Sondazhet e 2013-s, ja cilët do të na qeverisin

544
Sigal

ZGJEDHJET E ARDHSHME/ Partitë në kërkim të aleatëve. Asnjë forcë politike nuk mund të qeverisë e vetme. Ilir Meta midis Ramës dhe Berishës

Ethet e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm kanë nisur të ndihen dhe fushata de fakto ka filluar nëntë muaj para kohe. Dy liderët e partive të mëdha, por edhe pretendentë të tjerë organizojnë çdo ditë takime dhe bëjnë deklarata që, në një mënyrë a tjetër kanë për qëllim zgjedhjet e 2013-s. Këtij qëllimi i shërbejnë edhe takimet e fshehta dhe publike midis partive të mëdha e të vogla, me rast e pa rast. Më shumë përfliten takimet e kohëve të fundit midis Edi Ramës dhe Ilir Metës. Nga do të mbajë ky i fundit? Do të qëndrojë me Berishën apo do të kthehet tek foleja e vjetër e socialistëve? Dhe duket se vërtet Meta është mes Ramës dhe Berishës. Janë një sërë arsyesh që të bindin për këtë. Zgjedhja e Presidentit, e kreut të SHISH-it, nënkryetarit të KLD-së mund të konsiderohen si një kompromis i pastër mes PD-së dhe LSI-së, ndërkohë që pritet zgjedhja e Kryeprokurorit që do të pasojë Ina Ramën. Cilës palë do t’i përkasë ai? Mendohet se Kryeprokurori do të jetë ai që do të lëkundë balancat e ardhshme. Shpreson LSI-ja që do të jetë një emër i propozuar prej saj, por a do ta tolerojë Berisha? Sepse Berisha kërkon shumë garanci sidomos para këtyre zgjedhjeve që janë vendimtare për të. Berisha ka deklaruar se është i sigurt në fitoren e ardhshme për një mandate të tretë qeverisës, por nuk e ka saktësuar se do t’i fitojë vetëm, me Ilir Metën apo me aleatë të tjerë. Sinjali që dha Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, se zgjedhjet do t’i fitojnë edhe pa Ilir Metën, nuk ishte as i rastësishëm, as aksidental dhe as i pamenduar. Më mirë nga të gjithë këtë mund ta ketë kalkuluar vetë Berisha, ndërsa në skenë kanë dalë edhe dy forca të reja politike mjaft pretencioze. Edhe Rama deklaron se nuk vihet në dyshim fitorja e socialistëve në zgjedhjet e ardhshme, por nuk e saktëson se do t’i fitojë PS-ja e vetme apo e bashkuar me Ilir Metën dhe aleatë të tjerë që deri më tani thuajse i ka shpërfillur. Ndërkaq, pavarësisht nga deklarimet e LSI-ve se, forca e tyre politike do të vazhdojë të jetë e treta dhe përcaktuesja e vërtetë e koalicionit fitues, faktet kanë ndryshuar. Problemet me korrupsionin nëpër dikasteret e drejtuara nga LSI-ja dhe proceset me gjykatat doemos kanë shkaktuar firo në elektorat, por edhe në një zbehje të besueshmërisë nga ana e demokratëve. Prandaj dhe partitë dhe organizatat jo qeveritare kanë nisur nga sondazhet qysh tani. Në një sondazh të publikuar ditët e fundit, janë dhënë rezultate që nëse është i vërtetë është katastrofik për LSI-në dhe maxhorancën aktuale. Sipas atij sondazhi ku asnjë forcë politike nuk duket se merr votat e mjaftueshme për t’u shpallur fituese, LSI nuk merr as 2 për qind të votave dhe nuk do të jetë përcaktuese e Aleancave të ardhshme. Sondazhe me siguri bëjnë edhe demokratët dhe socialistët. Secili për hesap të vet dhe, pavarësisht nga deklarimet publike, ata tashmë e dinë peshën e tyre në elektorat, ndaj dhe kanë nisur fushatën për të shtuar votat e munguara dhe të rrjedhura në vite. Berisha duket më racional në llogaritjen e votave, ndërsa afron edhe aleatë me peshë specifike të papërfillshme. Rama është më arrogant dhe ndihet më i sigurt në fitoren, port ë mos harrojmë se kjo arrogancë dhe ky fodullëk ka marrë në qafë deri tani në disa zgjedhje edhe Fatos Nanon, edhe Edi Ramën. Sidoqoftë, nëse zgjedhjet do të bëheshin sot, ja ç’tregojnë sondazhet për përqindjet e votave të secilës parti politike dhe për aleancat e mundshme të 2013-s.

