Sondazhi në Opinion: 63% e qytetarve pro shpërndarjes së Parlamentit. Ilir Meta mbrojtësi i parë i Kushtetutës

383
Sigal

SONDAZHI/ Shqiptarët votojnë të shpërndahet parlamenti

Ditët e fundit Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk ka dhënë një përgjigje konkrete se çfarë do të bëjë me parlamentin, do ta shpërndajë apo jo? Emisioni Opinion ka trajtuar këtë të martë konfliktin e ri, mes Metës dhe qeverisë për Gjykatën Kushtetuese, ndërsa qytetarët janë pyetur me një sondazh në rrjetet sociale pikërisht mbi mundësinë e shpërndarjes së parlamentit nga kreu i shtetit. Sipas sondazhit 63 % e qytetarëve, përgjigjen se besojnë që Presidenti Meta do ta shpërndajë parlamentin, ndërsa 37 % e qytetarëve përgjigjen, se nuk besojnë! Po të kemi parasysh protestat masive para zgjedhjeve vendore, ku shqiptarët mbushën sheshet e Tiranës, rrugët nacionale të Shqipërisë në për shprehur revoltën kundër korrupsionit, sundimit të krimit në bashkëpunim me politikën, faktin që shqiptarët në 30 qershor bojkotuan masivisht votimin monist të PS-së për bashkitë, po të kemi parasysh që 20 mijë sportdashës në stadiumin kombëtar në ndeshjen Shqipëri- Francë, brohoritën “Rama Ik!” shprehën hapur dhe qartazi, që kjo qeveri, ky parlament monist e ka humbur legjitimitetin, votëbesimin e popullit, prandaj duhet të shpërndahet.

Fevziu, për deputetët e Opozitës së Re: Janë bandë injorantësh

Gazetari Blendi Fevziu është shprehur i revoltuar për nivelin e deputetëve e të ashtuquajturës opozita e re në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët zëvendësuan opozitën e bashkuar, PD dhe LSI, pasi dogjën mandatet që në shkurt të këtij viti. Gjatë debatit për mundësinë e shpërndarjes së parlamentit nga presidenti Meta, Fevziu i kërkoi me humor Luan Ramës, përfaqësuesit të LSI-së që kur të përpilojnë listat e radhës, kandidatët t’i nënshtrohen një audicioni me video ku të tregojnë se dinë të lexojnë. Madje, Fevziu u shpreh se deri tani kanë treguar se një pjesë e tyre janë një bandë injorantësh nën nivelin mesatar të shoqërisë shqiptare. “Bëni një rregull, ju lutem, që kur të zgjidhni kandidatët e tjerë për zgjedhjet ta shoqërojnë me një video 3 minuta që të lexojnë një fjalim, 3 minuta video që ta shikojë publiku, 3 minuta audicion, se pastaj lënë nam kur kapin foltoren e parlamentit. Disa prej tyre janë një bandë injorantësh nën nivelin mesatar të shoqërisë shqiptare. Nën nivelin më të ulët të shoqërisë shqiptare. Unë s’e kuptoj si janë ata persona në listat e partive, kush i ka vendosur dhe me çfarë standardi. Kemi pasur banditë, kemi pasur kriminelë, i kemi pasur të gjitha, por këta janë edhe injorantë, kjo është e tmerrshme”, tha Fevziu.