Sokol Dervishaj: “Strategjia 2017” në transporte, Shqipëria nyje kryesore lidhëse në rajon

441
Sigal

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës
Sokol Dervishaj ka raportuar për buxhetin e Ministrisë për vitin 2017, në
Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese Tregtisë dhe Mjedisit.
Ministri Dervishaj tha, se buxheti i vitit 2017 në total shkon në 31 miliardë
lekë, më i lartë se i viteve të mëparshme, por që nuk i plotëson kërkesat e
Ministrisë në infrastrukturë. Me këtë buxhet, Dervishaj tha se synohet të përfundojnë
disa projekte të rëndësishme, që kanë filluar para vitit 2013 dhe ende nuk janë
mbyllur. Ministri ju përgjigj edhe pyetjeve të deputetëve, për projekte
konkrete rrugore duke u ndalur te projekti për ndërtimin e Rrugës së Arbrit,
Bypassin Fierit, segmentin Lin-Pogradec dhe Rrugën e Kombit. Në lidhje me
çmimet e larta të biletave të linjave ajrore, Dervishaj tha se shumë shpejt do
të nënshkruhet një Memorandum bashkëpunimi, që do i hapë rrugë ardhjes për herë
të parë të një kompanie të njohur ndërkombëtare (low cost) WIZZAIR, në Prill të
2017. Buxheti i Ministrisë për vitin 2017 është rritur në raport me vitit 2016
dhe 2015. Në vlera konkrete shkon në 31 miliard lekë. Padyshim nuk është
buxheti më i mirë i mundshëm, që ka nevojë sektori i transportit dhe
infrastrukturës. Pavarësisht, brenda këtij buxheti jemi përpjekur të
racionalizojmë fondet që kemi në dispozicion dhe të përfundojmë projekte
prioritare veçanërisht në akset kombëtare rrugore. Nuk duhet të harrojmë se të
gjitha rrugët na lidhin me portet si Rruga e Kombit, Bypassi Fierit e Vlorës.
Ne ndërtojmë rrugë që të çojnë në det, dhe s’kemi ndërtuar porte. Për “Bypassin”
e Fierit, një arterie e rëndësishme rrugore, punimet kanë rifilluar me
intensitet dhe kam besim se nëse nuk do të ketë më probleme ligjore mes
firmave, punimet do të mbyllen në verën e 2017. Sot në Shqipëri ndërtojnë rrugë
4 institucione, Autoriteti Rrugor Shqiptar, që e ka detyrim dhe ka tagrin
kushtetues, por edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Fondi i Rajoneve dhe
bashkitë. Por standardet s’janë të njëjta, prandaj kjo është një çështje që
duhet zgjidhur. Për Rrugën e Arbrit, dua të them, se është pushuar oferta
nga kinezët, por ka një ofertë nga kompania shqiptare “Gjoka Konstruksion”, që
po vlerësohet. Rruga e Kombit, është një rrugë strategjike për vendin.
Aktualisht jemi në fazën ku në bashkëpunim me “IFC”, do të fillojmë së shpejti
negociatat me kompaninë që u shpall fituese nga “KPP”. Por një element që e
konsideroj shumë të rëndësishëm, lidhet me interesin e banorëve të Kukësit, për
të mos i rënduar në aspektin ekonomik. Ky është element i rëndësishëm që do e
kemi parasysh gjatë negociatave. E rëndësishme është që kompanitë, të fillojnë
nga puna sa më shpejt, për ta përfunduar rrugën në radhë të parë, dhe
mirëmbajtur. Kam një lajm të mirë edhe për biletat e avionit. Brenda muajit do
të nënshkruajmë një “Memorandum Bashkëpunimi” me palën hungareze, duke bërë të
mundur ardhjen për herë të parë të një kompanie të njohur ndërkombëtare “low
cost” si Wizzair, në prill të 2017.