Sokol Dervishaj: Prioritet, më shumë shërbime cilësore ndaj qytetarëve

467
Sigal

Ministri i ri i Transportit dhe Infrastrukturës betohet para Presidentit
Nishani

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj bëri dje
betimin para Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Kuvendi miratoi me 73
vota pro dekretin e Presidentit që emëron Sokol Dervishaj në postin e ministrit
të ri të Transportit dhe Infrastrukturës. Para marrjes së kësaj detyre ai ka
qenë Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë. Dervishaj zëvendëson në
këtë post Edmond Haxhinaston, i cili dha dorëheqjen nga posti i ministrit të
Transporteve më datë 2 shtator, ku siç tha ai, largohet për t’u fokusuar më
shumë në strukturat e LSI-së. Sokol Dervishaj është anëtar themelues dhe anëtar
i Kryesisë i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ka ushtruar detyrën e
Zv.Ministrit të Punëve të Jashtme, Zv.Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe
Energjisë, si dhe ka qenë i zgjedhur Kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja,
Master në Studime Ndërkombëtare në “King’s College” (Londër), Studime
Strategjike në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes (Londër), ka
ndjekur Kursin e Nivelit të Lartë në Kolegjin Mbretëror të Shkencave Ushtarake
(Britani e Madhe), Politika Publike në Shkollën e Qeverisjes të Universitetit
të Harvardit. Ka ndjekur Programin e Marrëdhënieve Trans-Atlantike të “German
Marshall Fund” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Programin e
Lidershipit të Vizitorit Ndërkombëtar të Departamentit Amerikan të Shtetit.

 

Ministri Dervishaj prezantohet para stafit të Ministrisë së Transportit dhe
Infrastrukturës

 

Ministri i ri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj është
prezantuar dje para stafit të Ministrisë, nga paraardhësi i tij Edmond
Haxhinasto dhe nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi., Dervishaj nënvizoi se
Ministria e Transportit do të vazhdojë punën për të arritur objektivat.
Ministri Dervishaj tha se prioritetet e Ministrisë së Transportit për më shumë
shërbime cilësore ndaj qytetarëve, nuk janë vetëm të këtij dikasteri, por të
aleancës qeverisëse. Dervishaj premtoi angazhim maksimal për të përmbushur këto
objektiva. Ndërsa numri dy i qeverisë, Peleshi theksoi se eksperienca e gjatë e
zotit Dervishaj, në qeverisjen lokale dhe qendrore do të ndikojë pozitivisht në
vazhdimin e reformave në sektorin e transportit.