Sokol OLLDASHI/ Kjo është qeveria e specialistëve-klientë të vjetër të pushtetit lokal të Ramës

486
Sigal

*Ish-ministër i Transportit

Ndihem krenar të dal sot përpara jush dhe qytetarëve shqiptarë, si një politikan që, për tetë vjet rresht, ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar të vendit dhe kësisoj kam patur mundësinë të jap kontributin tim në ndryshimin rrënjësor që përjetoi vendi gjatë këtyre dy mandateve të PD-së. Unë jam krenar që kam patur mundësinë të ndjek dhe e prek çdo metër të 2237 kilometra akseve kombëtare që ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar në këtë vend, për korridorin e Kombit, Boshtin Veri-Jug, rrugën e Bregut dhe 273 rrugë nga Valbona në Qafë Botë, nga Morina në Qeparo, nga Golaj në Progonat, nga Kapshtica në Murriqan, nga Velipoja në Çajup, nga Bllata në Sevaster. Unë jam krenar që kam patur mundësinë të ndjek dhe të prek 364 ujësjellës të rinj që kanë çuar jetë në rubinetet e qindra mijëra familjeve në këtë vend, në Shkodër, në Vlorë, në Durrës, në Tiranë, në Berat, në Korçë dhe në çdo cep të këtij vendi. 419 sisteme kanalizimesh që e shndërruan Shqipërinë nga një pellgaçe ujërash të zeza në një vend atraktiv turistik, 16 impiante të pastrimit të ujërave të përdorura të zonave tona të mëdha urbane Kavajë, Durrës, Shëngjin, Sarandë, Vlorë, Pogradec, Korçë,10 landfille të përpunimit të mbeturinave të ngurta që na lejojnë që malet t’i shohim të papenguar nga lartësitë e pirgjeve të plehrave që mbushnin periferitë tona. Unë jam krenar që ne zgjidhëm problemin e strehimit për 7220 familje pa strehë, që legalizuam 78 mijë ndërtime pa leje, po ju lëmë gati vetëm për të printuar 45 mijë leje të reja, ndërkohë që kemi bërë kalimin e pronësisë për 120 mijë ndërtime në total. Jam krenar që u kthyem pronën mijëra pronarëve të ligjshëm që jetonin prej 68 vjetësh në pamëshirën e fatit në bodrumet e errëta të mentalitetit të luftës së pandërprerë të klasave. Unë jam krenar që i dhamë Shqipërisë një aeroport ndërkombëtar model dhe një port detar shembullor, si Rinasi dhe Durrësi, një model të ri të planifikimit hapësinor, një sistem të ri të inventarizimit të mjeteve motorike, që e nxorëm flamurin shqiptar nga lista e zezë e organizatës botërore të detarisë. Gjithsesi, si hap i parë, si parakushti i parë dhe më thelbësor për sukses në punën tuaj të mëparshme, këto arritje duhet t’i njihni, t’i pranoni, t’i kuptoni sepse janë pjesë e inventarit publik të këtij vendi.  Ai që duhet të ishte në koncept programi i qeverisë së re të vendit, në fakt nuk mund të quhet gjë tjetër veçse një llogje mbi guvernancën. I gjithë materiali nuk ka asnjë objektiv konkret, asnjë shifër të vetme, asnjë afat të përcaktuar, asnjë kosto të përllogaritur, asnjë efekt të projektuar në rritjen ekonomike të vendit. Dhe nuk ka si të ketë. Kjo shumicë nuk ka ardhur në pushtet si rezultat i mbështetjes për ndonjë program qeverisës.  Kjo shumicë nuk ka ardhur në pushtet si rezultat i ndonjë oferte konkrete për shpejtimin e ritmit të ecjes përpara të vendit. Kjo shumicë është thjesht dhe vetëm aritmetikë. Sado të përpiqeni ta konsideroni atë plebishitare, sado të autosugjestionoheni, madje, për ta besuar një gjë të tillë, kjo shumicë është varfërisht, vetëm aritmetikë. Partia kryesore e kësaj shumice ka zbritur nga 66 në 65 deputetë, pikërisht sepse, në asnjë moment, në tetë vite opozitë, nuk u ofroi shqiptarëve një projekt alternativ, qeverisës, të besueshëm.  