Sondazhi i “IPR Marketing”, koalicioni i Majtë 51%, ai i djathtë 45%

437
Sigal

Në Elbasan të majtët fitojnë 8 me 6, por pa marrë parasysh ndikim që mund të ketë rruga e re Tiranë- Elbasan

Koalicioni i Majtë i kryesuar nga Edi Rama vazhdon të kryesojë kundrejt koalicionit të djathtë të kryesuar nga Sali Berisha me një diferencë prej 6 pikësh.  IPR Marketing dhe “Ora News” në sondazhin e katërt të drejtuar nga gazetarja  Ilva Tare, nxjerr  fituese në rang kombëtar të majtën me 51%, ndërsa koalicioni i djathtë  merr 45% të votave, gjithmonë nëse shqiptarët do të votonin dje. Grupimi i majtë është në kuotat e 2009, ndërsa e djathta është disa pikë më poshtë nga 2009, ku edhe  duke shtuar votat e FRD-së, bie një pikë në krahasim me vitin 2009. Por në krahasim me sondazhin e 4 qershorit diferenca po ngushtohet. Vihet re se koalicioni i majtë është rritur me një pikë, ndërsa koalicioni i djathtë me 2 pikë. Pra, krahasimi i rritjes midis PS dhe PD tregon se në rang partish, demokratët janë rritur një pikë më shumë se socialistët.  Ndërsa në krahasimin midis dy partive kryesore, diferenca e PS është 3 % më shumë për socialistët. Partitë e mëdha vazhdojnë të përballen kokë më kokë mes tyre, duke shfrytëzuar të gjitha mënyrat dhe alternativat në këto ditë ët fundit. Gara vazhdon me një diferencë të vogël në favor të PS që ka 43% të votave, kundrejt 40% të PD, e ndjekur nga LSI me 5,5%. kurse FRD merr 2.5 për qind, duke njohur të dyja si parti rënie të lehtë. Në këtë mënyrë është ngushtuar diferenca mes dy kampeve, pasi në sondazhin  e mëparshëm, koalicioni i majtë ishte tetë pikë përpara, ndërsa tani është gjashtë pikë përpara.

Rezultati për Qarkun  e Elbasanit

Ndërkaq, në rang Qarku për Elbasanin koalicioni i majtë, “Aleanca për Shqipërinë Europiane” kryeson sipas sondazhit me 2 mandate më shumë kundrejt Aleancës për “Shqipërinë Europiane”. Pra, rezultati është 8 me 6, për të majtët, në qarkun ku janë gjithsej 14 mandate.  Vihet re që PDIU, PR dhe FRD edhe në rastin kur merret ekstremi pozitiv i marzhit të gabimit nuk nxjerrin deputetë. Qarku i rëndësishëm i Elbasanit, që ka shumë ndikim në rezultatin zgjedhor, del në përfundimin se koalicioni i majtë merr 52 për qind, kurse koalicioni i djathtë merr 45 për qind. Në total koalicioni i majtë merr tetë mandate në Elbasan, kurse koalicioni i djathtë merr gjashtë mandate. Ndërsa, LSI merr një mandat brenda koalicionit të majtë.

Sondazhi dhe marzhi i gabimit

Sondazhi nga kompania IPR Marketing është realizuar me një mijë të pyetur në Elbasan dhe 1500 të pyetur në rang kombëtar. Sondazhi është realizuar përmes telefonatave. Marzhi i gabimit është 2.5 për qind. Sondazhi është realizuar në datat 13- 15 qershor dhe nuk ka matur ndikimin që do ketë në Elbasan hapja e tunelit që lidh këtë qark me Tiranën. Në total janë femrat më të pavendosura, pasi 50.6 për qind e tyre nuk e kanë vendosur votën. Kurse sa u përket moshave, janë të rinjtë ata që janë deri më tani më të pavendosurit. Në total 46.6 për qind e moshës nga 18 deri në 34 vjeç thonë se nuk e kanë vendosur votën e tyre. Ndërkohë janë 31.8 për qind e moshës nga 35 deri në 54 vjeç që nuk janë të vendosur akoma. Ndërsa ata që janë mbi 55 vjeç, janë më të vendosurit, pasi vetëm 22 për qind e tyre janë të pavendosur. Nga të pavendosurit, 19.1 për qind kanë votuar në vitin 2009 për Partinë Demokratike, kurse 10.6 për qind kanë votuar për Partinë Socialiste. Ndërkohë 67.4 për qind e të pavendosurve nuk kanë votuar në vitin 2009.

Përqindjet e rezultateve

Koalicioni i Majtë              51%

Koalicioni i Djathtë           45%

FRD –                                     2.5%

Partitë e tjera                    1.5%

NISHANI I AKORDON DEKORATËN E FLAMURIT KOMBËTAR ISH-SEKRETARIT AMERIKAN TË MBROJTJES RUMSFELD

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dje ish-sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-ve, Donald Rumsfeld, dekoratën e lartë të “Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi, për kontributin e jashtëzakonshëm, si dhe për mbështetjen e fuqishme që Ai dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për reformimin, fuqizimin dhe modernizimin e Ushtrisë Shqiptare dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”. Në fillim të fjalës së Tij, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe theksoi se mirënjohja për këtë vend është pazgjidhshmërisht e lidhur dhe me personalitetet e mëdha të Shteteve të Bashkuara, me bijtë që lindi dhe rriti ky vend dhe në këtë kuadër e cilësoi ish-Sekretarin Rumsfeld një mik të madh të shqiptarëve. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit u shpreh se mbështetja e madhe që zoti Rumsfeld i dha Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO, është tashmë pjesë e mirënjohjes dhe e kujtesës historike të shqiptarëve. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve që nga çastet e para të krijimit të shtetit shqiptar deri në vijimin  përpjekjeve të shqiptarëve për ndryshimet demokratike për konsolidimin e demokracisë, përpjekjeve të saj për reforma, anëtarësimit në NATO, çlirimit dhe Pavarësisë së Kosovës dhe në vijim të rrugë e konsolidimit të saj e të Shqipërisë”, nënvizoi Presidenti Nishani. Duke përcjellë përgëzimet e gjithë kombit amerikan për atë që Shqipëria ka bërë dhe arritur në këto vite, ish-Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld i shprehu Presidentit Nishani falënderimet për këtë nderim të madh dhe shtoi se  nuk do t’i rezistonte tundimit për ta vënë këtë medalje, gjatë gjithë ditës dhe për ta patur gjithmonë në mendjen dhe zemrën e tij. Ish-sekretari Rumsfeld nënvizoi gjithashtu se vlerat që Shqipëria i ka sjellë NATO-s janë të jashtëzakonshme, sepse kanë ndihmuar të gjithë anëtarët e saj, vlera që Shtetet e Bashkuara i njohin dhe i vlerësojnë. “Figura e juaj zoti Rumsfeld”, – nënvizoi Kreu i Shtetit, – “është e lidhur ngushtë me mbështetjen që Ju dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i keni dhënë reformimit, fuqizimit dhe modernizimit të Ushtrisë Shqiptare dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”.