Socialistët vlonjatë: Na duket vetja si në opozitë, 70% e të punësuarve nuk janë anëtarë të PS-së

44

Nis rokada, çamët zëvendësojnë socialistët te Porti dhe ISSH. Dy kryetarët e PS-së së Vlorës dalin në asistencë

Socialistët e Vlorës pas Blendi Klosit, askush nga qendra e partisë, nuk pranon të shkojë në selinë rozë të qytetit të Vlorës. Shkak për këtë duket se është frika që kanë në qendër për reagimet e ashpra që i presin në Vlorë, nga socialistët e Vlorës, të cilët ndihen të mashtruar e të zhgënjyer nga drejtuesit e PSSH… Edhe pse u fol për një ardhje të mundshme në Vlorë të Taulant Ballës, duket se edhe deputeti Balla ka ndryshuar mendje. Në selinë rozë të Vlorës, janë të shumtë socialistët, të cilët shkojnë përditë në seli e pyesin se, kush e kur do të vijnë nga qendra e PSSH, për të diskutuar problematikat që kanë, por askush nuk di asgjë me siguri. Shqetësimi rritet dhe më shumë, kur mësohet se PDIU, parti e re në qeverisje, do të drejtojë institucionin e sigurimeve shoqërore dhe portin detar, duke i pakësuar edhe më shumë shpresat për punësim të dhjetëra socialistëve, ku tashmë në vend të tyre, do të punësohen anëtarë të PDIU, institucione këto që drejtohen njëra nga Kryetari i PS-së, Bashkia Vlorë e tjetra nga Kryetari i PS-së, rrethi Vlorë. Për socialistët e Vlorës është e papranueshme dhe e pafalshme që PDIU, ashtu si në qeverisjen e PD-së, do të rimarrë përsëri drejtimin e sigurimeve shoqërore dhe portit detar, ashtu si ka ndodhur dhe në disa institucione të tjera që tashmë drejtohen nga LSI, e cila i ka pasur dhe në qeverisjen e PD. Nga dita në ditë, po bëhet e qartë, se në Vlorë, PS duket sikur nuk i ka fituar zgjedhjet në Vlorë dhe vazhdon të mbetet në opozitë, kur mëson se rreth 70 për qind e të punësuarve pas zgjedhjeve të 2013, nuk janë anëtarë apo votues të PS-së, ndërsa pjesa tjetër janë të punësuar të cilët kanë qenë në punë dhe në qeverisjen e djathtë. Në të tilla kushte socialistët e thjeshtë të Vlorës, dhjetëra komisionerë votimesh, kryetar organizatash e kontribuues real të kësaj partie në Vlorë, ndodhen të mashtruar e të tradhtuar nga PSSH. Askush nuk i ka mbledhur, askush nuk i dëgjon, askush nuk i ka pyetur se çfarë hallesh kanë, askush nuk përfill më nëpër zyrat e shtetit të Vlorës, ku kujdesen vetëm për punësimin e njerëzve të deputetëve, klanit të ri vendor dhe partiak, miqve e shokëve nga Tirana, me pushtet. Jam kërcënuar familjarisht tregon Agroni. Mi hoqën të gjithë nga puna në kohën e Saliut dhe tani që shkoi tek PS-ja, apo prefektura që deri dje nuk afrohej njeri më thonë:  “Nuk ka punë”, ndërkohë, për ditë dëgjojnë e mësojnë se punësohen njerëz, të cilët sipas tyre nuk kanë asnjë lidhje me PS-në, me të majtën apo dhe të përfolur për abuzime të kryera më parë, për një të kaluar të errët. 6 mijë CV e grumbulluara në zyrat e PS-së, Vlorë, në pritje të një pune, për të ushqyer familjet e pabuka e të premtuara gjatë fushatës, janë një akuzë e madhe për drejtuesit e maxhorancës qeverisëse, por njëkohësisht dhe një kambanë alarmi për zgjedhjet lokale të vitit 2015, sidomos kur dëgjon zërat se kandidati për kryetarin e bashkisë Vlorë, do të jetë nga jashtë Vlorës.