PRITSHMËRIA SIPAS SHIFRAVE PËR 2013-n

Ajo që bie në sy në këto shifra është se për dy partitë e mëdha, PD dhe PS, që kryesonin koalicionet respektive, mesatarja për 1 deputet është rreth 7 mijë vota. Ndërsa për partitë dhe koalicionet e tjera jashtë tyre, megjithëse kanë marrë më shumë vota, një pjesë e tyre nuk kanë marrë asnjë deputet, sikurse është rasti i Polit të Lirisë që me rreth 28 mijë vota i takonin rreth 3 deputetë. E njëjta gjë është edhe për koalicionin e Aleancës Socialiste për Integrim që me rreth 85 mijë vota i takonin sipas të njëjtës mënyrë llogaritjeje si dy partitë e mëdha afërsisht rreth 8 deputetë e gjysmë. Por të gjitha këto janë argument për zgjedhjet e zhvilluara në 2009-ën.  Për zgjedhjet e 2013-ës raportet kanë ndryshuar dhe këtu përfshihen edhe koalicionet në të cilat partitë u rreshtuan në qeverisjen aktuale. LSI-ja pritet të ketë një tkurrje të madhe, pasi votat e 2009-ës janë marrë me sloganin për të larguar Berishën, ndërkohë që u bë aleate e tij. Gjithashtu Ndoka dhe Shehi të Polit të Lirisë i janë bashkuar koalicionit të PD-së. Por ajo që duhet përmendur është fakti se, nëse LSI-ja del nga koalicioni i Berishës dhe bashkohet me Ramën, më e fituar del e djathta, e cila do ketë një armë të fortë të luftës kundër korrupsionit duke drejtuar gishtin nga Meta. Ndërkohë që e majta, përveç kostos së rëndë që thërret  në koalicion një parti që u bë shkak për 21 Janarin dhe vrasjen e 4 vetave në Bulevard, privatizimet, ujërat, nepotizmin në përfaqësitë diplomatike, spitalet pa ilaçe etj. do të ketë edhe qejfmbetjet  brenda koalicionit të majtë, pasi firmos indirekt fundin e PSD-së, PDS-së dhe PBDNJ-së, të cilat duke u renditur pas partisë së Metës, nuk marrin asnjë deputet, pasi këto i mbledh LSI-ja në bazë të mundësive që i jep Kodi Zgjedhor aktual. Në këtë mënyrë këta do shohin drejt koalicioneve të reja dhe se votat e PSD-së dhe PDS-së së bashku përbëjnë  mbi 37 mijë vota që i përfiton automatikisht LSI-ja. Kështu që e djathta që ka marrë rreth 720 mijë vota, duke iu shtuar edhe ato të Polit të Lirisë që aktualisht janë bashkuar në qeverisje me poste afërsisht 28 mijë vota, ato të partisë së minoritetit që janë ndarë në dy parti rreth 10 mijë vota si dhe partia çame e Idrizit që e riorganizuar pas 2009-s ka rreth 30 mijë vota, ku gjysma  e tyre votonin për PS-në, e nxjerr të djathtën më rreth 800 mijë vota. Këtu nuk është llogaritur LSI-ja e Metës, e cila me gjendjen aktuale nuk i kalon të 40 mijë votat. Ndërkohë që PS-së, duke i hequr votat e çamëve të larguar dhe përgjysmimin e votave të Vangjel Dules pasi u nda në dy parti, nuk kalon më shumë se 660 mijë vota dhe koalicioni me LSI-në  e çon në rreth 700 mijë vota, pavarësisht se futja e LSI-së në këtë koalicion e rëndon më shumë imazhin dhe i mban larg zgjedhësit e pavendosur që janë në Shqipëri dhe që nuk shkojnë në votime, por që përbëjnë një numër të konsiderueshëm me rreth 200 mijë votues. Me dalje e partive të reja, AK-ja e Spahiut do të marrë vota nga e majta, pasi platforma nacionaliste dhe antiqeveritare e ashpër i bashkon me shumë me Kreshnik Spahiun sesa me Edi Ramën.  Ligji për pensionet suplementare dhe ai i dëmshpërblimit për vitet e burgut do të bëjnë që  një pjesë e mirë e ish-ushtarakëve dhe e të përndjekurve politikë do të përbëjnë suport të madh për AK-në. Gjithashtu tek Spahiu do të gjejnë veten edhe një pjesë e mirë e të rinjve, të cilët shohin një lider që është edhe për shkak të moshës më afër idealeve të tyre. Kjo parti mund të thithë edhe një pjesë të të pavendosurve dhe mund të jetë faktor i madh në krijimin e qeverisë së ardhshme. Nëse të pavendosurit do votojnë për Metën ai do t’i përdorë votat për interesat e tij, ndërsa Spahiu mbetet për t’u provuar. Nga ana tjetër partia e re e Topit (FRD) përveç se disa vota të të pakënaqurve të së djathtës, nuk pritet të ndikojë në këto zgjedhje. Madje as nuk pritet të marrë deputetë, kjo edhe për shkak të  sistemit zgjedhor aktual që e penalizon.

PARASHIKIMI

Koalicioni Aleanca e Ndryshimit  43.47 %

Partia Demokratike  PD   33,81%

Partia për Drejtësi dhe Integrim  PDI  2.50 %

Partia Demokristiane e Shqipërisë 1.73 %

Partia Republikane Shqiptare  PR  1.50 %

Partia Lëvizja e Legalitetit  PLL  1.00 %

Aleatët e tjerë të PD-së së bashku —– 2,93 %

___________________________________________

Koalicioni Bashkimi për Ndryshim  40.72 %

Partia Socialiste e Shqipërisë      PS      35,85

Partia Socialdemokrate                PSD  2.1 %

Partia Demokracia Sociale          PDS   0.8 %

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut  PBDNJ   1.1%

Aleatët e tjerë të PS-së —– 0.87 %

___________________________________________

Lëvizja  Socialiste për Integrim LSI 4.2 %

Partia Aleanca Kuq e ZI  ——– 7.31 %

Partia Fryma  e Re Demokrate —- 2.73 %

Partia  Komuniste e Shqipërisë —– 1.57 %

Sipas një sondazhit tjetër të pavarur, kjo është përqindja e votave që do të marin partitë nëse zgjedhjet do të bëheshin sot. Ndërkohë që janë të pavendosur afërsisht rreth 200 mijë votues dhe që përbejnë afërsisht 14% të votuesve