Sokol Olldashi: “Me votën tuaj, integroni Shqipërinë!”

471
Sigal

Kandidati për deputet dhe kryesuesi i listës së PD-së në Qarkun e Fierit, ministri Sokol Olldashi edhe dje ka vazhduar, si çdo ditë takimet me banorë dhe qytetarë të qyteteve të Patosit dhe Roskovecit. Ajo që ra në sy nga këto takime të kandidatit Sokol Olldashi me qytetarët e Patosit dhe Roskovecit, ishte pjesëmarrja e madhe, që sipas Olldashit, shpreh edhe një herë besimin e madh të qytetarëve te qeverisja e Kryeministrit Berisha. Kandidati për deputet, Sokol Olldashi në bashkëbisedimet me banorët e Patosit e Roskovecit, e vuri theksin te politikat e PD-së, që do të bëjnë të mundur integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. ” Presim që në dhjetor, Shqipëria të marrë statusin e kandidatit, dhe menjëherë, qeveria e Kryeministrit Berisha do të punojë që të fillojnë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, theksoi ndër të tjera, kandidati Olldashi, duke përmendur edhe një herë politikat bllokuese të kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili mbajti peng për 3 vjet reformat që do të bënin të mundur marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë në BE. ” Ndaj, vota juaj në 23 Qershor, nuk është thjesht se cila parti do të vijë në pushtet, por kjo votë do të përcaktojë edhe kahun e integrimit të Shqipërisë. Vota pro PD-së, është vota për integrimin e Shqipërisë”, tha kandidati Sokol Olldashi banorëve të qytetit të Patozit e Roskovecit. Gjithashtu, banorët, duke u interesuar të mësonin më shumë për politikat qeverisëse të PD-së, pyetën kandidatin Olldashi edhe për problemet e papunësisë, hapjes së vendeve të reja të punës, për problemet që kanë të bëjnë me nxitjen e biznesit, etj. Përshtypjen e vet, për këto takime, kandidati i PD-së për Qarkun e Fierit, Olldashi e shprehu duke shkruar, në rrjetin e vet social: “Ju falënderoj për pjesëmarrjen në këto takime”.

BERISHA NË DURRËS: 44-RA ËSHTË NUMRI I FATIT. HALIMI: PD-JA FITON BINDSHËM

PD-ja u ndal në mbrëmje në Durrës, ku zhvilloi mitingun përmbyllës të fushatës elektorale. Kryeministri Berisha iu drejtua qytetarëve të Durrësit me zotimin për rritje të rrogave dhe pensioneve, shtimin e investimeve, hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin e turizmit dhe mbështetje për bizneset e fermerët. “Vota juaj më 23 Qershor do të jetë votë për marrjen e statusit të vendit kandidat, brenda muajve që vijnë, për thithjen e qindra milionë eurove investime, për punësimin e shqiptarëve, për ndërtimin e infrastrukturës më moderne”,- tha kryeministri. Më tej lideri i demokratëve ftoi qytetarët të votojnë numrin 44, ndërsa e cilësoi 29-n e PS-së si numrin e dështimit. “Për ju dhe gjithë shqiptarët dua t’ju pohoj këtu sonte se unë gjithë jetën jam përpjekur, por kam patur dhe fat dhe fati im i madh është 44 se linda në “44. Askush nuk do zhgënjehet. 44 është numri i fatit, është numri i lirisë së shqiptarëve. Lexoni pak për 29-ën, është dështimi, është Edi Rama. Kujdes prej atij numri, nuk sjell fat, nuk ka mbarësi, ka dështim. Bashkohuni për punësimin, zhvillimin, për të ardhmen tonë në Europë”,- deklaroi

Kavajë: Të ecim të sigurt drejt fitores!

Me premtimin e rritjes së rrogave e të pensioneve, shtimin e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës, lideri i demokratëve Sali Berisha iu drejtua qytetarëve të Kavajës, në mitingun përmbyllës të zhvilluar në këtë qytet. “Shpreh zotimin tim solemn se fitorja e 23 Qershorit do të jetë fitorja juaj. Do të jetë fitorja në të cilën ne do të ecim të vendosur drejt niveleve më të larta të mirëqenies, në Kavajë dhe mbarë Shqipërinë. Firoja e 23 qershorit do të jetë fitorja e punësimit masiv të qytetarëve të Kavajës dhe gjithë Shqipërinë. Fitorja hap dyert për dyfishimin e turizmit në Kavajë dhe shfrytëzimin e të gjitha potencialeve turistike të saj. Katër vitet që vijnë do jenë vitet e lidhjes direkte të Kavajës me Tiranën me autostradën. Do jenë vitet në të cilat Kavaja do kapë nivelet më të larta të zhvillimit. Katër vitet që vijnë do jenë vitet e integrimit të Shqipërisë, vitet e statusit dhe hapjes së negociatave për vend anëtar në BE.”- u shpreh kryeministri. Në fjalimin në Kavajë, kryeministri nuk sulmoi as programin e PS-së dhe as liderin e saj, por u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të mbështesin PD-në më 23 Qershor, “si mënyrën e vetme për të ecur të sigurt drejt mirëqenies dhe integrimit”. “Në 23 Qershor votoni për Kavajën e zhvilluar që ecën e sigurt drejt mirëqenies, integrimit, për Kavajën fitimtare, për Shqipërinë fitimtare, për fitoren”,- tha Berisha. PD mbyll fushatën në Durrës.

Nishani siguron Peres: “Shqipëria është pranë Izraelit”

Presidenti Peres, pasi e falënderoi Presidentin Nishani për pjesëmarrjen në Konferencën e 5-të Presidenciale dhe vizitën në Izrael, vlerësoi marrëdhëniet mes Izraelit dhe Shqipërisë si të veçanta, duke evidentuar zhvillimin e shpejtë të Shqipërisë dhe konsolidimin demokratik. Më tej, Presidenti Peres vuri në dukje mundësitë e shumta për pasurimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në të gjitha fushat. Në përshëndetje Presidenti Nishani, pasi uroi përsëri Presidentin Peres për 90-vjetorin e Tij, vlerësoi bashkëpunimin midis dy vendeve duke vënë në dukje se bazuar në miqësinë tradicionale dhe të shkëlqyer mes dy popujve tanë dhe mundësitë praktike që ofrojnë Shqipëria dhe Izraeli, ka shumë hapësirë për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat në interes të zhvillimit të ndërsjelltë dhe forcimit të lidhjeve midis dy vendeve tona. Presidenti Nishani vuri në dukje kontributin e Shqipërisë për sigurinë dhe paqen në rajonin e Ballkanit, për bashkëpunimin rajonal dhe fqinjësinë e mirë, duke shtuar se pas marrëveshjes Serbi – Kosovë, Shqipëria pret mbështetjen e pavarësisë së Kosovës edhe nga vendet që ende nuk e kanë njohur. Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, Presidenti Nishani siguroi homologun e tij izraelit se qëndrimi i Shqipërisë nuk do ndryshojë, duke nënvizuar se Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë pranë Izraelit në përpjekjet e tij për paqe. Presidenti Peres në përgjigje u shpreh se shqiptarët e meritojnë plotësisht miqësinë e popullit izraelit dhe se marëdhëniet midis Shqipërisë dhe Izraelit janë shembull i shkëlqyer se si dy vende të ndryshme mund të kenë përqasje të njëjta për çështje shumë të rëndësishme.