Dikur, zoti Rama e akuzonte partnerin e tij të sotëm në shumicën e re parlamentare  si “zëvendëskryeministrin e bllokut të turpit që ngjitej si Meta pas këpucës së Berishës”. Më janë dukur fjalë të rënda atëherë, më duken fjalë të rënda tani. Por, janë ato çka Edi Rama ka thënë për Ilir Metën. Shoqëria shqiptare nuk indukton amoralitet në politikë. Është politika që indukton amoralitet në shoqëri dhe shembulli, jo i vetëm, por, në mënyrën më kategorike, më tipik i këtij amoraliteti, që politikën e sheh vetëm si rezultante pazaresh të pështira për të kapur apo mbajtur një “black jack” me 71 kartonë shumicë, është koalicioni juaj, është maxhoranca juaj, është qeverisja juaj. Çfarëdo emri t’i vëmë Kryeministrit të sotëm, parashtesa është “black”. Programi juaj është pa ngjyrë, nuk është as i Majtë as i Djathtë, as përtej së Majtës dhe të Djathtës. Ai është vetëm një hartim i paprinciptë sepse princip nuk mund të ketë. Pak më sipër iu referova fjalë për fjalë një etiketimi që kryekomponenti socialist i kësaj shumice i ka bërë kryekomponentit integralist. Por, si mund të jetë principal aliazhi, aritmetikë mes bllokut të turpit dhe “kryetarit të sektit të spiunëve të Shqipërisë, fundërrinës së pashembullt morale të shoqërisë”, siç e ka etiketuar kryeintegralisti kundërshtarin e djeshëm dhe aleatin e sotëm kryesocialist. Dokumenti i hartuar prej tyre nuk mund të jetë përveçse pamfleti arrivist i atij që ka probleme ekzistenciale me pushtetin dhe vdekjen dhe atij që ka probleme ekzistenciale me jetën dhe bllokun. Programi juaj nuk ka përfaqësim. Nuk mundet në fakt të ketë përfaqësim, sepse ai është thjesht instrumenti mediokër që kryeministri i ardhshëm ka vendosur në duart e tij si bashkëministri i vetëm i kësaj qeverie.  Kjo qeveri nuk është socialiste… Kjo është qartësisht qeveria e atyre që zoti Rama i futi në PS nga dritarja e Bashkisë së Tiranës, shokë, miq, kushërinj, klientë e gjithëfarlloji. Por, socialiste jo. Llogjet mbi governancën, nuk kanë asnjë model ekonomik. Është e pamundur të sinkronizosh dhe përmbledhësh në një model unik këndvështrimet e ndryshme të pushtetit që gjenden në shumicën tuaj parlamentare. Nuk ka zot të ndërtojë një model duke u mbështetur në klientelizimin permanent dhe kaotik të zotit Rama, rendjen e pritshme për rikthimin e investimit elektoral të integralistëve të zotit Meta dhe pritshmëritë e papërcaktuara për përfitime të një pjese tjetër të përfaqësuesve të kësaj maxhorance.  Kjo është qeveria e specialistëve-klientë të vjetër të pushtetit lokal të zotit Rama.  