sekretar për Rininë dhe Emigracionin te Partia Socialiste. Meqenëse, këtë njeri FRESH-i nuk e pranoi në drejtimin e vet, atëherë Rama e emëroi si sekretar për rininë dhe emigracionin. Dhe që në atë ditë, zhgënjimi i të rinjve bëri që shumica e tyre e bojkotuan këtë individ dhe u larguan. Këtë fenomen e konfirmon edhe sondazhi i mësipërm në raportin e të rinjve.