Sonila Qato: Ja procedurat për kompensimin e 29 mijë dosjeve

454
Projektligji i ministrisë së Drejtësisë “Për kompesimin e pronave” do t’i japë fund konfliktit por do të përmbushë edhe një kusht të BE ndaj Shqipërisë në hapat e saj për integrimin dhe, konkretisht, në hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Sipas këtij projektligji, pronari i shpronësuar i tokës truall do të kompensohet me vlerën e tokës truall referuar çmimit të hartës së vlerës së pronës aktuale, duke realizuar të gjitha pritshmëritë e tij. Këto janë dy kategorizimet mbi të cilat do të kryhet kompensimi i 29 mijë pronarëve me ligjin e ri për kompensimin e pronës. Drejtoresha e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, shpjegon procedurat që do të ndiqen për kompensimin e pronave pas miratimit të ligjit të ri. Nga ky ligj do të preken rreth 26 mijë vendime për kompensim. Formula që parashikon ligji është kompensimi që do të përfitojnë subjektet e shpronësuara, do të jetë vlera e llogaritur e pronës së njohur për kompensim, minus diferencën e tokës së kthyer. Vendimet përfundimtare që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit, kompensohen sipas zërit kadastral që ka pasur prona në çastin e shpronësimit. Ndryshimet e reja përcaktojnë se vlerësimi për vendimin përfundimtar që ka njohur të drejtën e kompensimit, bëhet duke marrë si referim zërin kadastral, sipas origjinës së pronës që ndodhet më pranë pronës që do të kompensohet, duke u bazuar në hartën e vlerës në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit. Në rast se pranë pronës që do të kompensohet gjenden disa zëra kadastralë të njëjtë me atë të origjinës së pronës, me distancë të njëjtë dhe me vlera të ndryshme, atëherë për referim në përllogaritje merret zona që ka çmimin më të lartë.
Komision ndërinstitucional 
Ky draft-ligj formalizon për herë të parë regjistrimin e të drejtës e parablerjes në regjistrat përkatës të ZVRPP, duke garantuar të gjithë pronarët për zbatimin e këtyre vendimeve gjatë privatizimit apo shitjes me ankand të aseteve shtetërore në pronën e njohur. Draft-ligji formalizon për herë të parë rezervimin e fondit të tokës për kompensim fizik pranë ZVRPP, duke siguruar paprekshmërinë e tij. Komisioni ndërinstitucional që do të ngrihet do të ketë detyra që burojnë nga ky ligj, për identifikimin, verifikimin dhe vënien në dispozicion të këtij procesi prona shtetërore me status të pastër. Ky fond për herë të parë administrohet nga procedura e ankandit, përmes të cilës synohet shpërndarja e fondit të tokës apo shtimi i burimeve financiare, me transparencë të plotë ndaj publikut. Mbivendosjet nuk do të jenë me pengesë për përfitimin nga kompensimi financiar për pronën e lirë nga mbivendosja, ndërkohë që vlera e pronës në këtë lloj konflikti, do të ngrijë në llogari bankare, deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me vendim gjykate apo marrëveshje deklarative mes palëve. Draft-ligji mënjanon procedurat e gjata të aplikimit dhe vetëvepron përmes çeljes dhe derdhjes së shumës së kompensimit automatikisht në numrat e llogarisë të hapura nga vetë agjencia.
Ligji i ri: “Për kompesimin e pronave”
Sonila Qato, drejtoresha e AKKP-së shpjegon për “Telegraf” se ligji ri u mbështet në hartimin e këtij draft-ligji, duke respektuar parimet e: Sigurisë juridike të pronës, barazisë juridike në trajtimin e pronarëve, transparencës dhe përpjekjen për të rritur besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, në kuadër të angazhimit të vendit tonë drejt integrimit në BE. Sipas drejtoreshës Qato jurisprudenca e krijuar nga vendimmarrja e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, praktika e sjellë përmes shqyrtimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, së bashku me sugjerimet e shprehura nga grupet e interesit në këtë fushë kanë qenë piketat e para të kësaj reforme. Drejtoresha e AKKP, Sonila Qato: “ Risia e kësaj reforme, është zgjedhja brenda të gjitha mundësive ekonomike dhe ligjore të shtetit, për një sistem efektiv. Reforma përqendrohet edhe në rregullimin material dhe procedurial të mekanizmave për të siguruar paprekshmërinë dhe administrimin e fondit të kompensimit të pronave dhe parashikimin e procedurave të thjeshta për të deburokratizuar sistemin. Shtylla e parë e kësaj reforme sjell risi në trajtimin e së drejtës për njohje pronësie, duke legjitimuar kthimin përmes kompensimit fizik në pronën e njohur aty ku ligji ka fushë zbatimi”. 
Afatet kohore të kërkesave
Drejtoresha e AKKP Sonila Qato shpjegon edhe afatet kohore të kërkesave. Draft-ligji ngarkon Agjencinë e Trajtimit të Pronës, të shqyrtojë dhe të marrë vendime brenda një afati prekluziv 3-vjeçar. Draft-ligji parashikon gjithashtu një afat prekluziv prej 6 muaj, për pranimin e kërkesave të reja për njohje pronësie. Kjo reformë rregullon edhe trajtimin e pronave në proces legalizimi, ku në zonat urbane vepron, duke çliruar bllokimin e deritanishëm për njohje pronësie, ndërkohë që, i nënshtrohet zbatimit të rregullave të këtij ligji, zonat e shpallura informale, të cilat trajtohen automatikisht me kompensim duke i hapur rrugën planifikimit dhe zhvillimit urban të tyre. Shtylla e dytë ku mbështetet kjo reformë është realizimi i një mjeti të brendshëm efektiv për nisjen për herë të parë të ekzekutimit të të gjitha vendimeve për kompensim nga viti 1993. Regjistri elektronik i vendimmarrjes së realizuar në korrik të vitit të kaluar, numëroi për herë të parë një numër prej 26 mijë vendimesh të cilat presin të kompensohen.
Shteti përballon gjithë faturën financiare
Deri më sot janë kompensuar pjesërisht 862 subjekte të shpronësuara, me një vlerë nga buxheti i shtetit prej 4 mld lekë. “Ekzekutimi i vendimeve të komisioneve të cilësuara nga jurisprudenca si “quasi gjyqësore”, është emergjente dhe kërkon një zgjidhje e cila vë përballë njëri-tjetrit: Nga njëra anë interesat e pritshme të pronarëve për kompensim të pronës së tyre dhe nga ana tjetër mundësinë ekonomike dhe financiare të shtetit si garant i shtetit të së drejtës dhe vendosjes së një drejtësie sociale. Ndaj ky draft-ligj në bindjen tonë shënon një kthesë të rëndësishme në historinë e trajtimit të kësaj problematike. Për herë të parë qeveria mori përsipër të identifikojë faturën që shteti do të përballojë për ekzekutimin e të gjitha vendimeve të dhëna për kompensim.”,- thotë Sonila Qato.
Sigal