Sonila Meço: Koherencë

641
Nisi me një ndërhyrje të paligjshme në një Monument Kulturor të Kategorisë II, tek fasada e kryeministrisë. Me instalacionin “Marquee Tirana”, të një artisti bashkëkohor si Philippe Parreno u shënua “shtrirja mirë e krahut” të kryeministrit për të zëvendësuar trashëgiminë kulturore me atë të shijeve të tij.

Vepra ishte vënë ngado më herët në botë, muze e galeri, madje edhe kazino, por jo në një ndërtesë qeveritare.

U ndërhy edhe brenda kryeministrisë, u instalua Qendra për Hapje e Dialog brenda ambienteve të saj, askush nuk mësoi koston e saktë, kush pagoi, sa dhe si u shpërblye më pas. As si u përzgjodhën artistët e arkitektët ndërkombëtarë, me famë herë të madhe e herë të supozuar. Pra një shembull i qartë i kokëfortësisë së kryeministrit për të vendosur vetë, pa u këshilluar, duke vënë artistin nën hijen e politikës, pa transparencë fondesh të alokuara, duke shkelur Ligjin e Trashëgimisë Kulturore e duke lënë pas pikëpyetje të mëdha për planet e së ardhmes.

U tolerua edhe me stadiumin, sa e sa herë edhe në mbarë Shqipërinë me Velierë në Durrës e Bypass në Gjirokastër. Në shkelje të ligjit. Sot e ka radhën Teatri Kombëtar. Më koherencë se kaq nuk mund t’i kërkosh një udhëheqësi, që punon sikur nuk ka popull, por statuja në vend të tij.

Arti nuk po na mbron dot më nga politika dhe pushteti. Ky i fundit si një çetë guerilje, vendimet i merr fshehurazi, pa dialog e komunikim siç kish paralajmëruar që në nisje. Dje për estetizimin e politikës, si e vetmja mënyrë për t’u shitur ndërkombëtarisht, sot për kontrollin e çdo hapësire për të blerë çdo ndërkombëtar.
Sigal