E atyre specialistëve që pas emrave të studiove projektuese fshehin faturat e mynxyrës 11- vjeçare që u bë në Tiranë për të asfiksuar gjer në kolaps çdo perspektive zhvillimi të këtij qyteti. E atyre specialistëve që, pasi u morën fëmijëve të kryeqytetit çdo metër katror të lirë për të ndërtuar kurbaturat voluminoze të fitimeve të tyre klienteliste, po paguhen tani për të mësuar kalamajtë e Tiranës se te piramida e Enver Hoxhës mund të rrëshqasësh nga lart-poshtë. Flisni për epokën e informalitetit, por nuk thoni që kjo ishte epoka juaj, epoka e Ramës në Tiranë, e Dakos në Durrës, e Gjikës në Vlorë, e Zeqos në Fier e Peleshit në Korçë dhe me radhë. Flisni për kontrollin e territorit por nuk thoni që ky është një funksion i pikërisht pushtetit tuaj lokal. Flisni për një plan kombëtar, por nuk e dini që plani është në proces, flisni për moratorium, por nuk e dini që ligji në fuqi ndalon ndërtimet, pra vendos një moratorium, sepse nuk i lejon Dakon, Zeqon, Gjikën tuaj të vazhdojnë të shkatërrojnë sipas orekseve personale atë që është pronë e përbashkët e qytetarëve. Flisni për moment Zero, por momentin e keni patur institucionalisht që prej tetë vitesh. Zero është ajo që keni bërë në fakt. Flisni për plan kombëtar transporti, por nuk e dini që një i tille ekziston prej vitesh dhe përditësohet vijimësisht. Madje, puna për të ka nisur pikërisht 9 vjet më parë kur në qeveri keni qenë po ju (ose më mirë këta që janë socialistë) se ju aty lart s’keni lidhje me këta. Kjo qeveri ka dhe dy probleme të tjera madhore. Problemi i parë është mungesa e personalitetit dhe e mundësisë së zëvendësministrave për të pasur individualitet.  Kjo është praktikisht e pamundur, sepse ministrat kanë rënë viktimë e vesit të zotit Rama për të vijëzuar gjatë orarit të punës.  Në tryezën e një piktori-kryeministër, ku ka gjithnjë mjete didaktike me tepri, ministrat pa mandate deputeti, ministrat që i kanë emrat të shkruar me laps, janë vulnerabël, lehtësisht të fshihen me gomë. Kjo i bën ata tërësisht të pambrojtshëm përballë trilleve apo interesave vetjake të kryeministrit. Kjo i bën ata të mos jenë individualisht pjesë dinjitoze e pushtetit ekzekutiv por të kenë kolektivisht ekzekutues materiale të pakoment të çdo trilli të kryeministrit të ri. Problemi i fundit madhor që ka kjo qeveri qëndron në faktin që është e pakohë.  Llogjet mbi guvernancën janë të pavendosura dhe të papërcaktuara në kohë, sepse në fakt e papërcaktuar është koha juaj qeverisëse.  Keni ardhur në pushtet si rezultat i bashkimit mekanik të përçmimit që dy bashkëministrat e kësaj qeverie kanë për njëri-tjetrin, dhe ky përçmim reciprok është i pakohshëm. Askush nuk e di sa do të zgjasë dhe si do të funksionojë ndërveprimi i dy vektorëve që shtyhen për shkak të mungesës totale të konsideratës reciproke që kanë për njëri tjetrin dhe tërhiqen për shkak të nevojës utilitare që kanë bashkërisht për të qenë ca kohë në pushtet.  Do të jemi përballë jush për të mbajtur mbi kokat tuaja çekanin e të vërtetës, për t’ju kujtuar ju premtimet stratosferike që i keni harruar që sot, për t’ju kujtuar në çdo moment se shqiptarët presin nga ju uljen e taksave, heqjen e taksës së biznesit të vogël, legalizimet falas, shëndetësinë falas, 300 mijë vendet e punës. Do të jemi përballë jush për t’ju kujtuar se nuk jeni aty për të shëndoshur interesat tuaja private apo të grupit, por për të mbrothësuar Shqipërinë dhe shqiptarët. Do të jemi përballë jush, me të gjithë forcën e moralit, të shpirtit dhe të kurajos, për t’ju rrëzuar nga karriget ku po uleni sot.